Ministria e Shëndetësisë nuk ka arritur t’i shkruajë vetë dhe saktë as detyrat e saj kryesore. Javë me parë ky institucion ka ndërruar përmbajtjen e faqes. Ka shkruar për 16 aspektet kryesore që i trajton. Të gjitha janë të kopjuara shkronjë për shkronjë nga një Rregullore e UNMIK-ut e vitit 2002. Po ashtu gjysma e objektivave të përfshira nuk kanë të bëjnë me shëndetësi. Objektiva e lejeve mjedisore, planifikimit hapësinor, ndotjes industriale janë kopjuar nga Rregullorja e UNMIK-ut e para 2 dekadave për Ministrinë e Mjedisit dhe janë përfshirë në vitin 2023 në faqen e MSH-së
Shëndetësia publike po menaxhohet pa një plan konkret publik se çfarë do të bëhet brenda këtij mandati. Një dokument të tillë nuk mund ta gjesh në faqën zyrtare të këtij institucioni edhe rreth 3 muaj pas emërimit të ministrit Arben Vitia.
Por deri në orën 15:00 të së mërkurës, përveç mungesës së planit konkret, ky institucion nuk i dinte as detyrat e veta si ministri.
Faqja e ndërruar së fundi te fushëveprimi kishte shënuar 16 pika të fokusit të saj. Të gjitha ishin plagjiaturë fjalë për fjalë nga një rregullore e UNMIK-ut që mban datën 4 mars të vitit 2002, e që ishte e nënshkruar nga Michael Steiner, ish-përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm.
Kopjimi i detyrave të Ministrisë së Shëndetësisë në vitin 2023 nga Rregullorja e UNMIK-ut, e nënshkruar 21 vjet me parë, është lehtë e verifikueshme.
Nëse ky tekst kopjohet nga faqja e Ministrisë së Shëndetësisë dhe pastaj kërkohet në internet, dokumenti i parë që shfaqet është kjo rregullore e dy dekadave më parë.
Renditja e pikave po ashtu është identike.
Në pikën 1, në faqen e MSH-së, thuhet: MSH krijon politikën dhe implementon ligjet e një sistemi jodiskriminues dhe të përgjegjshëm për kujdesin shëndetësor
Identik formulimi është edhe në Rregulloren e UNMIK-ut.
Por, përveç “vjedhjes” së objektivave të shëndetësisë, Ministria e Shëndetësisë nga UNMIK-u ka kopjuar edhe objektivat e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Mjedisor të vitit 2002, duke i paraqitur ato si aspekte që mbulohen nga institucionet shëndetësore.
Kësisoj, në faqen e saj, MSH-ja shkruan që “merret me ujërat, mjedisin, biodiversitetin, planifikimin hapësinor, transferimin e teknologjive të pastra e shumë aspekte të tjera, që nuk kanë fare lidhshmëri me shëndetësinë.
Në pikën 15 të faqes së MSH-së thuhet: Ministria e Shëndetësisë siguron inkorporimin e planit hapësinor mbarëkosovar në politikën dhe programet e Qeverisë dhe mbikëqyr implementimin e tyre nga autoritetet përkatëse;
Formulim identik është edhe në Rregulloren e UNMIK-ut.
Ministria e Shëndetësisë, sipas asaj që i shkruan në faqen zyrtare, do të merret edhe me ndikimin industrial në ekonomi.
MSH-ja monitoron dhe konstaton gjendjen e mjedisit, në veçanti ndikimin e veprimtarisë industriale, të shërbimeve publike dhe të veprimtarisë ekonomike, meqë ndërlidhen me mbrojtjen e mjedisit.
Formulim identik është edhe në Rregulloren e UNMIK-ut, por aty specifikohet që kjo objektivë është e Ministrisë së Ambientit.
KOHA për këtë çështje ka dërguar pyetje te kabineti i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe zyrtarë të administratës. Ata nuk janë përgjigjur. Pasi kanë pranuar pyetjet, kanë fshirë nga faqja përmbajtjen e kopjuar nga UNMIK-u.