E diela e dytë e shkurtit të 2008-s nuk ka qenë e njëjtë sikurse ditët e tjera të vikendit për qytetarët e Kosovës.
Për dallim prej qytetarëve, për deputetët e Kuvendit të Kosovës ajo ditë nuk ka qenë pushim. Por as ditë e zakonshme pune. Pasditen e së dielës, deputetët e legjislaturës së tretë vulosën përpjekjen me vite të tëra të gjeneratave të mëhershme, duke shpallur pavarësinë e Kosovës.
Në mesin e deputetëve që vunë nënshkrimin në Deklaratën e shpalljes së pavarësisë ishte edhe Njomza Emini.
Emini, si 24-vjeçare në atë kohë, ishte deputetja më e re e asaj legjislature.
Të qenit deputete në atë kohë, aq sa privilegj, ajo thotë të ketë qenë edhe sfidë.
Për dallim nga kolegët e saj, hedhja e nënshkrimit Njomza Eminit i mori më shumë kohë. Vonesa e saj nxiti dyshime tek kolegët dhe te stafi i Kuvendit.
“Nuk e di... më ka ardhur ai moment që unë jam ndal dhe nëse shihni Deklaratën e shihni se është emri dhe mbiemri sepse ky është dokument i pavdekshëm dhe diçka që mbetet dhe nuk ndodh çdo ditë. Momenti më i veçantë ka qenë nënshkrimi i deklaratës së pavarësisë dhe unë jam e vetmja që jam vonuar….ka pas reagim a po i shënon stilolapsin... emocion i papërshkrueshëm”, ka thënë ajo.
Problem me nënshkrimin nuk ka pasur deputeti i asaj legjislature Ahmet Isufi. Derisa shpjegon emocionet gjatë nënshkrimit, për Isufin zgjedhja e simboleve dhe e himnit të Kosovës, e mbajtja diskrete e hapit që do të bënin, kanë qenë momentet më sfidues në atë kohë.
“Nuk ishte lehtë sepse jo vetëm deputetët, por edhe populli i Kosovës edhe luftën e kishte bërë më flamurin kombëtar. Ishte një dakordim që për të shpallur pavarësinë të kishte edhe një kompromis meqë bashkësia ndërkombëtare kishte ndihmuar në çlirimin e Kosovës dhe po ndihmonte në shpalljen e shtetit të pavarur. Konsideroj që ne duhet ta duam flamurin kombëtar e ta respektojmë flamurin e Kosovës”, është shprehur Isufi.
13 vjet pas, duke qenë i rrethuar gjithandej nga flamujt e Kosovës, ish-deputeti Berim Ramosaj thotë se e ka të pamundur t`i përshkruajë emocionet. Ai shton se ka qenë në dijeni që hedhja e nënshkrimit në Deklaratën e Pavarësisë ka një rrugë të gjatë përpara.
“Në momentin e nënshkrimit ne ndiheshim shumë të emocionuar sepse qoftë jemi njerëz me fat që të gjendemi në atë legjislaturë, qoftë edhe të bartjes së një barre e përgjegjësie se çfarë jemi duke bërë në ndërtimin e shtetit”, ka deklaruar Ramosaj.
Përvjetori i Pavarësisë, nënshkruesit e Deklaratës i gjen duke u përballur me sfida të tjera, por që të gjitha të lidhura në një formë apo tjetër me veprimin e bërë 13 vjet më parë.
“Kësaj radhe duke i edukuar gjeneratat e reja në kuptimin e njohurive profesionale e shkencore... Ajo çka dëshiroj të theksoj është që të kemi atë vullnet që kemi pasur jo të humbim atë ose të lodhemi nga procesi i shtetndërtimit”, ka treguar Ramosaj.
“Gjithmonë kam besuar dhe menduar që Kosova do të jetë shtet i pavarur... por kemi aq shumë për të bërë, aq shumë për të investuar në gjeneratat e reja që ta duan këtë vend”, ka vazhduar Emini.
“Uroj që qytetarët të kenë më shumë besimin në të ardhmen e tyre, përfaqësuesit e institucioneve të sillen me përgjegjshmëri në mbrojtje të interesave dhe të punojnë më shumë që Kosovën ta bëjnë shtet ku ma më shumë perspektivë për të rinjtë”, ka thënë në urimin e tij Isufi.
Përveç vënies së nënshkrimit në Deklaratën e Pavarësisë, 13 vjet pas, Berim Ramosajn, Njomza Eminin e Ahmet Isufin i mban të bashkuar dëshira për të kaluar pritjet që kanë pasur qysh me shpallja e Pavarësisë.
Sfidat për Kosovën nuk janë ndalur edhe pas më shumë se një dekade. Me gjithë dëshirën e ish-tre deputetëve, Kosova edhe më tutje sfidohet nga procese të vështira, qoftë me fqinjin serb, qoftë edhe me vendet e Bashkimit Evropian. Union ky drejt të cilit ende nuk e ka gjetur rrugën.