Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk e kupton pse marrëveshja e Ahtisaarit nuk është e mjaftueshme, kur ajo mbron shumë të drejta të pakicave serbe në Kosovë. Kështu është shprehur ai në një intervistë për gazetën gjermane “Der Standard”, teksa u pyet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kurti ka thënë se Kushtetuta e Kosovës nuk lejon të themelohen shoqata të bazuara në kritere etnike, pasi edhe paragrafi i parë i planit të Ahtisaarit thotë se Kosova duhet të jetë shoqëri multietnike.
“Pra mund të kërkohet bashkim përgjatë maleve të Rugovës apo maleve të Sharrit, por ai nuk duhet të bazohet në identitet kombëtar. Pyes veten pse marrëveshja e Ahtisaarit nuk mund të jetë e mjaftueshme – ajo mbron të drejtat e pakicave për serbët. Kur bëhet fjalë për Asociacionin Serb të Komunave, dua t'i referohem edhe Bosnje-Hercegovinës. Më 26 prill 1991, 14 komuna me shumicë serbe atje u bashkuan dhe themeluan një shoqatë; më 9 janar 1992 shpallën pavarësinë dhe më 28 shkurt 1992 miratuan kushtetutën”, ka thënë Kurti.
Ai më tej theksoi se i ka thënë edhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq se ai nuk e dëshiron Asociacionin sepse po ta donte atë, nuk mund t’i thotë shpesh që nuk e njeh shtetin e Kosovës.
“Nuk mund të shërbeni një makiato pa filxhan kafeje. Por të drejtat e pakicave janë një pjesë shumë e rëndësishme e normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë. Pra, kur të arrijmë në atë pikë, Serbia mund të bëjë një propozim se si ta zgjidhë atë. Po kështu do të mund të bëjmë propozime për çështje që i konsiderojmë të rëndësishme për pakicat në Serbi”, është shprehur më tej Kurti.
Teksa ka folur për Asociacionin, Kurti ka përmendur planin franko-gjerman, me të cilin thotë se është hyrë në një fazë të re.
“Në këtë plan ka një paragraf për të drejtat e atyre që nuk i përkasin shumicës. Ju mund ta përfshini atë në këtë paragraf. Edhe brenda bisedimeve të normalizimit të plotë, ne mund të flasim për këtë”, ka thënë Kurti.
Kryeministri kosovar u pyet edhe për deklaratën e Vuçiqit, i cili e ka quajtur “llum terrorist”, për çka tha se Perëndimi nuk e trajton njësoj si presidentin serb.
“Në përgjithësi, nuk ndjej se më trajtojnë njësoj. Perëndimi ka një lloj frike nga potenciali destabilizues i Serbisë – dhe nga ana tjetër, ekziston naiviteti të mendosh se Serbia mund të detyrohet të kthehet përsëri në Perëndim së shpejti”.
Për çështjen e Manastirit të Deçanit, Kurti ka thënë se 24 hektarët I janë dhënë këtij manastiri gjatë regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit.
Ai ka theksuar se kjo është temë e ndjeshme dhe ka nevojë për shqyrtim dhe diskutim të plotë me të gjithë ata që janë të përfshirë.
“Do të doja të takohesha me përgjegjësit në Manastirin e Deçanit - por deri më tani ata nuk kanë pranuar të flasin me mua”, ka thënë Kurti.