Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit me shumicë votash kanë vendosur që në kuadër të seancës së VI-të të këtij organi ta shqyrtojnë lëndën e ardhur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës për rastin e lagjes “Dardania”. Ndonëse kjo pikë është futur në rendin e ditës, megjithatë të enjten nuk është diskutuar më tutje për të, sikurse edhe për çështjet tjera në agjendë, pasi mbledhja e KK-së pas pushimit të drekës nuk ka vazhduar për shkak të mungesës së kuorumit.
Sekretaria e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ditë më parë në adresë të kryesuesit të KK-së së Prizrenit, Sulltan Badalli ka dërguar kopjen e Aktvendimit për Mospërmbarim të Aktgjykimit KI 56/09 të datës 22 shtator 2010, të Gjykatës Kushtetuese të datës 22 shtator 2021 si dhe informimin përkatës drejtuar Kryeprokurorit të Shtetit për këtë lëndë.
Kryesuesi i KK-së, Sulltan Badalli në fillim të seancës së rregullt ka njoftuar kuvendarët se “një material na ka ardhur nga Gjykata Kushtetuese për anulimin e një vendimi”.
“Bëhet fjalë për lagjen ‘Dardania’, kur ka nis ndërtimi për banesat sociale, por është ndërprerë përmes një Aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, dhe kërkohet që të kryhet edhe ekzekutimi, domethënë me u prish se është një beton aty”, ka thënë Badalli.
Në mesin e kuvendarëve ka pasur pikëpamje të ndryshme nëse kjo çështje duhet diskutuar në këtë seancë. Gjatë diskutimeve, kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka ka theksuar se kërkesa e Gjykatës Kushtetuese lidhur me objektin në lagjen “Dardania” është e rëndësishme.
“Duhet me shpjegu se rrënimi i objektit kushton diku 30 mijë euro, se është një masë e madhe e betonit... Për këtë s’kemi mundur me kornizat që kemi, duhet me planifiku si kod të veçantë ndoshta për vitin e ardhshëm për me rrënu”, është shprehur Haskuka.
Pas diskutimeve të shumta për pikat e rendit të ditës të parapara për shqyrtim në këtë seancë, kryesuesi propozimet për plotësimin e agjendës i ka hedhur një nga një në votim. Me shumicë votash është vendosur që kjo lëndë të shqyrtohet në këtë seancë. Por pas sesionit të pyetjeve të kuvendarëve dhe përgjigjeve të Ekzekutivit, kryesuesi ka vendosur që pushimi i drekës të zgjasë deri në orën 13:00. Rreth orës 13:40 në sallën e mbledhjeve të KK-së kanë qenë të pranishëm vetëm 13 kuvendarë nga 41 sosh sa i ka gjithsej Prizreni. Në këtë situatë, kryesuesi Badalli pasi ka konstatuar mungesën e kuorumit ka ndërprerë seancën, duke theksuar se e njëjta do të vazhdojë një ditë tjetër.
Javën e shkuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës pati njoftuar se në seancën shqyrtuese të mbajtur më 22 shtator 2021, ka vendosur që të nxjerrë Aktvendime për Mospërmbarim të aktgjykimeve të saj: KI 56/09, Aktgjykim i 22 shtatorit 2010, me parashtrues: Fadil Hoxha dhe 59 të tjerë; dhe KI 132/15, Aktgjykim i 19 majit 2016, me parashtrues: Manastiri i Deçanit.
“Bazuar në nenin 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Bazuar në këtë nen të Kushtetutës dhe në rregullin 66 (Zbatimi i Vendimeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese, Gjykata përmes mekanizmave të saj dhe në mënyrë periodike vlerëson zbatimin e aktgjykimeve të saj, dhe në rast të moszbatimit të një vendimi mund të lëshojë Aktvendim për Mospërmbarim në të cilin theksohet që vendimi përkatës nuk është zbatuar, i cili publikohet në Gazetën Zyrtare dhe për të cilin informohet Prokurori i Shtetit. Bazuar në procedurën e ndjekur nga Gjykata lidhur me monitorimin e zbatimit të vendimeve të saj, Gjykata ka konstatuar se dy Aktgjykimet përkatëse nuk janë zbatuar dhe për pasojë ka njoftuar Prokurorin e Shtetit”, thuhet në njoftimin e GjK-së. Aty sqarohet se në rastin e Aktgjykimit të Gjykatës KI 56/09, parashtruesit e kërkesës kishin kontestuar Vendimin e Kuvendit Komunal të Prizrenit [01/011-3257] të 30 prillit 2009, për ndryshimin e Planit Urban për lagjen “Jaglenica” (tani “Dardania”), duke pretenduar shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me nenet: 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes], 52 [Përgjegjësia për Mjedisin Jetësor] dhe 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës.
“Pas vlerësimit të pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, Gjykata kishte konstatuar që Vendimi i kontestuar ishte nxjerrë në kundërshtim me garancitë e reflektuara në paragrafin 2 të nenit 52 të Kushtetutës, duke kërkuar nga Kuvendi Komunal i Prizrenit që brenda gjashtë (6) muajsh t’i dorëzojë Gjykatës informata për masat e ndërmarra për zbatimin e Aktgjykimit KI56/09”, thuhet në njoftim, duke shtuar më tej se Gjykata ka përcjellë zbatimin e këtij aktgjykimi nëpërmjet mekanizmave të saj dhe nëpërmjet letërkëmbimeve me palët e përfshira në rastin përkatës, i cili është reflektuar në Aktvendimin e publikuar për Mospërmbarim.
“Pas vlerësimit të informatave të përditësuara lidhur me zbatimin e Aktgjykimeve KI56/09 dhe KI132/15, Gjykata njëzëri (i) konstatoi se të njëjtat nuk janë zbatuar sepse autoritetet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë masat e nevojshme për zbatimin e plotë të tyre, siç kërkohet me nenin 116 të Kushtetutës; dhe (ii) vendosi të njoftohet Prokurori i Shtetit përkitazi me dy Aktvendimet për Mospërmbarim. Gjykata riktheson se, zbatimi i vendimeve të saj është detyrim për të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës bazuar në nenin 116 të Kushtetutës. Për më tepër, zbatimi i vendimeve përfundimtare është parim themelor i sundimit të ligjit, si vlerë themelore e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, siç është përcaktuar me nenet 3 [Barazia para Ligjit] dhe 7 [Vlerat] të Kushtetutës”, përfundon njoftimi për media i GjK-së.