Arbëri

Nikoliq në KS të OKB-së: Kosova po nxit konflikte të mëdha, s’e njohim kurrë shtet

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq ka deklaruar në raportimin e tij në KS të OKB-së për Kosovën se pesë vjet më parë kishte vendosur t’i bashkohej dialogut me zyrtarët nga Kosova, por për shkak të asaj që ka përjetuar Serbia gjatë këtij dialogu “nuk e di a e kam bërë më të mirën”.

“Që dialogu të ishte kuptimplotë, duhet të bazohet në dëshirën e sinqertë për zgjidhjen e problemeve mbi bazën e kompromisit dhe nuk guxon të keqpërdoret si platformë për të imponuar interesat e njërës palë, dhe sigurisht jo për të imponuar shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës, të cilën Serbia nuk do ta pranojë kurrë”, ka deklaruar Nikoliq, raporton Koha.net.

Ai më tej ka theksuar se Serbia është e përkushtuar për vazhdim të dialogut me Prishtinën, i udhëhequr në interes të stabilitetit rajonal dhe me vizion të vërtetë rajonal drejt pajtimit, sundimit të ligjit dhe vlerave demokratike.

“E fundit çfarë dëshirojmë është që situata në Kosovë të jetë kërcënim i vazhdueshëm i stabilitetit dhe progresit të Serbisë dhe rajonit, për çka do të vazhdojmë të jemi të angazhuar drejt normalizimit”, ka thënë më tej presidenti i Serbisë, Nikoliq.

Gjatë fjalimit të tij në KS të OKB-së, Nikoliq ka përmendur edhe ndalimit të liderit të AAK-së Ramush Haradinaj në Francë në bazë të një fletarresti të Serbisë, ku tha se “duke dashur t’i ikë drejtësisë, njerëzit e tij kanë kërcënuar se nëse ai gjykohet, atëherë Serbia do të ballafaqohet me luftë sikurse në vitin 1999”.

Duke pretenduar se Serbia është nën presion për të hequr dorë nga, siç tha ai, “territori i vet”, Nikoliq ka deklaruar se Beogradi asnjëherë nuk do ta bëjë këtë, “siç nuk do ta bënte askush tjetër”.

“Serbia nuk do ta njohë Kosovën, pavarësisht se çfarë na ofrohet si këmbim apo ndaj çfarë presioni që do të ekspozohemi”, ka deklaruar ai, duke konstatuar se kemi të bëjmë me “mbrojtje të parimeve”.

“Anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së respektojnë të drejtën ndërkombëtare dhe përkrahin sovranitetin e Serbisë. E dimë se disa shtete e kanë njohur Kosovën, por më shumë se 70 për qind e njerëzimit nuk e ndajnë këtë mendim”, ka thënë Nikoliq.

Ai u ka bërë apel me këtë rast shteteve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që t’u “bëjnë ballë presioneve të fuqishme”.

Veç kësaj thirrjeje, Nikoliq u ka bërë thirrje edhe shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që “të rishqyrtojnë vendimin e tyre” dhe “kështu të kontribuojnë në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët”.

Sipas fjalëve të tij, “Serbia është e gatshme për negociata, bisedimeve dhe autonomi substanciale për Kosovën” por “jo me shantazhe, me zgjidhje të njëanshme përfundimtare dhe për shtet të pavarur të Kosovës”.

Kreu i shtetit serb tha po ashtu se përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në UNESCO prishin atmosferën e dialogut.

Ai u bëri thirrje “të gjithë ekstremistëve që zgjidhjet paqësore nuk kanë alternativë” ndërsa theksoi se “formimi i Ushtrisë së Kosovës paraqet kërcënim serioz ndaj përpjekjeve drejt stabilizimit të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor”.

Sipas fjalëve të tij, siç raporton Koha.net, “Prishtina po tenton të nxit përleshje – duke ndaluar dërgimin e librave në gjuhën serbe, duke sulmuar serbët dhe pronat e tyre, duke tentuar të konfiskojnë kombinatin Trepça, e duke ndaluar hyrjen në Kosovë të trenit nga Beogradi”.

“Thonë se treni bartte një porosi që Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë dhe se ky ishte provokim. Nuk ekziston asnjë vendim i OKB-së përmes së cilit Kosova nuk është pjesë e Serbisë. Provokimi i vërtetë është se të gjithë përfaqësuesit e administratës në Prishtinë thonë se Kosova është shtet”, ka deklaruar Nikoliq.

Ai ka vlerësuar se “Serbia asnjëherë nuk u ka dhënë shkak ekstremistëve shqiptarë të cilët nuk zgjedhin mjete për të nxitur konflikte të mëdha”.

Presidenti serb foli edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe i cili, siç tha ai, “nuk është formuar as pas katër vjetësh nga arritja e marrëveshjes”.

“Formimi dhe aktivizimi i AKS-së është prioritet”, deklaroi ai.

Duke vlerësuar se nuk mund të ketë pajtim të vërtetë pa ndjekjen penale të të gjitha krimeve, Nikoliq theksoi se “ky është një detyrim ndaj familjeve të cilat kanë të drejtë të dinë të vërtetën rreth fatit të të dashurve të tyre”.

“Serbia kurrë nuk e ka kontestuar nevojën që të përgjigjen të gjithë kryesit e krimeve të luftës, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike. Është thelbësore që në këtë pikë të mos ketë manipulime dhe abuzime për qëllime politike, të cilën autoritetet në Prishtinë e përdorurin shpesh”, ka thënë Nikoliq.

Në fund ai tha se brenda tre muajve, nga 1 tetori deri më 31 janar, “në Kosovë janë evidentuar më shumë se 30 sulme me motive etnike ndaj serbëve dhe jo-shqiptarëve tjerë” dhe ka vlerësuar se “komponenti etnik është bazë e të gjitha problemeve në Kosovë”.