Nxënësit në arsimin e obligueshëm, me gjithë vendimin e mëhershëm të Ministrisë së Arsimit për edukim falas, vazhdojnë që të paguajnë vetë për libreza. Pos ngarkesës financiare, këtyre dokumenteve për evidentimin e suksesit po vlerësohet se u ka humbur rëndësia. Njohësit e çështjeve të arsimit e vlerësojnë të papranueshëm faktin që nxënësit detyrohen të paguajnë për to. Kërkojnë që të bëhen ndryshime në legjislacion dhe që të kalohet në version digjital
Barrë financiare për nxënësit e dokument pa rëndësi po konsiderohet libreza shkollore.
Në fund të çdo viti shkollor mësimdhënësit i mbushin librezat shkollore për të paraqitur suksesin e nxënësve. Plotësimi i tyre më shumë po vlerësohet si traditë.
Drejtori i shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Pavarësia” në Prishtinë, Shefki Rusinovci, ka thënë se nxënësve nuk iu hyjnë në punë librezat e shkollës, por se si institucion arsimor ende e kanë të paraparë me Udhëzimin Administrativ që t’i plotësojnë.
Në Rregulloren e organizimit të punës në shkolla, e miratuar në vitin 2018, te detyrat dhe përgjegjësitë e mësimdhënësit kujdestar i klasës, përfshihet edhe plotësimi i librezave.
“Mësimdhënësi kujdestar kryen të gjitha punët administrative në ditarin e klasës, në librin amë (përveç të dhënave personale dhe paraprake), në librezat e nxënësve, certifikatat, dëftesat dhe raporte të ndryshme që i kërkon udhëheqja e shkollës”, thuhet në këtë rregullore.
Sipas Rusinovcit, mësimdhënësit po ngarkohen pa arsye në plotësimin e dhjetëra librezave.
“Rëndësia e saj relevante është zbehur sidomos nga aktivizimi i platformës digjitale e-shkollori. Ka shumë arsye pse është zbehur: së pari prindërit mund t'i shohin notat e fëmijëve të tyre, të nxënësve të shkollës tonë dhe pastaj është edhe ngarkesë, ka një kosto për prindërit”, ka thënë ai.
Në drejtoritë komunale të arsimit kanë pranuar se librezat nuk janë të nevojshme për nxënësit. Të nevojshme për ta i kanë vlerësuar dëftesat.
Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në Komunën e Ferizajt, ka thënë se për t’ua hequr barrën financiare prindërve, tash e tre vjet ua mbulojnë shpenzimet për dëftesa.
"Kjo është e paraparë me udhëzime administrative që nxënësit e niveleve të shkollave fillore të mesme të ulëta t'i kenë librezat, prandaj ata janë të pajisur, por nuk është diçka që ndoshta pak më vonë mund t’ju hyjë në punë, përpos në Testin e Arritshmërisë, por edhe aty kanë opsion të kenë certifikatën”, ka thënë Llabjani. Ai shtoi se si komunë kanë filluar procesin e digjitalizimit që t’ua lehtësojnë punën mësimdhënësve në shënimet për vlerësimin e nxënësve.
Ministria e Arsimi, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit mori vendim vitin e kaluar që edukimi publik në të gjitha nivelet të jetë falas. Por se pse nxënësit vazhdojnë të paguajnë për libreza dhe dëftesa MASHTI nuk është përgjigjur.
E ngarkesën e nxënësve në arsimin e obligueshëm me barrën financiare për këto dokumente e shohin si të paarsyeshme edhe njohësit e fushës.
Drejtori i institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja, ka thënë se për shmangien e ngarkesës financiare nevojitet të krijohet një sistem digjital unik në të gjitha komunat për procesimin e vlerësimeve numerike për nxënësit.
"Është e nevojshme që pikë së pari të rishikohet legjislacioni sekondar që i imponon librezën dhe dëftesën si dokumente fizike për të promovuar një digjitalizim të të gjitha mjeteve. Digjitalizimi i këtyre shërbimeve edhe do të ishte në shërbim dhe në interes, pikë së pari, të nxënësve”, ka thënë Qehaja. Ai shtoi se kjo do t’ia lehtësonte punën stafit të shkollës, duke ia hequr barrën administrative.
Në Ministri nuk kanë treguar nëse kanë në plan ndryshimin e legjislacionit për heqjen e përdorimit të librezave fizike shkollore.