Kuvendin e Kosovës përgjatë gjithë vitit e përcollën mungesat e kuorumit, akuzat si dhe sharjet. Nga 170 projektligjet e planifikuara për këtë vit, Kuvendi ka miratuar 110 sosh. Deputetët kanë miratuar disa ligje të rëndësishme si: Ligjin për Pagat, Ligjin për Zyrtarët Publikë, Ligjin për Këshillin Prokurorial e të tjerë. Disa nga ligjet e miratuara tashmë janë kontestuar në Gjykatën Kushtetuese. Raporti: Marigona Brahimi
Mungesa e kuorumit në seanca plenare ka qenë problemi më i madh që ka pasur Kuvendi gjatë vitit 2022, sidomos gjatë sesionit pranveror.
“Presim derisa sa të vijnë edhe tre deputetë, deputetë votues domethënë jo çfarëdo deputeti”, ishte porosia e shpeshtë e kryeparlamentarit Glauk Konjufca.
Deputetët vinin në sallë, nënshkruheshin për mëditje, më pas linin seancën.
Shumë projektligje mbeteshin peng i numrave të pushtetit, të cilët nuk siguroheshin paraprakisht.
E opozita shumicën e herëve ishte e pranishme në seancë, por nuk merrte pjesë në votim.
“Mëditjet juve që nuk po votoni ua kisha hequr më së pari”, kërcënoi Konjufca në një rast.
Me gjithë problemet me kuorumin, Kuvendi ka miratuar 109 ligje nga 170 të planifikuara nga Qeveria.
E që nga fillimi i legjislaturës ka miratuar gjithsej 144 ligje, duke dhënë performancë më të mirë se 5 legjislatura të tjera deri më tash.
Megjithatë, këtij bilanci i kanë paraprirë polemika, përplasje, sharje e ofendime të shumta brenda sallës së seancave plenare.
Ndër aktet më të pahijshme të seancës ishte ai i shefit të deputetëve të PDK-së që shau ata të pushtetit.
Të rralla kanë qenë seancat kur kabineti qeveritar të mos polemizonte me Tahirin e të mos ia përmendte shurdhuesen që ia kishte blerë armës së tij gjatë kohës që punonte në Qeveri.
Me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi punë i kishte dalë edhe kreut të LDK-së.
“Kryeministër, të lutem lidhe zëvendëskryeministrin!” qe shprehur në një rast Lumir Abdixhiku.
Hajnia e korrupsioni ishin diskurse të pashmangshme në seanca.
24 vjet pas luftës, deputetët vazhdojnë ta shfrytëzojnë politikisht kontributin që kanë dhënë për lirinë.
Kësisoj u zhvillua edhe debati për rritjen e pagës minimale që përjashtonte nga rritja kategorinë e veteranëve, e cila mes kundërshtish kaloi në lexim të parë, por më nuk është folur për të.
Të shumta ishin përplasjet mes Abelard Tahirit e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Partia në pushtet në Kuvend e përjetoi një episod nostalgjik të të bërit opozitë në stilin e saj.
Këtë rezistencë të opozitës kur po e kundërshtonte formimin e një komisioni hetimor parlamentar, një ish-deputet i Listës Serbe u kujdes që ta regjistronte në telefonin e tij.
26.05 Një deputete e PDK-së lexoi një fjalim që si duket e kishte shkruar kohë më parë, meqë ish-ministri i Shëndetësisë, ishte përballë saj në seancë e ajo kërkonte kthimin e tij në Kosovë.
Në mbledhjet e ligjvënësve u dhanë edhe shpjegime astrologjie.
Disa herë këtë vit ishte diskutuar edhe për tërheqjen e një pjese tjetër nga trusti, nismë që ishte marrë nga një deputet, fizioterapeut me profesion.
Kreu i LDK-së i kishte të shumta polemikat me kryeministrin, por edhe me shefen e deputetëve të partisë në pushtet.
Ndërsa diskutimet e kryeministrit me kreun e AAK-së kishin të bënin kryesisht me tradhti a patriotizëm.
“Ju lutem, mos më shisni moral dhe patriotizëm se ju njohim mirë!”, iu drejtua në një rast Kurti.
“Trego çka po bëhet me Rakiqin tënd, njëjtë si ai tjetri është, ti je me të në tavolinë tash”, iu përgjigj kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Një ndër ligjet më të rëndësishme që ka kaluar në Kuvend këtë vit ishte edhe ai për Pagat në Sektorin Publik, për të cilin presion të madh kishte bërë AAK-ja.
Opozita nuk e kursente gjuhën kur në debat ndërhynte ministri i Financave, Hekuran Murati.
Kryeministri pati një përgjigje për këshillat e ambasadorëve për situatën në veri.
I pashmangshëm në diskutim ishte edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe rikujtimi herë pas here i mënyrës se si Kurti e kishte kundërshtuar atë.
Me kryeministrin disa herë, me tone të larta, kishte polemizuar edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.
Në seanca kishte intervenime të kryeparlamentarit kur i nënvlerësohej profesioni.
Që nga marsi Kuvendi nuk ka arritur ta miratojë në lexim të parë Projektkodin civil të sponsorizuar nga Ministria e Drejtësisë, për shkak të kundërshtive që ia kishin bërë disa deputetë të pushtetit.