Një ditë pas konstituimit të Kuvendit dhe Qeverisë, ambasadorët e QUINT-it e kanë përshkruar si detyrë të parë për fituesit e zgjedhjeve dhe opozitën zgjedhjen e presidentit të ri. Kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, do të takohet këtë javë me kandidaten për presidente, Vjosa Osmani, ku do të vendoset nëse do ta bëjnë kuorumin për të. Por deputetë të Listës Vjosa e kanë bërë të qartë se diskutimet nuk mund të bëhen me kushte dhe se ata nuk do të largohen nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes
Zgjedhja e presidentit të ri është detyra e parë që u përshkruhet partive në pushtet dhe opozitës, pas konstituimit të Kuvendit dhe votimit të Qeverisë. Jetëgjatësia e Qeverisë aktuale do të varet nga procesi i zgjedhjes së kreut të shtetit, meqë Kushtetuta parasheh shpërndarjen e Kuvendit në rast se deputetët dështojnë në tri runde ta zgjedhin presidentin. Shefi i shtetit duhet të zgjidhet më së largu deri më 6 prill, afat ky kur i skadon mandati ushtruesit të detyrës.
Lëvizjet i kanë nisur edhe përfaqësuesit diplomatikë të akredituar në Prishtinë.
Ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara kanë uruar Qeverinë e edhe Kuvendin, duke ua përmendur Qeverisë dhe opozitës si detyrë të parë zgjedhjen e presidentit të ri. Në deklaratën e tyre thuhet se në kohë të pandemisë dhe sfidave ekonomike Kosova ka nevojë për udhëheqësi të vendosur dhe institucione qeverisëse funksionale që sigurojnë stabilitet, përfshirë edhe Presidencën.
“Adresimi i këtyre sfidave do të kërkojë që prijësit e partive politike dhe deputetët e zgjedhur tani t’i vënë nevojat e qytetarëve të Kosovës mbi çështjet partiake politike dhe që opozita dhe Qeveria të punojnë për prioritetet e përbashkëta, e detyra e parë është zgjedhja e presidentit të ri”, thuhet në deklaratë.
E, ambasadori amerikan, Philip Kosnett, të martën i ka shkuar në zyrë kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Në njoftimin për media, LDK-ja nuk e ka përmendur çështjen e presidentit, por ka siguruar diplomatin amerikan se do të jenë konstruktiv si opozitë.
“Sot, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i shoqëruar nga nënkryetari z. Haziri dhe nënkryetari i Kuvendit, z. Shala, kanë pritur në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Philip Kosnett. Gjatë takimit, kryetari Abdixhiku e njoftoi ambasadorin Kosnett rreth zgjedhjeve demokratike të LDK-së dhe qëndrimet karshi situatës aktuale politike në Kosovë. Po ashtu kryetari Abdixhiku e njoftoi ambasadorin Kosnett për rolin konstruktiv që do ta ketë LDK-ja në opozitë”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
Vendimin final për ta votuar Osmanin ose jo, Abdixhiku ka paralajmëruar se do ta marrë pas një takimi me kandidaten për presidente.
Deputeti Haxhi Avdyli nga Lista Guxo e Vjosa Osmanit ka konfirmuar për KOHËN se takimi do të mbahet këtë javë.
“Do të mbahet takimi mes zonjës Osmani dhe kryetarit të LDK-së, shumë shpejt, është çështje ditësh, do të thotë këtë javë. Besoj është një proces normal edhe mes dy kolegëve të vjetër edhe politikanë të Kosovës. Besoj që do të jetë një takim i frytshëm i ballafaqimit të të gjithë kërkesave dhe ideve. Besoj se do të jetë një takim i mirë mes presidentes dhe Lumirit”, ka thënë Avdyli.
KOHA ka raportuar se vendimmarrja e LDK-së do të varet nga e ardhmja e partisë së Vjosës dhe deputetët që kanë fituar ulëse në kuadër të Vetëvendosjes. Abdixhiku do të kërkojë që pretendentja për presidente ta qartësojë pozicionin ndaj LDK-së, si dhe deputetët që i takojnë grupimit të Osmanit ta qartësojnë nëse do të jenë pjesë e Qeverisë apo e opozitës. Ndërkaq në seancën kur u votua Qeveria, Abdixhiku tha se i takon koalicionit fitues ta sigurojë stabilitetin institucional dhe ta shmangë edhe një proces tjetër zgjedhor.
Por Avdyli thotë se bisedimet nuk mund të zhvillohen me kushte teksa e ka përjashtuar mundësinë që të largohen nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.
“Kushtet nuk janë diskutuar. Deputetët nuk i nënshtrohen asnjë vullneti të askujt, vetëm vullnetit të qytetarëve. Nuk mund të vendosë për deputetë askush çka dhe si do të veprojnë, sepse nuk i nënshtrohemi asnjë vullneti të askujt. Ne do të jemi deputetë të Kuvendit të Kosovës, deputetë në Grupin Parlamentar të VV-së. Normalisht jemi të listës Vjosa dhe jemi në VV. Aty do të qëndrojnë”, ka thënë ai.
Avdyli ka folur edhe për rrethanën nëse nuk do të votohej Vjosa. Sipas tij, me mbështetjen që kanë aktualisht, Vjosa Osmani me subjektin e saj do të dilte forcë e dytë në Kosovë.
“Përkrahja ndaj nesh është shumë e madhe dhe moszgjedhja e Osmanit e forcon subjektivitetin tonë”, ka thënë Avdyli.
Edhe Kurti, pas zgjedhjes kryeministër nuk ka dhënë sinjale se do të tërhiqet nga kandidatura e Osmanit.
“Jeta politike e zonjës Osmani, dinjiteti, përgjegjësia me të cilën ajo ka përfaqësuar qytetarët në secilën pozitë institucionale dhe së fundmi mbi 300 mijë vota të qytetarëve të Kosovës, unë besoj se e kanë paraqitur para pozitës e opozitës, para të gjithë deputetëve, neve Qeverisë dhe secilit deputet se Vjosa Osmani duhet të jetë presidente e re e Republikës së Kosovës”, tha Kurti dhe dha sinjale se shpejt do të organizohet seanca për zgjedhjen e saj shefe të shtetit.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila fitoi mbi 50 për qind të votave, ka kandiduar për presidente Vjosa Osmanin. Pas votimit të hënën, Qeveria konsiderohet se i ka 66 deputetë në Kuvend – 58 të VV-së dhe 8 të komuniteteve joserbe. Pa u siguruar pjesëmarrje e 80 deputetëve në votim nuk do të mund të zgjidhet presidenti. PDK-ja dhe AAK-ja e kanë përjashtuar mundësinë e bërjes së kuorumit. Dështimi për ta zgjedhur presidentin çon në zgjedhje të reja.