Arbëri

LDK-ja dhe dy mësimet e Marksit

Foto: Koha

Çka ndodh kur A.Hoti e tejkalon karizmën e kontabilistit

1.

Përpiqem t’i dëgjoj me vëmendje shpjegimet për një hap të rëndësishëm që ka bërë LDK-ja nga kryetari i LDK-së I.Mustafa dhe tashmë i nominuari nga kjo parti për të qenë kryeministër A.Hoti. Hapi është pjesëmarrja në një ndërmarrje të përbashkët të organizuar nga presidenti i vendit për formimin e një qeverie të re pa i respektuar rregullat e përcaktuara nga Kushtetuta e vendit, gjegjësisht aktgjykimi përkatës i Gjykatës Kushtetuese.

Këtë fakt mbi shkeljen kushtetuese, ose së paku dyshimin e mirëbazuar, kryetari i LDK-së e tejkalon me elegancë, duke sugjeruar që nëse do të ishte shkelje ajo do t’i adresohej dhënësit (presidentit) e jo marrësit të mandatit (LDK-së). Përpiqem ta kuptoj këtë manovër nga dy kute të ndryshme. Njëri është ai i politikanit të rryer, e kryetari i LDK-së ka tashmë gjysmë shekulli përvojë në politikë. I dyti është ai i kontabilistit të mirë që deklaron se në librat e firmës së tij janë të gjitha në rregull, pa marrë parasysh se me kë dhe me çka tregtohet.

Nuk shoh si mund ta shikoj më tutje nga kuti politik. Në çfarëdo politike, tash a para njëzet, a para pesëdhjetë vjetësh, shpalosen disa bindje, krijohen parime. Në konferencë për shtyp nuk dëgjoj gjë që mund të tingëllojë si bindje, nuk ka gjë që të më tregojë se mu në atë moment, mu në atë vend, duhet të themelohet një qeveri e re. Flitet për luftën kundër krimit e korrupsionit dhe “dukurive të tjera negative”, diçka që ka hyrë në fjalorin politik nja njëzet vjet para se të themelohet LDK-ja. Flitet për COVID-19 e pasojat ekonomike sikur të ishte lajmëruar i infektuari i parë, sikur të ishim të gjithë në vende pune, rrugë e kafene, fëmijët në shkollë, studentët në Universitet.

Nuk përmendet se para gjashtë muajve parimet ishin çkapja e shtetit. Dhe tash nuk është më.