Arbëri

MASHTI e shtëpitë botuese paraqitën çmime të ndryshme për librat me ato në dokumente zyrtare

Ofertat financiare të shtëpive botuese që Ministria e Arsimit i ka deklaruar në publik për tenderin, i cili u bë shkaktari që nxënësit filluan vitin shkollor pa libra, kanë mospërputhje me të dhënat në dokumentet zyrtare që KOHA i ka siguruar përmes kërkesë për qasje në to. Rekorde me çmime janë shënuar në librat e komuniteteve. Libri “Gjuha boshnjake”, i cili nga Ministria u tha se është ofertuar 30 euro, sipas dokumenteve zyrtare oferta për të ka qenë 40 euro, ndërsa libri përcjellës për këtë lëndë ka pasur vlerën prej 30 eurosh, në total 70 euro për një lëndë.

Pesë oferta financiare të shtëpive botuese i pati publikuar Ministria e Arsimit kur mori vendimin për anulimin e tenderit për blerjen e teksteve shkollore.

Çmimet e ofertave që i ka publikuar zëvendësministri Taulant Kelmendi nuk janë në përputhje me dokumentet zyrtare që KOHA i ka siguruar përmes kërkesës për qasje në to.

Postimi i Kelmendit më 22 gusht:

“Këtë vit kemi pranuar oferta të paarsyeshme:

- Libri "Shoqëria dhe mjedisi 3" është ofertuar 27,00 euro.

- Libri "Fizika 9" është ofertuar 18,00 euro

- Libri "Matematika 4" është ofertuar 17,50 euro

- Libri "Matematika 3" është ofertuar 12,00 euro

- Libri "Gjuha boshnjake" është ofertuar 30,00 euro”

Sipas dokumenteve zyrtare, oferta për një libër të lëndës “Shoqëria dhe Mjedisi 3” ka qenë 5 deri në 7 euro, e nga Ministria është thënë se çmimi ka qenë 27 euro.

E çmime rekorde janë shënuar në librat për komunitetin turk dhe boshnjak. 

Ministria ka deklaruar se libri “Gjuha boshnjake” ka kushtuar 30 euro, ndërsa sipas dokumenteve zyrtare të këtij institucioni, 40 euro ka qenë oferta për këtë libër nga shtëpia botuese “Albas”. E, 30 euro ka kushtuar libri përcjellës, në total 70 euro për një lëndë.

Këto oferta i kanë mohuar përfaqësues të këtij biznesi.

“Librin në fjalë, pra në ofertën e fundit, e kemi ofertuar në Ministri me çmim 18.75 për një tirazh 200 e diçka kopje, jo siç po thoni ju”, thuhet në përgjigjen e “Albasit”.

E zëvendësministri Kelmendi tha se çmimet e publikuara kanë qenë ilustrim për të treguar ofertat që i kanë pranuar në fazat e negocimit këtë vit dhe ato paraprake.

““Ne i kemi publikuar disa çmime për ta ilustruar fenomenin e çmimeve të larta në ofertat e shtëpive botuese në fazat e negocimit të çmimeve nga praktikat e kaluara dhe çmimet që i kemi pranuar nga disa shtëpi botuese edhe në këtë vit. Meqë ju tashmë i keni dokumentet, mund të gjeni edhe oferta të tjera të larta dhe të paarsyeshme”, u shpreh ai.

Për shpërputhjen e të dhënave të shtëpive botuese dhe të Ministrisë me dokumentet zyrtare, Zyra Kombëtare e Auditimit tha se është në fillim të procesit të planifikimit dhe të përcaktimit të objektivave të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë për MASHTI-n.

Oferta me çmime të përafërta si “Albasi” për nxënësit e komunitetit boshnjak dhe turk ka dorëzuar edhe shtëpia botuese “Libri shkollor”, ku një tekst për gjuhën turke është ofertuar 25 euro.

E shtëpia botuese “Berati” ka ofertuar 3 libra për këto komunitete me çmime 18-19 euro.

Nga shtëpia botuese “Dukagjini”, oferta më e shtrenjtë ka qenë në vlerë prej 8.50 eurosh për matematikën në gjuhën boshnjake.

E pasi tenderi dështoi, shtëpitë botuese i dhanë falas librat për nxënësit e komunitetit turk dhe boshnjak.