Arbëri

Një zyrtar i Kuvendit denoncon ish-kolegun për presion edhe pas pensionimit

Zyrtari i lartë ndërlidhës me agjencitë e pavarura, Fehmi Pireva, pretendon se ish-drejtori për Shërbime Gjuhësore, Fadil Bytyqi edhe pse në pension po vazhdon të paraqitet në Kuvendin e Kosovës. Prezencën e tij e ka denoncuar te sekretari teksa është ankuar se nuk ndihet i sigurt në vendin e punës, për shkak të një historie të përplasjes pas denoncimit të parregullsive brenda këtij institucioni.

Një nëpunës i lartë i Kuvendi ka denoncuar ish-kolegun e tij për hyrje-dalje të paautorizuar në këtë institucion edhe pas daljes në pension.

Fehmi Pireva që është zyrtar i lartë ndërlidhës me agjencitë e pavarura pretendon se ka një histori përplasjeje me ish-drejtorin e Drejtorisë për Shërbime Gjuhësore, Fadil Bytyçi.

Përplasja kishte ardhur pasi Pireva publikoi romanin me titull “Nëpunësi i Kuvendit”.

Aty janë shpërfaqur ndërhyrjet politike, punësimet me diktat të partive e stresi me të cilin ballafaqohen punonjësit e Kuvendit. Për këtë të fundit është akuzuar Bytyqi.

Përmes një emaili që ka siguruar “Koha”, Pireva ka kërkuar sqarime nga sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi për ardhjen e Bytyqit në këtë institucion.

“Ky njeri edhe pse në pension, vazhdon të hyjë dhe dalë në ndërtesën e Kuvendit, pa kurrfarë problemi, edhe tani ( arsyet nuk i di). Ardhja e këtij njeriu, që kam përjetuar ofendimin më të rëndë në jetën time, paraqet kërcënim për mua si nëpunës i Administratës së Kuvendit, andaj do të detyrohem të kërkoj siguri nga organet kompetente dhe, rastin ta bëj publikisht të ditur”, thuhet në email

Sipas Pirevës, pas botimit veprës, në shkurt të vitit 2022, Bytyqi e ka thirrur në telefon dhe gjatë bisedës, e ka fyer dhe kërcënuar. Por ai ka thënë se nuk e ka denoncuar në polici me shpresën se problemi do të adresohet nga sekretari i Kuvendit.

“Kam zgjedhur heshtjen, nuk kam bërë kallëzim penal. Por, me ardhjen në Kuvend të zt.Bytyçi, e kam njoftuar sekretarin, se ky njeri, që më ka fyer dhe kërcënuar pas botimit të romanit, sërish vjen e del nga ndërtesa”, ka thënë Pireva.

Por këto pretendime i ka mohuar Bytyqi.

I kontaktuar nga “Koha”, Bytyqi ka thënë se megjithëse ia ka thënë Pirevës se janë shpifje ato që ka shkruar në roman, asnjëherë nuk e ka kërcënuar apo fyer.

“Unë në Kuvend prej tetorit të vitit të kaluar, kur jam pensionuar krejt kam qenë vetëm dy herë. Para dhjetë ditësh njëherë dhe njëherë para pesë apo gjashtë muajsh. Asnjëherë tjetër. Fehmi Pirevën e kam thirr në telefon pas botimit të një romani që për hesapin tim është fund e krye gënjeshtra, sidomos për mua...Ato janë krejt insinuata, gënjeshtra të tij, sepse në jetën time kurrë me asnjë njeri nuk kam pasur konfrontim. Ai ka gënjyer rëndë’, ka thënë Bytyqi.

Bytyqi në romanin e Pirevës përmendet në kontekst të presionit që ka ushtruar presion mbi përkthyesit e këtij institucioni. Ngjarja kishte kulmuar me vdekjen e njërit prej tyre në vendin e punës. Por Bytyqi mohon të ketë ushtruar presion ndaj vartësve, derisa e ka quajtur shpifje akuzën që i vishet për vdekjen e nëpunësit të Kuvendit.

“Kur e kanë marrë diagnozën në spital ai ka pasur probleme në zemër, iu kanë mbyllur kanalet e zemrës, ajo ka qenë diagnoza, janë njerëzit e gjallë. Ai ka thënë prej presionit të drejtorit. Po çfarë presioni drejtori, as s’e kom rëndu me punë, sikur kolegët e tjerë, me dashtë me shku në përkthime, u dasht me shku në përkthime. Punë e ka pasë, si ai, si 15 përkthyes të tjerë që i kemi pasur”, ka thënë ai.

Në zyrën e sekretarit të Kuvendit kanë thënë se nuk mund të paragjykojnë sjelljen e asnjë mysafiri brenda Kuvendit.

“Nuk mund të paragjykojmë sjelljen e asnjë mysafiri/vizitori paraprakisht, por në rast se konstatohet se i njëjti pengon në procesin e punës, menjëherë largohet nga hapësirat e Kuvendit dhe hapet rast në Shërbimin e Sigurisë (Policia e Kosovës)”, thuhet në përgjigje.

Sipas tyre, çdo kërcënim të pretenduar, sipas legjislacionit në fuqi mbetet në vullnetin e palës ta adresojë tek organet kompetente.