Arbëri

Nuk ka asnjë lëvizje drejt liberalizimit të vizave për Kosovën

Kompromisi që e mundësoi miratimin e konkluzave është arritur, pasi që ishte hequr fjalia që fliste për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë “deri në fund të këtij viti” dhe në vend të saj ishte vendosur fjalia se këto negociata duhet të fillojnë “sa më parë që të jetë e mundur”

Pas dy tentimeve, ministrat e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë miratuar të martën, në takimin e Këshillit për çështje të përgjithshme në Bruksel, konkluzat rreth procesit të zgjerimit dhe të Stabilizim-Asocimit, nëpërmjet të cilave është përsëritur përkushtimi kundruall procesit të zgjerimit, që mbetet politikë kyç e BE-së, dhe u është kërkuar vendeve të rajonit më shumë përkushtim për reforma.

Miratimi i këtyre konkluzave nuk ka qenë i lehtë. Së pari, gjatë diskutimit lidhur me temën, nuk është arritur pajtimi i të gjitha shteteve anëtare për miratim, ngase disa prej tyre kanë pasur vërejtje rreth draftit të propozuar nga presidenca sllovene e BE-së. Më vonë, në tentimin e dytë dhe pas disa ndryshimeve, palët iu kthyen kësaj teme dhe i miratuan konkluzat.

Vetë miratimi i tyre është konsideruar si “sukses në kërkim të kompromisit”, pasi që një vit më parë Gjermania, si kryesuese e atëhershme e radhës, kishte dështuar në një përpjekje të tillë.

Sipas burimeve diplomatike në Bruksel, Bullgaria ka vazhduar të kërkojë që në dokumente të BE-së të futen edhe kërkesat e saj për problemet bilaterale, të cilat vendi i ka me Maqedoninë e Veriut. Nga ana tjetër, Greqia dhe Qiproja kanë ngritur disa vërejtje në pjesën e tekstit që flet për Turqinë, përderisa Kroacia për pjesën që u kushtohet reformave zgjedhore në Bosnjë-Hercegovinë.

fund kompromisi është arritur, pasi që është hequr fjalia që fliste për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë “deri në fund të këtij viti” dhe është zëvendësuar me fjalia se këto negociata duhet të fillojnë “sa më parë që të jetë e mundur”.

Në konkluza thuhet se procesi i zgjerimit është investim i Bashkimit Evropian në paqe, demokraci, prosperitet, siguri dhe stabilitet në Evropë. Shtohet se mbështetja e vlerave themelore të BE-së dhe perspektiva evropiane është një zgjedhje e vendosur strategjike e thelbësore për të gjithë partnerët që synojnë anëtarësimin në bllokun evropian.

Nga vendet e rajonit kërkohet që t’i përshtatin qëndrimet e tyre në politikën e jashtme me qëndrimet e përbashkëta të BE-së, si dhe që edhe politikat për ruajtjen e ambientit të përkojnë me strategjinë e bllokut. Kjo do të bëhet nëpërmjet “agjendës së gjelbër për Ballkanin Perëndimor” dhe do të jetë pjesë përbërëse e planit evropiane për investime në Ballkanin Perëndimor.

Këshilli ka nënvizuar se sundimi i ligjit do të jetë një element kyç, nga i cili do të varet dinamika e përparimit të vendeve të rajonit në procesin e integrimeve evropiane. Kërkohet që të mos mohohen apo relativizohen krimet e luftës dhe gjenocidi, si dhe të punohet për fqinjësi të mirë.

“Këshilli përsëriti se nuk ka vend për mohim të gjenocidit, retorikë nxitëse dhe glorifikim të krimeve të luftës nga cilado palë. Deklaratat që kanë ndikim negativ në raportet fqinjësore duhet të evitohen”, thuhet në konkluza.

Në pjesën që i dedikohet Kosovës në këto konkluza mirëpritet konfirmimi i Qeverisë së re për përkushtimin karshi rrugëtimit evropian dhe reformave të ndërlidhura me këtë, si një zgjidhje strategjike. Përmendet në veçanti zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit.

Njashtu kërkohet që Kosova ta zbatojë legjislacionin në fuqi dhe ta vazhdojë punën në dëshmimin e rezultateve në luftën kundër korrupsionit dhe të zbatojë reforma në përputhje me standardet evropiane.

Lidhur me dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, prej të dyja vendeve kërkohet angazhim me vullnet të mirë për frymën e kompromisit, me qëllim të arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese.

“Kjo marrëveshje duhet t’i adresojë të gjitha çështjet e hapura dhe të kontribuojë në stabilitetin rajonal. Kjo është çështje kyç, në mënyrë që Kosova dhe Serbia të mund të avancojnë në rrugëtimin e tyre përkatës evropian”, thuhet në këto konkluza. “Këshilli përsërit pritjet e fuqishme që të gjitha marrëveshjet nga e kaluara të respektohen dhe zbatohen pa vonesa. Të dyja palët duhet po ashtu të evitojnë veprimet që dëmtojnë stabilitetin dhe retorikën, e cila nuk është e favorshme për dialogun”.

Sa u përket dy palë zgjedhjeve të mbajtura së fundi në Kosovë, ato nacionalet në shkurt dhe lokalet në nëntor, Këshilli ka vlerësuar se kanë qenë mirë të organizuara dhe konkurruese, me përjashtim në pjesët ku jetojnë serbët e Kosovës.

Ndërkaq, nuk ka pasur asnjë ndryshim sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave për vendin. Në këtë aspekt është përsëritur vetëm thënia e kahershme: “Këshilli është i vetëdijshëm për rëndësinë që ka liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës”, ndërsa është vazhduar me përshkrimin se procesi “ndodhet në shqyrtim në Këshill”.

Lëvizje ndërkaq nuk ka pasur as për Maqedoninë e Veriut dhe për Shqipërinë. E vetmja që ka shënuar ndonjë përparim ka qenë Serbia, e cila ka hapur një bllok kapitujsh në procesin e negociatave të anëtarësimit.