Raportet mes Kosovës dhe Serbisë dhe situata në Bosnjë-Hercegovinë janë përmendur si sfidat kryesore në rajonin e Ballkanit në 25-vjetorin e arritjes së Marrëveshjes së Deytonit nga ana e Miroslav Lajçakut, dikur përfaqësues i lartë ndërkombëtar për BeH, e tash i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Lajçak ishte një prej folësve në një debat të zhvilluar në organizim të Komisionit për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian, me pjesëmarrjen e deputetëve nga ky parlament, por edhe parlamentet nacionale të vendeve anëtare të BE-së, si dhe atyre të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Folësit kryesorë në këtë debat ishin komisari i Zgjerimit, Oliver Verheley, dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.
Në debatin që zgjati afro dy orë u dëgjuan thirrje për avancim të raporteve të rajonit me BE-në, për reformat e domosdoshme nga vendet e rajonit, por edhe për BE-në që të përmbushë obligimet e saja, pasi gjithnjë e më shumë po ndodh që edhe kur një shtet i përmbush kushtet, BE-ja nuk i merr vendimet e premtuara. Rast i fundit është bllokada që Bullgaria ia ka bërë miratimit të Kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut, pa të cilën nuk mund të nisin negociatat e anëtarësimit.
Miroslav Lajçak ka përmendur perspektivën evropiane të rajonit, duke rikujtuar Samitin e Selanikut në vitin 2003 e deri tek ky vit, i cili, sipas tij, ka qenë me shumë sfida - prej proceseve të zgjedhjeve në Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbi, zgjedhjet lokale në Bosnjë-Hercegovinë dhe rrëzimi i Qeverisë në Kosovë pak muaj pas zgjedhjeve.
Përballja me pasojat e pandemisë po ashtu ishte sfidë më vete për të gjithë, përfshirë edhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Miroslav Lajçak konsideron se detyra për ta rifilluar dialogun, i cili ishte bllokuar qysh në vitin 2018, është realizuar. Ai ka përmendur numrin e takimeve të zhvilluara prej emërimit të tij deri më sot, ndërkaq ka bërë të ditur se janë duke përgatitur edhe takimet e radhës.
“Unë jam i angazhuar për të lehtësuar dialogun, për të arritur marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve, me të cilën një herë e për gjithmonë do të zgjidheshin të gjitha çështjet e hapura mes palëve dhe të jetë edhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe ligjet e BE-së”, ka deklaruar Miroslav Lajçak.
Ai ka folur edhe për sfidat dhe vështirësitë në dialog.
“Dialogu është në rrugë të mirë, por nuk është në një autostradë të shpejtë. Më shumë është një rrugëtim i gjatë me kthesa dhe erë”, ka thënë Lajçak.
Ai mënyrë të veçantë falënderoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, për atë që e quajti “lidership i treguar në dialog”.
Shefi i delegacionit të Parlamentit të Serbisë, Zharko Obradoviq, pyeti se a ka kuptim që të vazhdohet dialogu në rrethanat në të cilat Kosova nuk po i përmbush obligimet nga marrëveshjet e mëhershme, sidomos asaj për krijimin e asaj që ai e quajti “Bashkësi të Komunave Serbe”.
“Ne jemi shumë të qartë se në dialog po negociojmë marrëveshjen gjithëpërfshirëse, e cila do të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura mes palëve dhe po arrijmë pajtim për elementet e kësaj marrëveshjeje. Por në anën tjetër po diskutojmë edhe zbatimin e atyre marrëveshjeve që janë arritur më parë e nuk janë implementuar deri më tash. Ne duam të bëjmë të qartë se gjithçka për çka është arritur pajtim më parë duhet të zbatohen. Po e diskutojmë këtë, përfshirë edhe afatet kohore, edhe mekanizmat e implementimit dhe monitorimit. Nuk ka arsye të frikësohemi se marrëveshjet do të arrihen, por nuk do të zbatohen”, ka thënë i dërguari i posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak.