Autori i këtij dokumenti, deputeti evropian Lukas Mandl, ka deklaruar se krimi i organizuar e dëmton besimin e qytetarëve kundruall institucioneve të tyre publike. “Pasi që kjo paraqet pengesë të madhe për shoqëritë në Ballkanin Perëndimor që të zhvillojnë shtetet dhe ekonomitë e tyre, Bashkimi Evropian nuk mund ta përdorë krimin e organizuar si arsyetim për shtyrjen e procesit të zgjerimit, por duhet të qëndrojë krahas popujve të Ballkanit Perëndimor në luftën e tyre kundër krimit të organizuar”, ka porositur ai
Liberalizim pa vonesë të vizave për Kosovën është kërkuar të enjten nëpërmjet një dokumenti të miratuar nga ligjvënësit në Parlamentin Evropian.
Ky raport, i cili ndërlidhet me bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor, ka bërë thirrje gjithashtu për reforma në fushën e sundimit të ligjit dhe në luftë kundër korrupsionit e krimit të organizuar.
Në këtë kontekst, pasi që është vlerësuar se izolimi i nxit aktivitetet kriminale, deputetët i kanë bërë thirrje Këshillit për liberalizim.
Autori i këtij dokumenti, deputeti evropian Lukas Mandl, ka deklaruar se krimi i organizuar e dëmton besimin e qytetarëve kundruall institucioneve të tyre publike.
“Pasi që kjo paraqet pengesë të madhe për shoqëritë në Ballkanin Perëndimor që të zhvillojnë shtetet dhe ekonomitë e tyre, Bashkimi Evropian nuk mund ta përdorë krimin e organizuar si arsyetim për shtyrjen e procesit të zgjerimit, por duhet të qëndrojë krahas popujve të Ballkanit Perëndimor në luftën e tyre kundër krimit të organizuar”, ka porositur ai.
Me anë të dokumentit, deputetët kanë kërkuar, mes të tjerash, që të ndërpriten lidhjet e forta midis strukturave politike në rajon dhe krimit të organizuar. Për më tepër, ata kanë tërhequr vërejtjen se lidhjet e këtilla kanë një historik të gjatë dhe datojnë qysh nga periudha komuniste. Si rrjedhojë, ata kanë bërë thirrje për hapjen e arkivave të Shërbimeve të Zbulimit të ish-Jugosllavisë.
“Lidhjet ndërmjet krimit të organizuar, politikës e biznesit ekzistonin edhe para shpërbërjes së Jugosllavisë dhe vazhduan deri në fund të konflikteve në vitet '90, derisa deputetët e Parlamentit Evropian dënuan mungesën e qartë të vullnetit të autoriteteve përgjegjëse në rajon që të hapin arkivat e ish-Jugosllavisë dhe dosjet t’u kthehen qeverive nëse ato duan”, shkruhet në dokumentin e PE-së.
Një prej problemeve që është identifikuar në rrafshin e luftës kundër krimit të organizuar është edhe mungesa e vullnetit politik.
Raporti është miratuar me 531 vota të euro deputetëve në favor, 48 kundër dhe 117 abstenime.
Në raport përsëritet thënia e përmendur shpeshherë në dokumentet ndërkombëtare që specifikon se vendet e Ballkanit Perëndimor janë burim destinacioni dhe transiti i trafikimit të qenieve njerëzore, dhe se ato shërbejnë si korridore transiti për emigrantë e refugjatë, për armë, por edhe për shpëlarje të parave.
Në këtë raport gjithashtu tërhiqet vërejtja se deputetët janë të vetëdijshëm për akuzat rreth lidhjeve të mundshme të figurave të larta politike me grupet e krimit të organizuar. Është kërkuar që të çrrënjosen lidhjet politike dhe administrative me krimin e organizuar nëpërmjet masave të qarta të mbrojtjes nga korrupsioni dhe me ndjekjen efikase penale të rasteve të profilit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Gjithashtu është theksuar nevoja që shtetet e Ballkanit Perëndimor të bashkëpunojnë dhe të këmbejnë informata të inteligjencës me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe me partnerët ndërkombëtarë. Deputetët kanë kërkuar që të ketë më shumë bashkëpunim edhe mes vendeve të rajonit, por edhe mes tyre dhe BE-së në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, çështje këto që përbëjnë një sfidë të përbashkët.