Rigjykimi i rastit “53-milionëshi”, ku të akuzuar janë ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, dhe tre ish-vartës të tij, ka nisur me pretendime të mbrojtjes për ndryshime thelbësore në aktakuzë. Prokurori ka mohuar ndryshimet, duke thënë se bëhet fjalë vetëm për plotësime
Rigjykimi në Gjykatën Themelore për rastin e njohur si “53-milionëshi” ka nisur të mërkurën me pretendime të mbrojtjes se aktakuza është ndryshuar në mënyrë thelbësore pas kthimit të çështjes nga Gjykata e Apelit, ndërsa prokurori ka insistuar se është bërë vetëm plotësimi i saj.
Avokati Afrim Salihu, që mbron ish-këshilltarin e ish-ministrit Pal Lekaj, Eset Berisha, kërkoi nga trupi gjykues të drejtën për ta kundërshtuar aktakuzën, duke argumentuar se ajo nuk është plotësuar, por edhe ndryshuar.
“Unë personalisht i propozoj trupit gjykues, që para se të lexohet aktakuza, të na lejohet ta kundërshtojmë aktin akuzues me dispozitat ligjore, ashtu siç e parasheh Kodi nga neni 242, 251, e cila u lejohet palëve në procedurë që në këso rastesh ta kundërshtojnë aktakuzën”, ka thënë Salihu.
Edhe i akuzuari kryesor, ish-ministri Lekaj tha se akti akuzues është ndryshuar e jo vetëm plotësuar.
Prokurori special, Atdhe Dema, tha se aktakuza është plotësuar me kërkesë të Gjykatës, por vepra penale, nenet që pretendohet që janë shkelur e mënyra se si kanë vepruar përshkruhen njëjtë edhe në aktakuzën e përditësuar.
“Nuk kemi të bëjmë me ndryshim të aktakuzës, sepse aktakuza mbetet e njëjtë, por kemi të bëjmë vetëm me plotësim të atyre pikave ku është kërkuar sqarim shtesë”, i është përgjigjur prokurori Dema.
Në janar të vitit 2024, Themelorja i shpalli fajtorë të akuzuarit për korrupsion gjatë projektit të ndërtimit të autostradës “Arbën Xhaferri” dhe i dënoi në total me mbi 10 vjet burgim. Por ish-zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës kishin apeluar aktgjykimin dhe shkalla e dytë u dha të drejtë.
Në seancën e së mërkurës të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm, përveç Berishës, i cili tha se nuk e kupton aktakuzën dhe nuk mund të përgjigjet lidhur me fajësinë, duke argumentuar se nuk ka kompetenca lidhur me Ligjin për Prokurim Publik.
“Unë nga cilësia e këshilltarit politik të ministrit të Infrastrukturës nuk kam pasur kompetenca e as atribute që lidhen me Ligjin e Prokurimit Publik, aq më pak me nenin 1 e 2, qëllimi i Ligjit etj. Unë nuk po e kuptoj, sepse nuk po e gjej veten as në plotësim të aktakuzës”, ka deklaruar ai.
Por prokurori Dema tha se pikërisht mungesa e kompetencave e bën inkriminues rolin e Berishës, pasi, sipas tij ai ka ndikuar në mënyrë të paligjshme në procedurat e prokurimit, madje duke ushtruar presion ndaj ish-drejtorit të Departamentit Ligjor, Avdi Kamerolli, që të japë opinion sipas udhëzimeve të tij.
Avokati Urim Vokshi, që mbron Besim Tahirin, ish-drejtor i Prokurimit në MI, tha se aktakuza është e pabazuar, sepse nenet 1, 2 dhe 3 të Ligjit për Prokurim Publik nuk janë norma detyruese, por përkufizuese.
“Neni 1 e tregon qëllimin e ligjit, ky nen nuk tregon çka duhet bërë, nuk përcakton asnjë obligim për askënd hiç. Tregon çka ka qëllim të bëjë ligji, çka ka qëllim të rregullojë ligji. Ligji çka ka qëllim e rregullon dispozita më poshtë, por jo neni 1. Neni nuk ka mundësi të shkelet, as neni 2 e 3, këto janë përkufizime”, ka thënë Vokshi.
I akuzuar në këtë çështje është edhe ish-sekretari i ministrisë, Nebih Shatri.
Në këtë seancë, palët paraqitën fjalët hapëse për këtë fazë të rigjykimit, duke deklaruar se mbesin prapa qëndrimeve të dhëna gjatë gjykimit në shkallën e parë, por njëkohësisht shtuan edhe vlerësime shtesë në raport me zhvillimet e reja pas vendimit të Apelit.
Autostrada “Arbën Xhaferri”, me gjatësi prej 55 kilometrash, ka kushtuar rreth 600 milionë euro dhe projekti ishte mbikëqyrur nga kompania “Hill International”, e kontraktuar për 8.7 milionë euro si konsulente teknike, financiare dhe ligjore dhe se më herët asnjë pagesë nuk është kryer pa u certifikuar nga “Hilli”.
Rasti i njohur si “53-milionëshi” në shkallën e parë ka marrë epilog më 31 janar të vitit 2024. Sipas aktgjykimit të Themelores, Qeveria ka ndarë 53 milionë euro shtesë për kompaninë “Bechtel & Enca”, e cila i ka realizuar punimet e autostradës Prishtinë–Han i Elezit, duke e injoruar opinionin e “Hill...” që pati konstatuar se duhen paguar vetëm 14 milionë euro si dëmshpërblim kompanisë punëkryerëse për mosalokim të buxhetit konform dinamikës që parashihej në kontratën bazë për kryerje të punëve.
Ky projekt ishte drejtuar nga një Komision Ndërministror, i cili i ka propozuar Qeverisë ndarjen e 38 milionë eurove më shumë sesa vlera e rekomanduar në opinionin e “Hillit”. Megjithatë, Lekaj akuzohet se këtë opinion nuk ia kishte vënë në dispozicion Komisionit.
Vite më parë KOHA pati publikuar opinionin e kompanisë “Hill”, i cili nuk i është prezantuar Komitetit e më pas as hetuesisë. Pas raportimit të KOHËS, hetimet mbi rastin janë intensifikuar dhe në shkurt të 2022-tës Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë.