Frika nga hakmarrja, mungesa e besimit në sistemin gjyqësor si dhe mungesa e rezultateve konkrete nga luftimi i korrupsionit, janë disa nga arsyet, të cilat shtyjnë bizneset private të mos i raportojnë rastet e korrupsionit.
Sipas një studimi mbi perceptimin e korrupsionit të kryer nga Oda Ekonomike Amerikane dhe Programi i Aktivitetit të Drejtësisë Komerciale të USAID-it del se vetëm 22 për qind e bizneseve i kanë raportuar rastet e korrupsionit, raporton KTV.
Studimi, po ashtu, gjen se 42% e bizneseve besojnë se korrupsioni ka shënuar rritje krahasuar me pesë vjet më parë, me rritje të dyfishtë krahasuar me studimin e vitit të kaluar.
Ndërsa, format më të pranishme të korrupsionit janë mosdeklarimi i konfliktit të interesit dhe ryshfeti.
Zyrtarë të USAID-it thonë se objektiva kryesore e këtij programi është zvogëlimi i mundësive për korrupsion dhe përmirësimi i perceptimit të korrupsionit te bizneset dhe qytetarët.
“Aktiviteti për drejtësi komerciale ka për qëllim t’i zvogëlojë mundësitë për korrupsion dhe ta përmirësojë perceptimin e bizneseve dhe të qytetarëve ndaj korrupsionit. Duke e përmirësuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare brenda dhe jashtë gjykatave, duke zbatuar gjykimet e nxjerra dhe duke ndërtuar ndërgjegjësimin publik, krijohet një Kosovë ku ka vend për sundim të ligjit”, ka thënë Chris Thompson, shef i Programit Drejtësia Komerciale.
Derisa shkalla e korrupsionit real vazhdon të jetë e lartë dhe shqetësuese.
Studimi më tutje nxjerr në pah se 72 për qind e bizneseve të anketuara e konsiderojnë korrupsionin si çështje që kërkon trajtim të menjëhershëm, prej të cilëve 47%, e perceptojnë si sistematik, derisa 33% të respondentëve e perceptojnë si sporadik.
Derisa dy të tretat e pjesëmarrësve në hulumtim shprehen se sundimi i dobët i ligjit inkurajon korrupsionin.