Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar një foto me komunat serbe në Serbi që udhëhiqen nga kryetarët joserb dhe ka pyetur se pse Serbia nuk ua mundëson Asociacionin një-etnik atyre, ndërsa e kërkon një gjë të tillë në Kosovë.
Sipas Kurtit, Asociacion një-etnik në Serbi do të mund të formoheshin nga hungarezët, boshnjakët, shqiptarët e bullgarët. Por ka pyetur se pse Serbia nuk ua mundëson këtë.
“Asociacionet e komunave mbi baza etnike në Serbi? Minoritete në Serbi zyrtarisht llogariten 21 sosh: kroatët, bunjevcët, bullgarët, boshnjakët, shqiptarët, hungarezët, romët, rumunët, rusinët, sllovakët, ukrainsët, lidhja hebreje, ashkalinjët, vllehët, grekët, egjiptianët, gjermanët, sllovenët, çekët, maqedonët, malazezët. 11 komuna në Serbi udhëhiqen nga kryetarë joserb. Asociacione një-etnike komunash do të mund të formonin hungarezët, boshnjakët, shqiptarët dhe bullgarët. Pse Serbia nuk ua mundëson këtë, përderisa e kërkon një gjë të tillë në Kosovë?”, ka shkruar Kurti.

Së fundmi, SHBA-ja dhe BE-ja kanë intensifikuar angazhimin e tyre që të shtyjnë Kosovën e Serbinë drejt një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve.
Plani evropian, i njohur edhe si franko-gjerman që iu është dhënë palëve verën e kaluar, është konsideruar si bazë e mirë nga pala kosovare për normalizimin e marrëdhënieve. Edhe Serbia e ka pranuar këtë plan.
Por çështja e Asociacionit mbetet ende "ngërçi" mes palëve. Kurti ka thënë se fillimisht duhet të vijë njohja e më pas të bisedohet për mënyrë se si do të formohej Asociacioni, që duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ndërkombëtarët, ndërkohë, kërkojnë që formimi i tij të ndodhë sa më shpejt.