Arbëri

OEK-u bën thirrje të ulet akciza për naftën dhe TVSH-ja për disa produkte

“Ka buxhet dhe instrumente fiskale të cilat mund ta zbusin situatën, por nuk mund të tejkalojnë një problem, i cili është global. Jemi në një situatë ku jeta pas pandemisë do të jetë më e shtrenjtë sesa para pandemisë. Mirëpo, disa efekte mund të krijohen ndërkohë nga këto masa janë kategoritë sociale për të cilat duhet të ketë planifikime buxhetore, por nuk zgjidhet problemi vetëm me to. Nuk janë vetëm këto kategori të prekura, janë prodhuesit, të cilëve u është rritur kostoja e prodhimit”, ka thënë kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi

Prishtinë, 31 tetor - Ulja e akcizës për naftën si dhe ulja e TVSH-së për produktet bazike ushqimore janë disa nga propozimet që ka dhënë Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) për t’ua lehtësuar qytetarëve përballjen me rritjen e çmimeve.

Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi, ka thënë të dielën se për këto rritje të çmimeve, shteti nuk mund të ndikojë aq sa dëshiron, sepse me këtë lloj “krize” është duke u përballur pothuajse i gjithë globi. Ai ka shtuar se shtesat që ka ndarë së fundi Qeveria për skemat sociale e pensionale nuk do ta zgjidhin problemin.

“Ka buxhet dhe instrumente fiskale të cilat mund të zbusin situatën, por nuk mund të tejkalojnë një problem, i cili është global. Jemi në një situatë ku jeta pas pandemisë do të jetë më e shtrenjtë sesa para pandemisë. Mirëpo, disa efekte mund të krijohen ndërkohë nga këto masa janë kategoritë sociale për të cilat duhet ketë planifikime buxhetore, por nuk zgjidhet problemi vetëm me to. Nuk janë vetëm këto kategori të prekura, janë prodhuesit, të cilëve u është rritur kostoja e prodhimit. Kështu, qeveria duhet të shikojë mundësinë që të ketë për shembull intervenime tek akciza për naftën, për vajrat, për gazin”, ka thënë Rukiqi.

Rukiqi ka përmendur edhe rritjen e pagës minimale, që sipas tij, do të ishte hap i mirë, por duke respektuar kriteret.
“Ne e kemi përkrahur, jemi pjesë e Këshillit Ekonomik Social, ne nuk kemi kundërshtuar rritjen e pagës minimale, duke u bazuar në shumë faktorë tash. Normalisht që njëra prej kritereve për me u rritë paga minimale është shkalla e inflacionit në vend. Nuk është imja ta kërkoj si komunitet i biznesit, mirëpo konstatimi im në këtë rast dhe qëndrimi ynë si Odë Ekonomike ka qenë se ne nuk e kundërshtojmë rritjen e pagës minimale nëse respektohen kriteret e caktuara”, është shprehur Rukiqi.

Derisa çmimet vazhdojnë të rriten e paga minimale mbetet e njëjtë, kryeministri Albin Kurti një ditë më parë është lavdëruar për rritje ekonomike. Gjatë një vizite në qytetin e Prizrenit, Kurti ka paralajmëruar rritje ekonomike prej 10%, e që sipas tij, një nga arsyet kryesore për këtë është ndalja e korrupsionit.
“Rritja ekonomike, do të jetë rreth 10 për qind, kjo është e pashembullt jo vetëm në Ballkan, e sidomos në Kosovën e pasluftës, nëse ne arrijmë për disa vjet gjatë kësaj dekade të rritemi kështu me rritje dyshifrore, atëherë për disa vjet ne i afrohemi dhe e mbërrijmë edhe Kroacinë”, ka thënë Kurti.

Në përballje me rritjen e çmimeve, Qeveria ka ndarë 36 milionë euro për skema sociale e pensionale, teksa ka paralajmëruar edhe një pako të re për t’u dalë në ndihmë qytetarëve, e që vlera është paralajmëruar të jetë 108 milionë euro.