Arbëri

Ligji për zyrtarët publikë mund të përfundojë në Kushtetuese

Kryesia e Kuvendit ka vendosur që të enjten në seancë të shqyrtohet në lexim të dytë Projektligji për pagat dhe ai për zyrtarët publikë. Në AAK kanë thënë se për t’i dhënë mbështetje draftit të Ligjit të Pagave kanë disa kushte. Nga kjo parti paralajmëruan se Projektligjin për zyrtarët publikë do ta atakojnë në Kushtetuese, nëse miratohet më 22 dhjetor. Shefat e grupeve parlamentare pas mbledhjes kanë reaguar ndaj dënimit me 26 vjet burgim të ish-luftëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa

Opozita ka paralajmëruar se Projektligji për zyrtarët publikë i sponsorizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme mund të shkojë në Gjykatë Kushtetuese, nëse miratohet në seancën e 22 dhjetorit. Për përmbajtjen e tij, opozita ka pasur vërejtje të shumta edhe gjatë trajtimit në Komisione, por edhe në seancë. Në po të njëjtën ditë, më 22 dhjetor, në lexim të dytë synohet që të miratohet edhe Projektligji i pagave, meqë kështu ka vendosur të premten Kryesia e Kuvendit. Projektligji i pagave në parim është mbështetur edhe nga deputetët opozitarë me përjashtim të atyre të LDK-së, por me kushtin që të bëhen ndryshime në mes të dy leximeve.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit që u mbajt të premten, shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, teksa bëri të ditur se Projektligjin për zyrtarët publikë do ta kontestojnë në Gjykatën Kushtetuese, tregoi për kushtet e partisë së tij për mbështetjen e Ligjit të pagave.

“Ligji për zyrtarët publikë, drafti siç është, nëse kalon gjithsesi se do të shkojë në Gjykatë Kushtetuese sepse është e padrejtë të ndodhë një goditje kaq e madhe ndaj shërbyesve civilë. Sa i përket Ligjit të pagave, ne i kemi dy qëndrime. E para, vlera e koeficientit duhet të jetë 129 euro, ndërsa hyrja në fuqi duhet të ndodhë, më 1 shkurt dhe me këtë ligj të mos ketë zbritje të pagave, por të ketë ngritje”, ka thënë Tahiri.

Kryesia në këtë mbledhje nuk e ka trajtuar Projektligjin për pagën minimale. Bëhen gati 6 muaj që ky projektligj nuk është shqyrtuar as në komisionet parlamentare, ani pse miratimin e tij ekzekutivi e kishte cilësuar urgjencë.

Shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila e ka arsyetuar vonesën me reagimet që ka ngjallur ky projektligj kur është miratuar në parim dhe me proceset gjyqësore në të cilat po kalojnë disa kategori të dala nga lufta.

“E dimë se lënda është edhe në Prokurori, kompleksiteti i situatës e ka sjellë në njëfarë forme edhe ngecjen te Projektligji i pagës minimale që gabimisht është lidhur me statusin e kategorive të dala nga lufta për shkak se njëra me tjetrën nuk përkojnë. Ne flasim për trajtimin e pagës në sektorin privat përderisa duhet të pasur trajtim të veçantë dhe në frymë tjetër statusi i kategorive të dala nga lufta”, ka thënë Kusari.

Drafti i ligjit të sponsorizuar nga Qeveria, e kishte shkëputur rritjen e pagës minimale me pensionin e veteranëve të luftës, paraplegjikëve, tetraplegjikëve dhe personave të verbër. Miratimin në parim të këtij projektligji opozita e kishte kundërshtuar në forma të ndryshme brenda seancës, meqë nuk pajtoheshin për përjashtimin e këtyre kategorive. Por, me gjithë kundërshtitë që kishin pasur, për trajtimin e mëtejshëm të draftit të ligjit, KOHA ka raportuar para disa ditëve se opozita nuk ka dorëzuar kurrfarë amendamentesh për t’ia ndryshuar përmbajtjen.

Pas mbledhjes së Kryesisë, drejtuesit e grupeve parlamentare të LVV-së e AAK-së, kanë dhënë komente edhe për aktgjykimin e Gjykatës Speciale, për dënimin e ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa me 26 vjet burgim, çështje për të cilën deputetët e PDK-së nuk deshën të flasin.

“Qëndrimi i Vetëvendosjes në raport me Gjykatën është tashmë i ditur. Është konsideruar si vendim i gabueshëm. VV-ja nuk e ka mbështetur këtë vendim, fatkeqësisht ka qenë grupi I vetëm parlamentar që nuk e ka mbështetur dhe s’ka mundur ta ndalte. Tash janë pasojat e një veprimi i cili ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës. Kështu që pasojat po i bartin të tjetër dhe do t’i bartë edhe vendi”, ka thënë Kusari Lila.

E deputeti Besnik Tahiri u shpreh se lufta e Ushtrisë Çlirimtare ka qenë e drejtë dhe se ai beson që drejtësia për Mustafën do të triumfojë pas apelimit të këtij vendimi të gjykatës, të cilin e quajti absurd.

“Ky vendim duhet të apelohet dhe drejtësia të del në pah. ‘Cali’ dhe gjithë bashkëluftëtarët e tjerë kanë bërë një luftë të drejtë. Për mua dhe gjithë shqiptarët, ky vendim është i paargumentuar. Jam i bindur se drejtësia për Mustafën do të rezultojë që ai do të fitojë në apelim. Ky vendim është absurd”, është shprehur Tahiri.

Për seancën e ardhshme është caktuar edhe një debat parlamentar me dy muaj vonesë, në lidhje me Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2022. Në rend dite do të jetë edhe një marrëveshje ndërkombëtare për Kredi për Programin e Financave Publike dhe Rritjes Ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar. Pritet të mbahet edhe një interpelancë e kryeministrit Albin Kurti, në lidhje me çështjen: ”Siguria juridike e grave në rastet e dhunës në familje dhe përgjegjësia e organeve shtetërore në parandalimin edhe luftimin e krimeve ndaj grave dhe vajzave”, interpelancë që ishte shtyrë që nga 12 dhjetori.