Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, i është kundërpërgjigjur akuzave të deputetes së PDK-së Evgjeni Thaçi, e cila e akuzoi Pacollin se duke përfaqësuar interesat e partisë së vet, nuk i qëndron besnike politikës së përbashkët dhe mundohet që gjithë atë politike populiste që e përdorë brenda vendit, ta shprehë edhe në takime që kanë me përfaqësuesit nga vendet e tjera, sidomos ato evropiane.
Pacolli përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ajo me deputeten e PDK-së e ka pasur rastin të udhëtoj vetëm një herë në Bruksel, në nëntor të vitit 2017.
Ajo madje e ka akuzuar Pacollin për mungesë të dijës dhe guximit në takimin e përbashkët që ato kishin me deputetët e rinj të Ballkanit Perëndimorë.
Ajo sqaron se në atë takim, nga Kuvendi i Republikës së Kosovës ishin katër deputetë me ç’rast nga ta ishte kërkuar që njëri të jetë udhëheqës i grupit.
Sipas saj, disa ditë para udhëtimit deputetja Thaçi ishte caktuar si folëse, për të cilën thotë se nuk e di nga kush ishte caktuar.
Por Pacolli thotë se kur kanë arritur në Bruksel, duke parë paraqitjen e deputetëve tjerë nga rajoni, ajo ishte tërhequr.
“Mund ta pyesni atë pse. Ajo e din. Më pas më caktuan mua si përfaqësuese të grupit për të cilën gjë u pajtua edhe vet deputetja e PDK-së. Në këtë seminar kishte edhe përfaqësues të shoqërisë civile e forumeve rinore nga Kosova”, shkruan ajo.
Ajo thotë se, gjatë prezantimit dha më të mirën nga vetja për të prezantuar të rinjtë e Kosovës derisa shton se në fjalimin e saj ishte fokusuar në tri tema kryesore: nga edukimi, zhvillimi dhe punësimi i të rinjve.
“U ndala po ashtu edhe tek roli i Bashkimit Evropian dhe milionat që ka investuar në Kosovë, por, të cilat për fat të keq nuk e kanë ndryshuar gjendjen e rëndë në të cilën jeton rinia jonë”, shkruan ajo.
Pacolli tregon se kishte prezantuar edhe disa ide ku duhet të investohen fondet që vijnë nga Bashkimi Evropian pasi që sipas saj, fondet e investuara në projekte për të ndërtuar qeverisje të mirë, tolerancë dhe pajtim nuk kanë funksionuar.
“Paramendoni sikur të gjitha këto fonde të investoheshin në edukim dhe zhvillim ekonomik. 20 vjet pas luftës nuk do të kishim më nevojë për fonde e projekte për të ndërtuar qeverisje të mirë, tolerancë dhe pajtim sepse do të kishim një rini aktive e të edukuar mirë e cila do të ishte pararojë e qeverisjes së mirë, tolerancës e pajtimit”, thotë ajo.
Ajo ndër të tjera shpalosë se kishte treguar se si gjatë punës saj në Komunën e Prishtinë, si drejtuese e Kabinetit, kishte kërkuar fonde për ndërtim të çerdheve, zhvillim të shkollave profesionale e në mesin e tyre edhe ndërtimin e një Muzeu Shkencor ku fëmijë dhe të rinj përmes lojës dhe argëtimit do të mësonin shkencë e studentët do të kishin një vend për të bërë praktikën apo edhe punësuar.
Ndërkaq përgjigjen që ia kishin dhënë atë kohë zyrtarë të Zyrës së BE-së ishte se “Muzeu Shkencor është luks për ne”.
Pacolli thotë se, ata e konsideronin luks, por ajo e konsideronte dhe vazhdon ta konsideroj se investimi në shkencë dhe edukim është dera e vetme drejtë zhvillimit e avancimit tonë si shtet e si shoqëri.
Sipas saj, pas fjalimit drejtoresha për Ballkanin Perëndimor, Genoveva Ruiz Calavera, kishte kërkuar që të njoftohej me të dhe duke e përgëzuar për fjalimin e kishte ftuar që gjatë darkës ta thellonin diskutimin.
“Deputetja e PDK-së nuk ishte ftuar në tavolinë dhe nuk e di se çfarë kam biseduar më tutje, por, ajo ishte prezente dhe ka dëgjuar fjalimin tim. Mungesën e dijes dhe guximit nuk mund ta mbulojë me shpifje e trillime”, thotë ajo.
Lexo edhe: Deputetët përplasen për përfaqësimin jashtë vendit