Mungesa e psikologëve në shkolla sidomos në kohën e pandemisë po shihet si problem i madh.
Vetëm katër shkolla kanë psikolog, prej gjithsejtë 35 në dy nivelet sa ka kjo komunë.
Drejtori i shkollës fillore “Xhemajl Kada”, Sylë Peli, që ka mbi 1 mijë e 400 nxënës tregon se pas vazhdimit të procesit mësimor në shkolla, fëmijët kanë pasur vështirësi ta marrin veten.
“Patjetër kanë nevojë për psikolog që tu ndihmojë të pakten ta heqin atë nga ngarkesa e tyre psikike që e kanë pas gjatë izolimit të pandemisë”, ka thënë Peli.
Angazhimin e psikologëve në secilën shkollë, e sheh të domosdoshme edhe psikologia në shkollën fillore “8 Marsi” në Pejë, Arrita Gjikolli.
Ajo thekson se fëmijët kanë nevojë për ndihmë, jo vetëm shkaku i pandemisë, por edhe për dukuritë e tjera negative, ndaj të cilave janë të ekspozuar fëmijët në shkolla.
“Fëmijët kanë probleme prej më të ndryshme. Duke filluar nga fëmijëria e hershme që kanë pas defekte në vitet e zhvillimit të tyre. Pastaj kur vijnë në shkollë, kanë probleme te dukurive negative që janë duhani, bullizmi, e sidomos bullizmi, i cila është dukuri në rritje”, është shprehur Gjikolli.
Drejtuesit e shkollave thonë se vazhdimisht kanë bërë kërkesa për punësimin e psikologëve.
Në Drejtorinë e Arsimit tregojnë se punësimi i psikologëve nuk është kompetencë e tyre, por e Ministrisë së Arsimit, e cila duhet të planifikojë buxhet shtesë.
“Psikologu ka funksion të rëndësishëm në shkollë, sidomos gjatë kësaj kohe. Situata e pandemisë ka bërë ndryshime të mëdha në procesin e mësimit dhe proceset e tjera. Kështu që urgjent kërkojmë që sa më shpejtë të lirohen vendet dhe të kërkohen që ministria të krijojë kushte për krijimin e vendeve të punës për psikolog nëpër shkolla”, ka deklaruar Besim Avdimetaj, drejtor i Arsimit në Pejë.
Për krijimin e mundësive financiare për hapjen e vendeve të reja të punës për psikolog në shkolla, KOHA ka kontaktuar Ministrinë e Arsimit, por nuk ka marrë përgjigje.