Në së paku dy paraqitje të emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak, determinues se kur të përfundojë konferencën e si të përgjigjet është bërë këshilltari i kancelarit gjerman, Olaf Scholz. Jens Ploetner, si pjesë e pesëshes euro-amerikane, që për një vit prezantuan dy plane për Kosovën, krahas këshillimit të ministrit të Jashtëm të Gjermanisë vite më parë tani edhe kancelarit gjerman, rolin e ndihmësit e ka luajtur edhe për emisarin evropian.
Fjalëpakë është këshilltari i kancelarit gjerman Olaf Scholz gjatë vizitave në Kosovë.
Në tri qëndrimet në Prishtinë, ndihmësi kryesor i Scholz-it, Jens Ploetner, nuk është dëgjuar të ketë thënë shumë.
Por, i vëmendshëm ka qenë karshi asaj që ka deklaruar emisari i BE-së, Miroslav Lajçak.
Të shtunën ai i tregoi Lajçakut se si t`i ikë përgjigjes në pyetjen e gazetarëve kosovarë për hetimin ndërkombëtar lidhur me sulmin në Banjskë.
Me mimika shpeshherë jepte aprovimin për atë që deklaronte emisari evropian e nganjëherë edhe me gjeste e ndihmonte atë në përgjigje.
Ploetner edhe këtë herë ishte ai që vendosi se kur duhej të përfundonte konferenca për media e emisarit Lajçak.
Një veprim të tillë këshilltari i kancelarit gjerman e ka bërë edhe vitin e kaluar.
Në shtator të 2022-s, Ploetner nuk e lejoi Lajçakun të përgjigjej në pyetjet që për të kishin gazetarët.
Lidhur me rolin e tij në grupin e pesëshes euro-amerikane, televizioni ka pyetur në Ambasadën gjermane.
Pa dhënë komente lidhur me sjelljen e këshilltarit të Scholz-it, në Ambasadë kanë përmendur qëllimet që kanë.
“Përfaqësuesi special i BE-së, Lajçak, dhe këshilltarët e sigurisë kanë një qëllim të përbashkët: të avancojnë sa më mirë dialogun e udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të heqin pengesat ekzistuese”, thuhet në përgjigje.
Për rolin që ka, KOHA ka pyetur edhe në Bashkimin Evropian e nëse kanë vërejtur dallime në qëndrime mes këshilltarëve e emisarëve, KOHA ka pyetur edhe në Qeveri, por përgjigje nuk ka marrë.
Por, kush është Jens Plotner?
Në krah të Scholzit, Ploetner është që nga dhjetori i 2021-tës.
Paraprakisht, ai ka mbajtur postin e drejtorit politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë.
Ploetner deri më 2017, për tre vjet ka qenë ndihmës kryesor i ish-ministrit të Jashtëm, Frank -Walter Steinmeier, tani president i Gjermanisë.
Gjatë kësaj kohe, ai ishte i përfshirë në hartimin e marrëveshjeve të paqes, të cilat synonin t'u jepnin fund luftimeve në Ukrainën lindore, por nuk u zbatuan kurrë.
Ploetner është bërë lajm i ballinave ndërkombëtare, disa muaj nga nisja e luftës në Ukrainë, me deklarimin e tij se Evropa duhet të fokusohet në ruajtjen e marrëdhënieve afatgjata me Rusinë.
Këshilltari i kancelarit gjerman, Olaf Scholz, është në mesin e pesëshes euro-amerikane, të përfshirë në dialogun Kosovë-Serbi.
Së bashku me këshilltarin e presidentit të Francës, Ploetner, vitin e kaluar i propozuan Kosovës dhe Serbisë planin franko-gjerman, atë që tashmë njihet si Marrëveshja e Brukselit.
Një vit nga propozimi i parë, Ploetner së bashku me këshilltarët e presidentit francez Emanuel Macron, atë të kryeministres italiane, Giorgia Meloni e emisarët e SHBA-së e BE-së, Gabriel Escobar e Miroslav Lajcak, sollën një plan të ri, detajet e të cilit nuk janë shpalosur ende.