Arbëri

Mala: Kishat dhe manastiret në Kosovë kanë qenë të sigurta pikërisht falë shqiptarëve

Historiani Muhamet Mala ka thënë në Express të KTV-së se kishat dhe manastiret në Kosovë kanë qenë më të sigurta se në tërë Jugosllavinë e dikurshme, duke e përmendur rolin e shqiptarëve në këtë mes.

“Kishat dhe manastiret në Kosovë kanë qenë më të sigurta se kudo në hapësirat e ish-Jugosllavisë pikërisht falë shqiptarëve”, ka thënë ai.

Ai njëkohësisht ka potencuar se në kuptimin ligjor, trashëgimia kulturore duhet të listohet si e Kosovës, teksa ka folur për trashëgiminë ortodokse.

"Trashëgimia kulturore edhe me ligjin ndërkombëtar është e rregulluar në atë mënyrë që UNESCO për shembull, trashëgiminë kulturore e liston në bazë të shteteve, e jo në bazë etnike", ka ai.

Mala, profesor i historisë, po ashtu e ka sqaruar se përse duhet të bëhet një gjë e tillë.

"Edhe në ligjin për mbrojtjen e zonave të veçanta edhe tek Ahtisaari është potencuar si trashëgimi ortodokse, pra kishat ortodokse, manastiret ortodokse serb. Në fakt, sikur të listoheshin në aspektin etnik të gjitha objektet e trashëgimisë, atëherë s'do të ishte e drejtë, pasi që secili do ta kërkonte hisenë e vetë në këtë kuptim", ka thënë ai.

Kësisoj, sipas tij, për t'u ikur këtyre elementeve, është dashur që në aspektin ligjor të potencohej një gjë e tillë.

"Ato duhet të jenë edhe të Kosovës... duhet të jenë të shtetit të Kosovës", ka thënë ai.

Ai ka shtuar se kuptimi që ia jep potencimi "serbe" bën që, sipas tij, serbët së shpejti të kërkojnë ekstraterritorialitet për to.

"Edhe sot, kur flitet për manastiret ortodokse serbe, mendohet se është diçka e lidhur me Serbinë", ka thënë ai.

Mala ka vazhduar se vetë fakti që një objekt e fiton statusin e një objekti të trashëgimisë kulturore, nuk duhet të jetë i njëngjyrshëm.

"Ai bëhet objekt i vizitave, objekt i studimit... Ne këto manastire nuk i kemi studiuar sa duhet, në të vërtetë është bërë një monopol prej Serbisë dhe ajo nuk ka dhënë leje për një analizë të mirëfilltë. Prandaj, në momentin kur ato e fitojnë pozicionin e një objekti të trashëgimisë kulturore duhet të vlerësohen këto aspekte", ka thënë ai.

Mala po ashtu ka thënë se kur është në pyetje ligji për mbrojtjen e zonave të veçanta janë bërë shkelje të mëdha, që vazhdojnë ta pamundësojnë funksionalizimin normal të Kosovës.

"Mandej edhe elementet që janë bazë për trashëgiminë kulturore, që është vizita, afirmimi e të tilla, në njëfarë mënyre janë të kufizuara me këtë ligj dhe kësisoj, ne duke e bërë një diskriminim pozitiv, jemi duke e bërë zhvlerësimin e tyre", ka thënë ai.

Ai ka thënë se Serbia e ka shfrytëzuar rastin e ndërtimit të rrugës Deçan-Plavë për ta problematizuar çështjen.

"Ne kemi deklaruar edhe më herët që tentimi i Serbisë në këtë rast është harmonizuar me hapat politikë, në kohën kur pritej marrëveshje në Ëashington", ka thënë ai.

“Si beson që do të gjendet një mundësi për bërjen e rrugës së Deçanit.”Ajo rrugë do të ishte në interesin edhe të vetë kishës... do të ishte njëfarë infuzioni në atë rajon”, ka thënë ai.