Përfitimi nga masa numër 15-të e Pakos Emergjente, që i kishte dhënë të drejtën e përfitimit në pagesë të asistencës mujore në vlerë prej 130 euro për periudhën tremujore Prill-Qershor për familjet që nuk kanë asnjë të punësuar në sektorin publik dhe privat dhe që nuk pranojnë asnjë pagesë mujore nga buxheti i Republikës së Kosovës, prej muajit të kaluar e deri të premten me 15 maj kur edhe ka përfunduar afti i aplikimit, kishte shkaktuar një mbingarkesë të punës në Qendrën e Punësimit dhe në Qendrën për Punë Sociale.
Haxhere Turjaka zyrtare në Qendrën për Punë sociale, tregoi për KOHË-n se gjatë periudhës për aplikim, janë dorëzuar 2 mijë e 545 kërkesa të familjeve që kanë deklaruar se nuk kanë asnjë të punësuar dhe që nuk kanë as edhe ndonjë të hyrë tjetër nga buxheti i shtetit.
“Sot e kemi përfunduar pranimin e kërkesave dhe bashkë edhe me 248 kërkesa familjare që na janë dërguar nga Qendra e Punësimit, janë bërë gjithsejtë 2 mijë e 793 kërkesa për këtë asistencë nga masa 15 e pakos emergjente”, tha Turjaka.
Këto 248 kërkesa të pranuara nga Qendra e Punësimit në fakt është dashtë të dorëzohen nga kryefamiljarët në Qendrën për Punë Sociale, por duket se jo të gjithë e kanë ditur vendin e dorëzimit të kërkesës dhe Qendra e Punësimit i ka pranuar ato dhe ia ka përcjellë Qendrës për Punë Sociale. Se nga sa anëtar janë të përfshirë brenda një kërkese që është dorëzuar në Qendrën për Punë Sociale, nuk i ka kanë të nxjerra ato të dhëna, pasi siç tha Turjaka kërkesa trajtohet vetëm si kërkese familjare. Ky numër që kanë aplikuar për asistencë emergjente, siç tha ajo nuk përzihet me numrin prej rreth një mijë familjeve tjera që janë përfituese të asistencës së zakonshme sociale.
Dyfishohet numri i të regjistruarve të papunë
E për ti dorëzuar komplet dokumentacionin për këtë asistencë nga pakoja emergjente, njëri prej kushteve ka qenë që anëtarët e familjes mbi moshën 18 vjeçe që janë përfshirë brenda një kërkese familjare, është dashtë të jenë të regjistruar në Qendrat e Punësimit për të marrë deklaratën se janë të papunësuar. Kjo nuk ka vlejtur edhe për ata qytetarët të cilët kanë qenë të regjistruar të papunë dhe kanë pasur deklaratë të papunësisë.
Deri para periudhës së pandemisë, konkretisht para se të shpallej masa emergjente muajin e kaluar për të aplikuar si familje për përfitimin për tre muaj nga 130 euro, në Qendrën për Punësim në Pejë, siç thotë drejtori i kësaj qendre, Bajram Ademaj, numri i të papunëve që kanë qenë të regjistruar në Qendrën për Punësim është sjellë prej 5 deri në 6 mijë.
“Është një numër shumë i madh që kanë aplikuar në zyrën e punësimit në Pejë gjatë kësaj periudhe për masat që ka ndërmarrë qeveria për ndihmë me pakon emergjente. Prej fillimit të afatit dhe deri sot kur ka përfunduar aplikimi, janë rreth tetë mijë veta që kanë ardhur të regjistrohen si të papunë, për të marre deklaratën e papunësisë dhe për të aplikuar në Qendrën për Punë Sociale për asistencën prej 130 euro. Këto aplikacion në qendrën tonë janë dorëzuar fizikisht dhe përmes postës elektronike, që ata të futen në sistem si të papunë”, tha Ademaj për KOHË-n.
Ai tregon se gjatë kësaj periudhe të aplikimit, ka pas raste që deri në shtatë e tetë anëtar të një familje kanë shkuar të regjistrohen si të papunë për tu futur në sistemin e të dhënave si të papunë dhe për të marrë deklaratën e të papunësuarit, që të aplikojnë për pakon e asistencës emergjente prej 130 euro. Me këta tetë mijë të regjistruar rishtazi e kanë quar numrin e të papunëve të regjistruar në Pejë në rreth 14 mijë veta. Se a është tash ky numri real i të papunëve në këtë komunë edhe para kësaj situate të pandemisë, Ademaj nuk e din, por sipas tij edhe para pandemisë jo të gjithë të papunët edhe janë regjistruar në Qendrën për Punësim. “Me siguri numri i të papunëve ka qenë më i madh sesa që kanë qenë të regjistruar para pandemisë. Por saktësisht sa është numri i të papunëve vështirë është të dihet”, thotë Ademaj, i cili nuk e përjashton mundësinë që në mesin e aplikuesve ka edhe të tillë që punojnë në të zezën dhe pa kontrata pune dhe kanë shfrytëzuar situatën për të aplikuar dhe për të përfituar si familje 130 euroshin e asistencën mujore nga pakoja emergjente.
Mirëpo, Ademaj thotë se vështirë është të verifikohet dhe vërtetohet se disa prej aplikuesve punojnë informal.
“Nuk kemi ne mekanizma për të verifikuar nëse ndonjëri prej aplikuesve është në punësim informal apo është vërtetë i papunë. Ata vinë e aplikojnë dhe detyra e jonë është me i fut në sistem. Kurse janë institucionet dhe instancat tjera që i verifikojnë atë të dhëna”, thotë Ademaj.