Arbëri

Nuk zbatohet projekti për mbikëqyrjen e njerëzve të cilëve gjykata iu kufizon lirinë e lëvizjes

Gjithsej 600 mijë euro ka ndarë sivjet Qeveria për funksionalizimin e projektit për mbikëqyrjen elektronike të personave të cilëve, me urdhër të gjykatës, iu kufizohet liria e lëvizjes.

Në Lëvizjen FOL thonë se marrë parasysh sistemin e kushtueshëm qendror të gjurmimit dhe byzylykëve elektronikë, këto mjete janë të pamjaftueshme.

“Duke marrë parasysh vlerën e madhe që kanë byzylykët elektronikë, si dhe numrin e madh të byzylykëve elektronikë që do të duhej të viheshin në përdorim, kostoja prej 600 mijë eurosh është tepër e vogël për të arritur qëllimin e implementimit të këtij projekti”, tha Albana Hyseni nga FOL.

Mbikëqyrja elektronike parashihet të bëhet për personat që gjykata ua ka vendosur masën e sigurimit të pranisë së tyre, si dhe ndaj atyre që gjykata ka vendosur urdhra mbrojtës.

Ndonëse Ligji për mbikëqyrjen elektronike të personave që u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës ka hyrë në fuqi më 2015, autoritetet ende nuk kanë shpallur tender për t’i blerë pajisjet që sigurojnë këtë mbikëqyrje.

Në Ministrinë e Brendshme nuk treguan për koston dhe e referuan KOHËN në Polici, për të marrë informacione në lidhje me projektin. E, në Polici vetëm thanë se do të ndërmerren veprime për implementimin e projektit.

Pas ndarjes së mjeteve financiare nga Qeveria e Kosovës për projektin “Sistemi i monitorimit elektronik”, bazuar në Ligjin për mbikëqyrjen elektronike të personave të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës, Policia e Kosovës sipas autorizimeve dhe kompetencës do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për këtë projekt dhe implementimin e tij, sipas Udhëzimit Administrativ të MPB-së Nr. 11/2016.

Ndërkaq Këshilli Gjyqësor i Kosovës bëri të ditur se për vitin e kaluar gjykatat kanë lëshuar 1 mijë e 333 urdhra mbrojtës, tek të cilat raste do të aplikohej mbikëqyrja elektronike.

E, në shoqërinë civile përmenden rastet specifike ku implementimi i projektit do të ishte tejet i dobishëm.

“Mbikëqyrja elektronike do të ishte thelbësore për mbrojtjen e viktimave të krimit në përgjithësi, e në veçanti të viktimave të dhunës në familje”, tha Hyseni.

Byzylyku apo hallka elektronike vendoset në kyçin e këmbës së të pandehurit dhe dërgon sinjale në sistemin qendror të gjurmimit, nga ku monitorohet nëse personi i caktuar del jashtë perimetrit apo hapësirës së lejuar.

Përveç largimit nga zona e lejuar apo hyrja në zonën e ndaluar, dhomës operative në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë do t’i dërgoheshin sinjale edhe kur pajisja dëmtohet, tentohet të hiqet, lëvizet, apo nëse nuk është e lidhur me energjinë elektrike.