Brenda tetë muajve të këtij viti, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar tri ligje të Qeverisë, që u kontestuan nga opozita. Në shqyrtim të kushtetutshmërisë i ka edhe pesë të tjera. Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, thotë se rrëzimi i ligjeve e shpërfaq paaftësinë e Qeverisë për përgatitjen e tyre
Brenda këtij viti, tri ligje të Qeverisë janë rrëzuar pjesërisht apo tërësisht nga Gjykata Kushtetuese.
Një ditë më parë, Gjykata e shpalli antikushtetues në tërësi Ligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg.
Para tetë muajsh, Kushtetuesja e shpalli tërësisht të pavlefshëm Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, dhe e rrëzoi pjesërisht edhe Ligjin për Zyrtarët Publikë, mbi 3 muaj më parë.
Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve kushtetuese, thotë se me këto vendime të gjykatës po shpërfaqet paaftësia e pushtetit për të përgatitur ligje të mira dhe në përputhje me aktin më të lartë juridik të shtetit.
“Ligjet nga Qeveria, dikasteret e saj dhe shërbimet ligjore po shkojnë të papërgatitura sa duhet. Kjo është brengosëse dhe do të duhej të ishte parësisht brengosëse për Qeverinë dhe ministritë përkatëse, të cilat lehtë e shpejt, për të mos thënë shkel e shko, po i përgatisin”, ka thënë Baraliu.
Aktualisht në Gjykatën Kushtetuese është duke u vlerësuar kushtetutshmëria edhe e pesë ligjeve të tjera, si të atij për Pagat, Ligjit për Pagën Minimale, Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës dhe Kodit të Procedurës Penale.
Shumica e tyre janë ankimuar nga partitë opozitare.
Baraliu thotë se Qeveria duhet të punojë më shumë me opozitën dhe të shmangë procedurën e përshpejtuar të trajtimit dhe të miratimit të ligjeve, gjë që, sipas tij, përveç që e dëmton punën e Qeverisë, e minon edhe demokracinë në vend.
“Është përgjegjësi edhe më e madhe e koalicionit qeverisës që do të duhej t’i japë mundësi më tepër që të diskutohen këto projektligje, pra edhe në komisione. E kemi një fenomen që nëpër komisione të Kuvendit, me shumicën e votave, pra me shumësinë e numrave, për të mos thënë me arrogancën e numrave siç po thonë këta të opozitës, po imponon edhe në komisione që shpejt e lehtë të kalohen projektligjet, të kalojnë në seanca plenare edhe atje pastaj të miratohen me shumicën e votave”, ka thënë Baraliu.
Kur vendimet e miratuara në Kuvend kontestohen në Gjykatën Kushtetuese, Ligji parasheh se ky organ duhet të nxjerrë një vendim mbi kontestin, jo më vonë se gjashtëdhjetë ditë pas dorëzimit të kërkesës.
Por, Gjykata ka në shqyrtim ligje që janë kontestuar nga deputetët prej gati 10 muajsh.
Ka edhe ligje që nuk janë rrëzuar, pas kontestimit në Kushtetuese. Një ditë më parë, Kushtetuesja njoftoi se nuk i ka dhënë të drejtë opozitës, në kontestin për ndryshimin ligjor që e bëri Qeveria, për t’ua mundësuar komunave që ta falin tatimin në pronë. Ministria e Financave i ka njoftuar komunat se kanë afat deri më 8 dhjetor për të vendosur për faljen e tatimit deri në vlerën prej 100 eurove. Bazuar në njoftim, tatimpaguesit e Komunës, e cila e merr këtë vendim, do të përfitojnë nga falja deri në lartësinë e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023, por jo më shumë se 100 euro. Ata të cilët e kanë paguar tatimin për vitin 2023, sipas njoftimit, shuma e falur i llogaritet si paradhënie për vitet pasuese.