Imer Mushkolaj, analist politik, ka thënë se mosarritja e marrëveshjes për koalicion mes VV-së dhe LDK-së, nuk është aspak befasi.
Kjo pasi, siç thotë Mushkolaj në Interaktiv të KTV-së, ka qenë e pritshme që kur në negociata për bashkëqeverisje ky hyrë edhe posti i presidentit.
“Për mua nuk është befasi, sepse s’ka qenë befasi që nga momenti kur është futur posti i presidentit në këto negociata. I kujtojmë deklaratat e Kurtit dhe të LDK-së se do të krijohet shpejtë qeveria, por kur Mustafa vendosi ta vë në tavolinën e negociatave edhe postin e presidentit, gjërat e komplikuan”, tha Mushkolaj.
Tutje, ai tha se publikimi i detajeve të takimeve të mbyllura për media nga ana e kreut të VV-së, Albin Kurti, nuk është në rregull dhe se një marrëveshje e tillë duhet respektuar nga të dyja palët.
“Rregullat që mund të vendosen brenda partive politike për negociata duhen respektuar, që të mos hidhen në publik detajet, por sot Kurti e bëri këtë në kuadër të transparencës për të treguar për votuesit e vet se çfarë ka ndodhur gjatë kësaj kohe”, deklaroi analisti Mushkolaj.
Ai thotë se dështimi u takon të dyja partive pasi LDK-ja vazhdimisht ka thënë se dallimi me VV-në në vota është shumë i vogël.
“Situatën e sotme e shoh si dështim të dy partive politike sepse i kanë pasur 80 ditë në dispozicion, dhe, edhe pse thoshin se janë të gatshëm, sot u tha se koalicioni deri më tani ka dështuar. Është një fije shprese që të bëhet diçka deri në seancën e nesërme. Përgjegjësinë dhe fajin duhet ta mbajnë të dyja pikërisht pse LDK-ja ka thënë vazhdimisht se dallimi me partinë e parë është shumë i vogël, prandaj përgjegjësia duhet të jetë edhe e saj. Nëse LDK kërkon që të ketë gjysmën e pushtetit dhe presidentin, atëherë si mund të jetë përgjegjësia e vetëm një partie? Po të donte LDK-ja të lahej nga përgjegjësia, do të duhej të mos e fuste postin e presidentit në këtë marrëveshje”, u shpreh ai.
Mushkolaj thotë se edhe në negociatat VV-LDK ka pazare, por tha se është i prirë t’u besojë deklaratave publike të politikanëve.
“E kemi premtimin publik të Vjosa Osmanit që ka thënë se posti i presidentit s’duhet të hyjë në negociatat për bashkëqeverisje. Edhe Mustafa ka thënë se posti i Presidentit nuk do të jetë pengesë për bashkëqeverisje, por pikërisht ky post po del të jetë pengesa e bashkëqeverisjes”, deklaroi Mushkolaj.
“Ende ka hapësirë për marrëveshje. Pamë që tek pjesa për presidentin, Kurti thotë se së pari duhet të kërkohet një kandidat koncensual, por nëse këtë se gjejnë, atëherë LDK-ja ta propozojë një kandidat të vetin, por ta marrë miratimin e VV-së. Kjo ofertë është e pranueshme sepse asnjëra nga këto dy parti, për aq sa dihet, nuk i kanë nga 30 deputetë. Për të propozuar presidentin, grupi parlamentar duhet të ketë së paku 30 deputetë. Aktualisht, ky është një diskutim në ajër, sepse as VV e as LDK s’i kanë nga 30 deputetë. Këto dy parti duhet të gjejnë një kandidat që duhet ta ketë edhe përkrahjen e opozitës, e të mos shkohet siç ka shkuar deri më tani. LDK-ja në dy raste kur ka dalë në vendin e dytë, asnjëherë s’i ka pasur dy postet kryesore në udhëheqje. Kjo është hera e parë që LDK-ja, si parti e dytë, i kërkon dy postet kryesore. Kjo, unë besoj, po bëhet për akomodim të interesave personale. Se si i ka bërë hesapet LDK-ja, më së miri e di Mustafa dhe të tjerët rreth tij”, tha ai.
Mirëpo, Mushkolaj shtoi se është mirë që në negociatat për bashkëqeverisje të futet edhe posti i presidentit pasi ai do të ‘lirohet’ gjatë mandatit të kësaj qeverie potenciale.
“Nuk është mirë që VV-ja dhe LDK-ja të arrijnë marrëveshje koalicioni pa e pasur një ide se çfarë do të ndodhë edhe me postin e Presidentit. VV asnjëherë s’ka thënë se nuk po ia japim postin e presidentit LDK-së se po e duan për vete”, tha ai.
Mushkolaj: LDK-ja po abuzon me situatën e krijuar, Osmani u përdor si makinë për mbledhje votash
Mushkolaj ka thënë se është skeptik që LDK-ja do të pranonte që të lëshonte Ministrinë e Punëve të Brendshme për të marrë postin e presidentit, siç është shprehur Kurti në ofertën e VV-së.
“Kur u përmend MPB-ja për rokadën me presidentin, jam skeptik se LDK-ja do ta jepte tash, e jam skeptik madje edhe për kohën kur do të zgjidhej presidenti. VV-ja shumicën e votave i ka fituar me kartën e luftimit të krimit e korrupsionit. Mund të konsiderohet si e parëndësishme si ministri, por është tejet e rëndësishme për nisjen e betejës së luftës ndaj korrupsionit. Por mos të harrojmë edhe kompetencat e presidentit. Shohim lidhje direkte të fushëveprimtarisë mes tyre”, ka thënë ai.
Sipas tij, përshtypja në opinion se LDK-ja e ka prishur marrëveshjen, “s’është e rastësishme”.
“Po thonë se po krijoni presion te qytetarët që të bëhet opinion i tillë, por qytetarët dinë të vlerësojnë. Ata e kanë votuar zonjën Vjosa Osmani si kandidate për kryeministër dhe ajo e ka fituar këtë numër të votave. Me një kandidat tjetër s’besoj se do të arrinte këtë numër votash. Pse? Sepse ajo ishte e qartë në deklarimet se do të bëjë koalicion vetëm me VV-në dhe VV-ja vetëm me LDK-në. Morën votat me këtë premtim. LDK-ja po abuzon me situatën që është krijuar. ‘Rastësia’ ka sjell që LDK-ja të jetë ndër alternativat për qeverisje. Ka qenë parti që ka qenë në pushtet, ka akuzuar PDK-në për krime ndaj anëtarëve të vet e ia ka siguruar një mandat presidenti Hashim Thaçi, ka përgjegjësi për trashëgiminë politike në vend, por ata vendosën me mjeshtëri që Osmanin ta bëjnë kandidate, shto këtu premtimet me VV-në dhe janë këtu ku janë”, ka deklaruar ai.
Sipas Mushkolajt, LDK-ja ka përdorur Vjosa Osmanin vetëm për të fituar vota.
“Është fakt se LDK-ja në një formë e ka përdorur zonjën Osmani për të fituar vota, natyrisht me vullnetin e saj, dhe kur vjen puna te diskutimet për ndarjen e pushtetit, ajo është në një anë. Tash po e shohim kush e bën politikën në LDK. Ajo po shfaqet rrallë, herë pas here në ndonjë takim. E dimë se çfarë ndodh me qortimin e Agim Veliut. Për fat të keq të votuesve të LDK-së ajo është margjinalizuar. S’e kuptoj pse e pranon këtë rol. S’e kuptoj pse të rinjtë në LDK e pranojnë këtë inferioritet karshi të tjerëve që s’lëshojnë pe për pozita. Ajo u përdor vetëm si makinë për mbledhje votash te LDK-ja. Po shihet kush po flet në emër të LDK-së. Pse Veliu e Haziri flasin tash, e jo ajo që me votat e qytetarëve erdhi në pozitën që do të duhej të kishte. Por ajo u margjinalizua”, ka thënë ai.
Mushkolaj tha se nuk është ide e mençur që të shkohet sërish në zgjedhje, por duhet gjetur zgjidhje për bashkëqeverisje mes VV-së dhe LDK-së.
“Për shkuarje në zgjedhje, s’e dimë disponimin e opinionit, përpos një sondazhi të VV-së. Por, duhet parë gjenezën se ku lindi ky problem. VV-ja vendosi vija të kuqe se nuk do të bëjnë koalicion me asnjë parti përpos LDK-së, kurse LDK-ja vijë të kuqe i kishte vendosur vetëm PDK-së, por as kjo nuk na bind që LDK-ja s’do të bënte koalicion me PDK-në sepse kjo ka ndodhur në të kaluarën. Edhe nëse shkojmë në zgjedhje, do të ishte absurde që të mos kemi një koalicion prapë mes këtyre dy partive. Në mes të pasigurisë së VV-së në kuptimin e numrit të deputetëve që të do fitonte dhe sigurisë së LDK-së se mbase do të jetë ndryshe, humbësja më e madhe do të ishte LDK-ja. Në rast të zgjedhjeve të reja, mund të priten kombinime tjera, kemi një PAN në qeverisje, kemi edhe këto partitë ‘bishta’ që vetëm presin kush çfarë po u ofron. Me 2-3 deputetë ke marrë ministri shumë të rëndësishme, si rasti i AKR-së. Por, unë nuk besoj se është ide e mençur të shkohet sërish në zgjedhje, nevojë ka që të arrihet marrëveshja për bashkëqeverisje dhe për postin e presidentit. LDK-ja duhet të tregojë se përse po e do postin e presidentit dhe MPB-në. Por, nëse LDK-ja nuk lëshon pe dhe VV-ja thotë se kjo është oferta ime e fundit, atëherë zgjedhjet mund të jenë zgjidhje”, deklaroi ai.