Krizë e re në fushën e tenderëve do të shkaktohet në Kosovë në rast se Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet deri në fundin e marsit.
Organi Shqyrtues i Prokurimit, i njohur si Gjykata e Tenderëve, në fund të muajit të ardhshëm do të mbesë pa bord, pasi që 3 anëtarëve të këtij institucioni u skadon mandati.
Anëtarët e OShP-së zgjidhën nga Kuvendi i Kosovës.
Agon Hysaj, hulumtues në Demokraci Plus, ka thënë se në rast së zgjedhja e anëtarëve të këtij institucioni dështon të bëhet deri në fundin e muajit të ardhëm, atëherë institucionet rrezikojnë të nënshkruajnë edhe kontrata të dëmshme e me çmime më të larta.
“Roli i OShP-së është që të marrë vendim për pretendimet ankimore dhe ka rastisur që si rezultat i vendimeve të OShP-së, autoriteti kontraktues ka nënshkruar kontratë me operatorin me çmim më të ulët”, ka thënë Hysaj.
Konstituimi i Kuvendit pas zgjedhjeve zakonisht zgjat disa javë.
Pas zgjedhjeve të vitit 2019, konstituimi i Kuvendit pati vonuar rreth 50 ditë.
Nisma për emërimin e anëtarëve të rinj të OShP-së iniciohet nga Qeveria, megjithatë në këtë rast procedura ka filluar duke shkelur afatet ligjore që përcakton Ligji i Prokurimit Publik.
Zyra e Kryeministrit e ka publikuar konkursin më 26 janar, ndërsa ligji specifikon që procedurat duhet të nisin 90 ditë para përfundimit të mandatit të Bordit të vjetër.
“Qeveria i propozon Kuvendit së paku dy kandidatë për pozitën e lirë të kryetarit të OSHPsë dhe së paku dy kandidatë për secilën pozitë të lirë të anëtarëve të OSHP-së, të paktën nëntëdhjetë (90) ditë para skadimit të mandatit të kryetarit dhe anëtarëve aktualë. Kuvendi emëron kryetarin dhe secilin anëtar të OSHP-së, bazuar në rekomandimin e dhënë nga një organ përzgjedhës i pavarur. Organi përzgjedhës i pavarur interviston, vlerëson dhe klasifikon me pikë kandidatët bazuar në meritë. Kuvendi emëron kandidatët me pikët më të larta për pozitën e kryetarit dhe për secilën pozitë të lirë të anëtarëve të OSHP-së”, thuhet në Ligjin e Prokurimit Publik.
Por pavarësisht se konkursi është hapur e mbyllur, ai nuk mund të procedohet as në fazën e parë. Kjo për shkak që Kuvendi po ashtu është përgjegjës për emërimin e anëtarëve të komisionit për intervisitimin e selektimin e kandidatëve që do të shkojnë me pas për votim tek deputetët.
Ligji specifikon që duhet të jenë anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, por që zgjedhja e tyre nuk mund të bëhet pa Kuvend funksional.
“Organi përzgjedhës i pavarur, sipas paragrafit 2 të këtij neni, themelohet nga Kuvendi dhe përbëhet prej tre (3) gjyqtarëve të emëruar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës”, thuhet në kë ligj.
Një situatë e tillë është përsëritur edhe dy herë të tjera në Kosovë. Institucionet publike kanë nënshkruar kontratat me gjithë shkeljet e pretenduara, ndërsa pasi është bërë Bordi funksional ishte vendosur që rastet ankimore kur institucioni ishte pa bord të mos shqyrtoheshin.
Bordi i OSHP-së ligjërisht ka 5 anëtarë, të cilët kanë mandat 5-vjeçar. Ky i fundit pothuajse gjithë kohën ka funksionar pa përbërje të plotë. Në 2017, dy anëtarë të OShP-së ishin suspenduar për shkak së ishin akuzuar për korrupsion, ndërsa zëvendësimi i tyre nuk u bë. Vendimmarrja për rreth 400 milionë euro për 4 vjet mbeti vetëm tek 3 anëtarë.