Mjekë të QKUK-së, po pretendojnë se një vendim administrativ i SHSKUK-së ka shkaktuar vdekje në Klinikën e Kardiologjisë.
Një studim i kardiologut Gani Bajraktari, i bërë së bashku me studentët e tij, ka nxjerrë një përfundim se gjatë dy viteve të fundit, numri i vdekjeve intra hospitalore nga infarkti akut i miokardit, është rritur për 15% në këtë klinikë, raporton KTV.
Krejt kjo situatë, sipas kardiologut Bajraktari, ka ndodhur kur dy vjet më parë u mor vendimi për ndarjen e njësisë së Kardiologjisë Invazive nga Kardiologjia dhe bartja e saj te Kardiokirurgjia.
Shqetësimeve se vdekjet janë rritur për shkak të ndarjes së klinikës, i janë bashkangjitur edhe kardiologë të tjerë, të cilët, përmes nënshkrimeve të tyre në 4 letra të ndryshme dërguar ministrit të Shëndetësisë dhe Bordit të SHSKUK-së, i kanë dhënë sqarimet se përse nuk duhet njësia e Kardiologjisë Invazive të ndahet nga Kardiologjia.
Për këto pretendime, QKUK ka vendosur të heshtë, madje edhe të pengojë ekipin e KTV-së për të xhiruar brenda klinikës.
Përkundër insistimit dhe kërkesës së KTV-së për të xhiruar brenda hapësirave te Klinikës së Kardiologjisë dhe për të biseduar me mjekët e kësaj klinike, drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, nuk ka lejuar ekipin që të xhirojë brenda hapësirave të QKUK-së dhe nuk ka lejuar mjekët që të flasin para kamerës për këtë shqetësim të ngritur.
Përmes një përgjigjeje me shkrim, SHSKUK pretendon se modeli i funksionimit në këtë formë ka pasur sukses.
“Dy vitet e kaluara, rezultatet dëshmojnë se organizimi i tillë është tejet funksional. E mjaftueshme është të shikohen pagesat e qytetarëve tanë, vite më parë në institucione private jashtë dhe brenda vendit (nga buxheti i shtetit, si dhe ai familjar), për sëmundjet e sistemit kardiovaskular – duke krahasuar me vitin e kaluar”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.
Përpos Bajraktarit, edhe mjeku tjetër Artan Ahmeti, ka tentuar të kuptojë shkaqet e numrit të madh të vdekjeve në Kardiologji.
Ai thotë se është penguar ta kryejë këtë studim shkencor .
“Shqetësimi dhe reagimi i 95% të Kardiologëve të QKUK-së, ka qenë që nga orvatjet e para të ndarjes së njësisë së Kardiologjisë Invazive. Këtë e kanë treguar studimet e bëra, edhe pse mua nuk më është lejuar nga drejtori aktual i Klinikës së Kardiologjisë studimi i kësaj dukurie (edhe pse jam asistent i rregull i Fakultetit të Mjekësisë si dhe doktor i Shkencave Mjekësore – Dr.sci)”, ka thënë Ahmeti për KTV-në.
Ai pretendon se ka bazë për dyshime në këtë rast.
“Me qindra indikacione për koronarografi të indikuara nga Klinika e Kardiologjisë, refuzohen nga kardiologët që punojnë në KI, qoftë edhe nga ata që janë në trajnim aty, kurse indikacionin e ka vendosur kardiologu që punon në njësi koronare mbi 30 vjet. Shkëputja e komunikimit të “Heart team”, kur pacienti hospitalizohet në Klinikën e Kardiologjisë, stentohet në Kardiologji Invazive, kthehet prapë në Klinikën e Kardiologjisë”, thuhet në përgjigjen e kardiologut Artan Ahmeti.
Ndërsa, Oda e Mjekëve të Kosovës, pas ankesave të bëra nga kardiologu Gani Bajraktari, ka nisur hetime për tri raste të dyshimta të vdekjeve që kanë ndodhur në QKUK.
E, në këtë mes, kjo Odë ka kërkuar edhe ndihmën e Inspektoratit Shëndetësor.
“Për të tria ankesat të cilat janë parashtruar, Prokurori i Odës i ka hetuar këto raste. Për njërën nga këto ankesa, për shkak të pretendimeve ankimore, nevojitet ekspertizë profesionale, për të cilën jemi në pritje – pra çështja është ende në procedurë. Ankesa tjetër është hedhur si e pabazuar, sipas vlerësimit të Prokurorit të Odës. Çështja e tillë tani është duke u trajtuar pranë Këshillit Etik. Kurse, për ankesën e tretë, e njëjta është hedhur për shkak të kalimit të afatit të parashkrimit, bazuar në normat e Statutit të OMK-së”, thuhet në përgjigjen e kryetarit të Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu.
Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë, përmes një përgjigjeje të shkurtër, ka thënë se ndarja e klinikave është bërë para kësaj qeverisjeje dhe tani janë në proces ndryshimet në statut të SHSKUK-së.
Derisa ka theksuar se Bordi i SHSKUK-së vendos për organizimin e SHSKUK-së, pjesë e së cilit është shërbimi i Kardiokirurgjisë dhe Klinika e Kardiologjisë.
KTV-ja ka kërkuar sqarime edhe nga kryetari i Bordit të SHSKUK-së, por ai nuk u është përgjigjur thirrjeve të televizionit.