Arbëri

Me lëmoshë e borxhe, sigurohen barnat për fëmijët

*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani”!

Problemi kryesor me të cilin përballen pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali e egjiptian sa herë shkojnë në institucione publike shëndetësore, është mungesa e barnave bazike. Ata tregojnë se shpesh kërkojnë lëmoshë ose hyjnë borxh, kur u sëmuren e fëmijët. E, nëse nuk gjejnë para për barna apo për mjekim në institucione private, thonë se ua ndërpresin trajtimin fëmijëve

Parimi i qasjes së barabartë në shëndetësi bazuar në ligj, shembet sa herë grupet etnike të diskriminuara, kërkojnë shërbime në spitalet publike.

Atyre u drejtohen vetëm kur kanë emergjencë shëndetësore. Një pjesë tjetër të sëmundjeve i trajtojnë në kushte shtëpie ose nuk i trajtojnë fare.

Egzona Miftari është nënë e 5 fëmijëve. Sfidë më të madhe ajo e ka sigurimin e ilaçeve që shpesh nuk i gjen falas në institucionet publike të shëndetësisë. Kur nuk ka mjaftueshëm para për t’i siguruar, detyrohet të kërkojë lëmoshë.

“Shkoj rrallë valla. Nuk shkoj ashtu shpesh. Edhe kur po është me rrezik, ilaçet po mi blejë, me së shumti. Po duhet krejt me pare. Që i blen mirë, që jo bon çka të duash”, thotë ajo. “Unë kur nuk kam, dal lypi për fëmijë, për ilaçe”. 

Miftari nuk është ankuar ndonjëherë në institucionet shëndetësore. Blerjen e barnave e konsideron si çështje që duhet siguruar ajo ose familja, dhe jo shteti.

“Jo. Kurrkund nuk ankohemi. Kurrkund”, thotë kjo grua nga Fushë-Kosova. “Normal që t’i qet (mjeku v.j.) ilaçet. Që do me i ble me e shënosh fëmijën tënd, që do jo. Që ki pare mirë, që s’ki pare, send”.
Megjithatë, pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali e egjiptian lavdërojnë punën e mjekëve dhe infermierëve dhe thonë se nuk ndihen të diskriminuar.

Shkaku i mungesës së ofrimit të disa shërbimeve në institucionet e shëndetësisë publike, ata ordinohen në sektorin privat. Por, thonë se nuk kanë mundësi të paguajnë për shërbimet në këtë sektor.

Lulëzim Berisha tregon se ka kërkuar para borxh, për t’ia kryer vajzës një incizim në një ordinancë private.

“Për shembull, po më duhet me ba një incizim. E kam ba për vajzën tash. Ka pasë me ba privat. U duftë me ia ba privat, sepse nuk i kanë. Do i kanë, do nuk i kanë”, ka thënë Berisha. “Valla 30 euro ajo. Mandej hyna në borxh dikun. Ashtu, deri po e marr socialin po duhet me hy borxh diku”. 

Aktivistë të të drejtave të njeriut vlerësojnë se është përgjegjësi e institucioneve qendrore që të gjithë qytetarëve t’u ofrohet qasje e barabartë në trajtimet shëndetësore.

Drejtoresha e Institutit për Hulumtime dhe të Drejtat e Njeriut, Kaltrina Rexhepi-Dragusha, thotë se përgjegjësia duhet ndier veçmas në raport me komunitetet rom, ashkali e egjiptian, që janë të varur nga asistenca sociale.

“Kur të shtohet kjo nevoja e shërbimeve shëndetësore, vizitat në institucione shëndetësore i bëjnë vetëm kur janë të detyruar, për shembull ndonjë temperaturë shumë e lartë te fëmijët e tyre apo problem i madh shëndetësor, e jo vizita sistematike që institucionet tona ta dinë se në çfarë gjendje e kanë popullatën në aspektin shëndetësor”, ka thënë Rexhepi-Dragusha. “Në momentin që një familje shkon në barnatore për një fëmijë, dy fëmijë, minimumi i kostos është 20 euro dhe kjo për ta është një barrë shumë e madhe financiare”.

Në Kosovë aktualisht nuk ka bazë ligjore me të cilën do të kompensohej blerja e barnave që mungojnë në spitaleve publike. Nuk ka as asistencë për pjesëtarët e familjeve në nevojë, e që duhet të blejnë barnat jashtëspitalore për trajtimin e sëmundjeve të caktuara. Një sistem i tillë ka ekzistuar deri më 2017-n, por për shkak të dyshimeve për keqpërdorim, është ndaluar.