Arbëri

Në 33-vjetorin e Deklaratës Kushtetuese shprehet brengë për Kosovën e së sotmes

Muharrem Shabani, Ilaz Ramajli e Nazmi Kelmendi, tre nga 114 delegatët e Kuvendit që në 2 korrikun e 1990-s i dhanë miratimin dokumentit që do të bëhej pikënisje për shpalljen e Kosovës Republikë, shprehin pakënaqësi me pozitën aktuale që ka Kosova. E mes brengave kryesore ata numërojnë marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë, veprimet e politikanëve, si dhe ikjen e të rinjve nga vendi

I rrethuar gjithandej nga forcat serbe, delegati i Kuvendit të Kosovës, Muharrem Shabani, e lexoi fiks 33 vjet më parë një deklaratë që do të bëhej më pas pikënisje për shpalljen e Kosovës Republikë.

Në ditën e 2 korrikut të vitit 1990, Shabani bashkë me 113 delegatë të tjerë, në pamundësi për t’iu qasur objektit të Kuvendit si pasojë e rrethimit të tij nga forcat serbe, e patën miratuar Deklaratën Kushtetuese nga oborri i godinës.

Më shumë se tri dekada pas, Shabani e kujton ditën si një moment të vështirë, por edhe krenarie, teksa i përshkruan momentet që i paraprinë leximit të dokumentit nën vrojtimin e snajperëve.

“E kemi ditur se do të ketë rrethim, por e kishim qëndrimin tonë që ai akt të kryhet më 2 korrik. Kishte snajperë ku është ndërtesa e Qeverisë, ku janë ndërtesat aty rreth Kuvendit dhe kishin sjellë një karrige aty pranë. Po më thoshin kolegët që të ulesha që të mos më kapte ndonjë plumb... Unë u thosha: S’dua, dua ta lexoj në këmbë”, e kujton Shabani ditën e 33 vjetëve më parë.

Kujtimet nga ajo ditë i ka ende të freskëta edhe nënkryetari i atëhershëm i Kuvendit, Ilaz Ramajli.

Ai thotë se miratimi i dokumentit, që është njohur ndryshe edhe si Deklarata e 2 korrikut, ka përcaktuar rrugën e pavarësisë së plotë, të cilën Kosova e gëzon sot.

“Rëndësia e Deklaratës së Kushtetueses është e pamohueshme dhe i qëndron edhe kohës së sotme. Edhe sot, po t’i bëheshin vlerësimet e saj për rrethanat e kohës kur ajo është nxjerrë, mund të vlerësohet si një akt shumë i rëndësishëm”, thotë Ramajli, përderisa i kualifikon si të vështira kushtet nëpër të cilat është kaluar për t’u mundësuar organizimi dhe mbajtja e seancës së Kuvendit më 2 korrik të ’90-s.

E që mbledhja të mbahej, ani se jashtë objektit të Kuvendit, ish-delegati Nazmi Kelmendi thotë se është bërë një angazhim i madh.

“Pasi që është caktuar seanca, na kanë mbyllur dyert, nuk na lejuan që të hyjmë deri pas orës 12, kur e kemi filluar mbledhjen”, tregon ai. “Ne ishim të ftuar edhe në biseda informative, mirëpo me një mençuri, me një veprim të mirëfilltë, sepse ne nuk kemi qenë vetëm, kemi qenë me popullin”.

E 33 vjet pas, delegatët e asaj kohe shprehin pakënaqësi me pozitën aktuale të Kosovës, ani se theksojnë që janë bërë ndryshime të shumta pozitive.

Ramajli si brengën kryesore i kualifikon marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë.

“Unë them se duhet të jemi më të kujdesshëm dhe të vazhdojmë të koordinojmë aktivitetet tona me miqtë tanë ndërkombëtarë, në rend të parë me SHBA-në, duke pasur parasysh se situata e sotme nuk më duket edhe larg, për nga natyra e kompleksitetit që ka, asaj që ishte në vitet ‘90”, thotë ai.

E ish-delegati Kelmendi shprehet i pakënaqur me veprimet e politikanëve të kohës, të cilat i arsyeton me mungesën e përvojës.

“Duhet të jenë më të përgjegjshëm, dhe jo të shesin filozofi e mend, por të punojnë mirëfilli për shtetin dhe për shtetësinë e Kosovës”, shprehet ai. “Ne të paktën kemi njerëz dhe e kemi akademinë e shkencave. E kemi Universitetin e Prishtinës dhe kuadrat, dhe mendoj se ia vlen që të paktën në rolin e këshilltarëve të jenë afër tyre, dhe munden që të japin një ndihmesë të madhe.

Por Muharrem Shabani ka një brengë të natyrës tjetër. Ai thotë se shqetësuese për të është ikja e të rinjve jashtë vendit.

“Nuk kam pritur kurrë që Kosova ka për t’u boshatisur kësisoj nga të rinjtë, nga studentët, prej gjeneratës që është më produktive për këtë vend. Prej minatorëve. Pjesa më e madhe e kanë bërë prej zorit”, thotë ai.

E Kosovën e 33 vjetëve të passhpalljes së Deklaratës Kushtetuese e përshkruan ndryshe prej asaj që asokohe pati pritur.

“Nuk është ajo që kemi pritur. Na ka lënë shumë dhe kemi shumë për të dëshiruar”, shprehet ai.

Miratimi i Deklaratës Kushtetuese ishte kundërpërgjigje e Kosovës ndaj suprimimit të autonomisë, që i ishte bërë asokohe nga Serbia. Veprimi është pasuar dy muaj më vonë edhe me miratimin e Kushtetutës së parë të Kosovës, të njohur si Kushtetuta e Kaçanikut.