Arbëri

Kurti: Kosova do të hyjë së pari në NATO, pastaj në BE

Albin Kurti  - Universiteti i Cambridget

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur optimizëm për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Kurti gjatë një diskutimi në Universitetin e Cambridget të martën, ka thënë se Kosova do të jetë një nga ato shtete që së pari do të anëtarësohet në NATO e pastaj në Bashkim Evropian.

“Së pari duhet t’i bashkohemi programit të Partneritetit për Paqe në NATO. Është hapi i parë, imagjinoj se hyrja në NATO është më e shpejt dhe më e lehtë sesa në BE. Do të jemi prej atyre shteteve që do t’i bashkohemi NATO-s para BE-së. Kemi bashkëpunim tejet të mirë me NATO-n në Kosovë. Shqipëria është në NATO, Maqedonia e V. është në NATO, Mali i Zi është në NATO. Besoj se me përfshirjen e Kosovës në NATO, gjithë rajoni dhe Evropa si kontinent do të jenë më të sigurta. Në këtë mënyrë shumë më pak do të konsumonim sesa prodhonim siguri. Nuk mund të vendosi datë. Nuk varet nga unë, po të varej do të thoja dje”, tha Kurti.

Kurti ka thënë se Kosova është storie suksesi.

“Storie suskesi të ndërhyrjes së NATO-s dhe luftës çlirimtare, si dhe jemi duke lulëzuar ekonomikisht”, ka thënë Kurti.

Kryeministri i Kosovës ka shtuar se përkundër se Serbia s'po e njeh Kosovën, prapë Kosova po bën progres.

“Është argument kyç që e kemi për ta përdorur pozitivisht kur takohemi me diplomatët nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së. Greqia, Sllovakia e Rumania, me to është situata më mirë, pasi së paku njohin pasaporta tona dhe kanë zyra ndërlidhëse. E Spanja e Qipro nuk i njohin. Siç janë gjërat tash me Serbinë, është absurditet pasi nëse futesh me pasaportë mund të arrestohesh dhe të konfiskohet dokumenti. E me letërnjoftim, të japin një copë letër ku thonë se të ka humbur letërnjoftimi i vjetër serb dhe po të japin dokument të përkohshëm”, tha Kurti.

Kurti ka shtuar se nuk është realiste të pritet anëtarësimi i Kosovës në Bashkim Evropian pa u njohur Kosova nga pesë shtetet mosnjohëse, Spanja, Greqia, Qipro, Sllovakia dhe Rumania.

“Ne mund t’i bashkohemi Këshillit të Evropës. Anëtarësimi i pezulluar i Federatës Ruse e hap rrugën. Duam të bëhemi anëtari i 47-të”, tha Kurti.

Kurti ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi.

“Kemi një zhvendosje tektonike të dialogut. Për 10 vjet dialogu mes Kosovës e Serbisë ka qenë i kornizuar si proces, në fund të cilit marrim njohje nga Serbia, por duhet të japim ndërkohë shumë kompromise. Procesi është zgjatur, dhe me taktikë të sallamës, Serbia ka marrë koncesione, por ka shtyrë njohjen. Nuk kemi tash proces të shtrirë në kohë. Kemi një marrëveshje të imagjinuar në hapësirë. Marrëveshja do të ketë shumë pika, por qendra do të jetë njohja e ndërsjellë. Njohja e ndërsjellë është në qendër, e nuk do të jetë në fund. Kjo është lëvizja tektonike dhe është konfirmuar në letrat që më janë dërguar nga presidenti Biden dhe sekretari Blinken mua dhe presidentes Vjosa Osmani”, ka shtuar Kurti.

Kryeministri i Kosovës është pyetur edhe për një bashkim të mundshëm Kosovë – Shqipëri. Ai ka thënë se prioritet e ka ta bëjë shtetin e Kosovës më të fortë.

“Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete, por nuk janë dy kombe të ndryshme. Kemi gjuhë të njëjtë, tradita të njëjta, vetëdije kulturore dhe historike të njëjtë. E kam fituar mandatin me sloganin për punë e drejtësi. Shteti i Kosovës duhet të bëhet më i fortë në kuptim ekonomik, por edhe administrativ. Nuk shoh se përforcimi i Kosovës shkon në të kundërtën e Shqipërisë. Është e kundërta. Por, aktualisht edhe nuk kemi të drejtë të bashkohemi. Kushtetuta sipas Ahtisarit e ka bërë këtë kundërthënie mes pikës 1.1, që thotë se jemi plotësisht të pavarur e sovran, dhe pikës 1.3 që thotë se nuk mund t’i bashkangjitesh një vendi tjetër”, ka shtuar Kurti.

“Duam të forcojmë shtetin tonë. Nga paraardhësit e mi bashkimi i Kosovës e Shqipërisë është formuluar në mënyrë të gabuar. Sikur Kosova do t’i bashkohet Shqipërisë, e do të jetë e gatshme të japë pjesë të territorit të saj. Këtu patëm edhe idenë e këmbimit të territoreve, që është larguar nga rendi, por nuk ka vdekur. S’mendoj se duhet rrezikuar integritetin territorial të Kosovës. Prioritet numër një janë puna dhe drejtësia”.

Sa i përket një kërcënimi eventual nga Serbia, Kurti, ka thënë se janë të brengosur por jo të frikësuar.

“Serbia ka 48 baza të avancuara ushtarake në kufi. Kufiri me Serbinë është mbi 100 km i gjatë. Ne nuk jemi në NATO, por e kemi NATO-n në Kosovë. Kam rritur buxhetin ushtarak për 52 për qind. Mbrojtja e bujqësia janë sektorë ku po investojmë më së shumti. Nuk besoj se do të guxojnë të sulmojnë sërish. Në shekujt 19-të dhe 20-të, së pari na sulmonin e mendonin më pas për atë çfarë të bënin. Ia lenin të menduarit të ardhmes. Tani do të rrisim kapacitetet tona, aftësitë tona, jo për të sulmuar, por të bëjmë që të mendojnë dy herë para se të vendosin të bëjnë ndonjë sulm. Shpresojmë pasi ta mendojnë dy herë të mos e bëjnë”, tha Kurti.

Sa i përket integrimit të serbëve në Kosovë, Kurti, ka thënë se po ka pengesë nga Beogradi.

“Jam kryeministër edhe i tyri, s’dua të diskriminoj askënd. Kam komunikim e bashkëpunim, por pengesa kyçe vjen nga Beogradi. Beogradi bën bullizim ndaj serbëve që duan të veprojnë e mendojnë të pavarur. Pranverën e vitit 2020, pata emëruar një person nga Ranillugu, Aleksandar Stankoviqin, si këshilltar timin politik. Dy orë më vonë ai hoqi dorë. Strukturat e paligjshme e thirrën dhe kërcënuan, gruaja e tij humbi gjysmën e normës si mësimdhënëse në gjimnaz. S’është se e përjashtojnë, vetëm ta përgjysmojnë normën, paga të përgjysmohet pastaj. Një kërcënim i butë nëse mund ta quajmë, që tregon se nuk mund të mendosh në mënyrë të pavarur”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur edhe për situatën në Bosnjë-Hercegovinë dhe nëse do ta pranonte Republika Sërpskan.

“Nuk do ta pranoja. Njerëzit e Bosnjës, s’do ta pranonin Republika Sërpskan. Është krijesë e gjenocidit Srebrenicës dhe jo vetëm. Marrëveshja e Dejtonit është menduar ta ndalë luftën, por jo ta zgjidhë problemin. S’do të thosha se lufta në Bosnjë ka qenë luftë civile, ishte agresion nga Serbia. Pasi 400 oficerë jugosllavë, patën shkuar nga Serbia në Bosnjë. Gjitha uniformat, urdhrat e pajisjet ushtarake që serbët në Republika Sërpska i kishin marrë erdhën nga Serbia. Serbia nuk ishte kalimtare rasti aty”, tha Kurti, që bëri thirrje për përkrahje më të madhe për Përfaqësuesin e Lartë të Bosnjë-Hercegovinës, Christian Schmidt.

“Shpesh Banja Lluka duket si Kaliningrad në Ballkanin Perëndimor”.