Kushtet e punës për personat përgjegjës të caktuar për rastet e sinjalizimit nuk janë të përshtatshme, edhe pse legjislacioni e kërkon një gjë të tillë.
Shumë prej këtyre zyrtarëve, punojnë në zyra, ku qasja e sinjalizuesve është e vështirë për shkak të kamerave dhe prezencës së shumë personave, të cilët mund të mësojnë për rastet e tyre, raporton emisioni “Tempus” në KTV.
Ndërsa, prej hyrjes në fuqi të Ligjit në dhjetor të vitit 2018, ende nuk ka pasur trajnime për personat e caktuar për sinjalizim.
Mirlinda Maliqi-Vatovci është zyrtare për barazi gjinore, mundësi të barabarta dhe të drejta të njeriut në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës. Ajo është caktuar edhe zyrtare përgjegjëse për rastet e sinjalizimit në këtë institucion, i cili ka rreth katërmijë të punësuar. Sfidat në zbatimin e ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve, sipas saj, janë të shumta.
“Edhe pse kam kërkuar të trajnohem, domethënë ju kom shkruar email zyrtarëve, Agjencisë Kundër Korrupsionit, nuk kemi pasur ndonjë trajnim adekuat për pozitën që e kemi edhe për punën që na e bëjmë. Mirëpo, mundohemi domethënë në kuadër të Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve. Domethënë, të gjitha detyrat mundohem me i përmbushë duke i lexuar nenet e ligjeve, deri ku mundem, deri ku s’mundem. Mirëpo njerëzit, diçka mu po më duket ose stafi kanë filluar goxha me u vetëdijësu në këtë drejtim. Por, takimet nuk mbahen në zyrë, po zakonisht jashtë zyrës”, deklaroi e njëjta, duke shtuar se takimet mbahen jashtë zyrës pasi sinjalizuesit duan të jenë gjithmonë konfidencial. Kjo pasi ajo tha se në objektin e tyre ka kamera nga kati i parë e deri në katin e dytë.
Tutje, Maliqi-Vatovci tha se vitin e kaluar i ka pasur 136 raste, të cilat tha se vet i ka përcaktuar se janë sinjalizime në bazë të asaj që ka ditur duke e lexuar ligjin.
Zyrtarja përgjegjëse për sinjalizim ka një kërkesë elementare për ta ushtruar detyrën e saj me përgjegjësi.
“Me të thënë të drejtën, më së pari një trajnim adekuat, taman trajnim adekuat. Se sado që e shfleton ligjin, sado që e këqyr ligjin, është krejt tjetër kur ti taman e ki trajnimin, taman je e trajnuar për këtë. Ti mundohesh për shembull me mish e me shpirt mos mi këqyrë as oraret e punës taman deri në sa e ki, me dal, me u taku me sinjalizuesin, me ba zgjedhje. Mirëpo, nëse është trajnimi taman edhe sinqerisht e parasheh edhe atë orarin e punës edhe krejt, se s’di a po më kupton, qetu është problematika. Ti faktikisht e ki vendim shtesë, si punë shtesë e ki, mirëpo aty nuk ceket as orari i punës as kurrgjë. E këto janë goxha të rënda, domethënë goxha një problem që sinqerisht duhet me u trajtua pak ma me seriozitet prej institucioneve përkatëse, për mendimin tim”, ka thënë ajo.
Në fund, e njëjta bëri të ditur se ka pasur edhe raste të kanosjes apo kërcënimeve, jo fizikisht, por siç tha ajo “selame”.