Ministria e Shëndetësisë, duke u bazuar në hierarkinë e akteve juridike, thotë se meqë Ligji për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë nuk e përcakton kush i delegon dy pjesëtarë të komuniteteve në Këshillin Drejtues të Odës së Farmacistëve të Kosovës, edhe nuk e sheh këtë si përgjegjësi të veten, ndonëse ashtu e parasheh Statuti i OFK-së. Këtë opinion të MSh-së, drejtori i OFK-së nuk e konsideron si përgjigje ndaj kërkesës konkrete për sqarim ligjor, andaj thotë se nuk mund të procedojë me konsolidimin e organeve të Odës
Këshilli Drejtues i Odës së Farmacistëve të Kosovës ka mbetur i pakompletuar për shkak të mospajtimit ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe OFK-së rreth dispozitës që përcakton delegimin e dy pjesëtarëve të komuniteteve në Këshill Drejtues.
Në muajin korrik, ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Arben Vitia, mori vendim për delegimin e tre emrave, Suliote Aliut, Besnik Stavilecit dhe Bekim Fushës në këtë këshill, që të gjithë shqiptarë. Por ata ende nuk janë ftuar nga Oda, meqë të dy këto institucione, MSh e OFK, e interpretojnë ndryshe legjislacionin që e rregullon këtë fushë.
Ligji për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë parasheh që Këshilli drejtues i Odës t’i ketë 11 anëtarë, dy nga të cilët pjesëtarë të komuniteteve, por nuk e përcakton nëse ata duhet të delegohen nga Oda apo nga MSh-ja. E Statuti i OFK-së e rregullon këtë çështje duke e vënë në përgjegjësi të Ministrisë plotësimin e kushtit për kuotën e pakicave. Nga tre të deleguarit e MSh-së, sipas Statutit dy duhet të jenë të komuniteteve.
KOHA ka raportuar javën e kaluar për këtë çështje, për të cilën Ministria e Shëndetësisë nuk ofroi fare sqarime, ndërsa drejtori i Odës po.
“Ne i kemi dërguar pyetje MSH-së lidhur me vendimin pasi ka një paqartësi dhe jemi në pritje të sqarimit. Ende nuk i kemi thirrur të deleguarit e rinj pa u sqaruar”, tha të premten e kaluar, më 19 nëntor, drejtori i Odës, Arianit Jakupi.
Por ndaj deklaratës së tij reagoi farmacistja Suljote Aliu, e cila është një nga emrat e deleguar, duke e përgënjeshtruar përgjigjen e Jakupit. Ajo deklaroi se disa ditë para kësaj përgjigjeje, MSh-ja i ishte përgjigjur atij përmes një e-maili, ku të kopjuar kanë qenë edhe tre të deleguarit e Ministrisë.
KOHA ka kontaktuar të gjitha palët e përfshira këtë javë dhe ka marrë përgjigje që dëshmon në këmbënguljen e MSh-së dhe OFK-së në pozicionet e veta.
MSh-ja, duke u bazuar në hierarkinë e akteve juridike, thotë se ligji nuk e përcakton kush i delegon dy pjesëtarë të komuniteteve në Këshill, andaj edhe nuk e sheh këtë si përgjegjësi të veten, ndonëse ashtu e parasheh Statuti i Odës. Këtë opinion të MSh-së, drejtori i OFK-së nuk e konsideron si përgjigje ndaj kërkesës konkrete për sqarim ligjor, andaj thotë se ai ende mungon dhe nuk mund të procedojë me konsolidimin e organeve të Odës.
KOHA ka kërkuar interpretim nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. Gëzim Shala, jurist në IKD, ka deklaruar se fuqia e Statutit derivon nga Ligji dhe është obliguese që të zbatohet edhe nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë për sa kohë që ai është në fuqi.
Komunikimi mes Odës dhe MSH-së
Oda e Farmacistëve e Kosovës nuk e kishte kompletuar Këshillin Drejtues, meqë, pasi kishin pranuar emrat e tre shqiptarëve, ajo kishte kërkuar sqarime nga Ministria e Shëndetësisë për çështjen e komuniteteve duke kërkuar që të vërtetohet vlefshmëria e Statutit të Odës, që përcakton përkatësinë etnike të të deleguarve. Më shumë se një muaj më vonë, Ministria ia kishte përcjellë Odës një opinion ligjor, ku ndër të tjera theksi vihet te hierarkia e ligjeve mbi statutet që dalin nga to.
“Duke marrë parasysh hierarkinë e akteve juridike, vendimi me numër protokolli 05 – 5038, i datës 16.07.2021, me të cilin ministri i Shëndetësisë ka deleguar përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë në organet e OFK-së, është në harmoni me dispozitat e paragrafit 3 të nenit 22 të Ligjit për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë”, është thënë në interpretimin ligjor të MSH-së, të cilin ia ka dërguar OFK-së më 16 nëntor.
Por Oda e Farmacistëve e Kosovës, sipas drejtorit të saj Arianit Jakupi, pasi ka marrë këtë opinion ligjor, ka kërkuar sqarime shtesë nga MSH-ja. Jakupi ka thënë se opinioni që kanë pranuar nga MSh-ja nuk u ka dhënë përgjigje çështjeve që kanë ngritur ata. Ai ka shtuar se përgjigjet që ka dhënë MSH-ja janë referim i dispozitave ligjore, të cilat thotë se Oda nuk i ka kontestuar.
“Ne kemi kërkuar sqarime shtesë prej Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me konfuzionin e krijuar përmes email-eve ku ishin kundërthënës në opinionin e dhënë nga ana e zyrtares së Departamentit ligjor të MSH-së, e cila e interpretonte paragrafin 3 të nenit 22 të Ligjit për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë, me të cilin përcaktohet e drejta e ministrit për tri delegime në Këshillin Drejtues të OFK-së dhe hierarkinë e legjislacionit. Në fakt as ne si OFK e asnjë palë tjetër nuk kishte kontestuar dhe nuk kishte kërkuar opinion për këtë paragraf dhe dispozitë ligjore pasi e drejta e ministrit është e qartë”, ka thënë Jakupi. Ai ka shtuar se në nenin 47 të po këtij ligji thuhet se Statuti i Odës e rregullon përbërjen e organeve të Odës, i cili statut miratohet nga MSH-ja.
Në komunikimin me e-maile, ndërmjet Odës dhe Ministrisë, Jakupi e ka potencuar këtë duke shkruar se Statutin ekzistues të Odës së Farmacistëve e ka miratuar vetë Ministria e Shëndetësisë para gjashtë vjetëve.
Ministria e Shëndetësisë, e pyetur nga KOHA, për hollësi rreth komunikimit me OFK dhe rreth opinionit të lëshuar nga Zyra Ligjore e saj, është përgjigjur shkurt, me gjithë insistimin për më shumë sqarime.
“Pas nxjerrjes së vendimit nga ana e asokohe ministrit të Shëndetësisë për delegimin e përfaqësuesve të MSh-së në organet e OFK-së, kjo odë ka kërkuar sqarime shtesë rreth zbatimit të vendimit, të cilat MSh ia ka dërguar. Sipas sqarimeve të dërguara nga MSh, dispozitat e paragrafit 3 të nenit 22 të Ligjit nr. 04/l-150, për odat e profesionistëve shëndetësorë kanë përcaktuar që “pesë (5) anëtarë të Këshillit Drejtues i zgjedh Kuvendi i Odës nga radha e anëtarëve të vet, ndërsa tre (3) anëtarë të Këshillit Drejtues i delegon Ministria e Shëndetësisë”. Duke marrë parasysh hierarkinë e akteve juridike, vendimi me nr. protokolli 05- 5038, datë 16/07/2021, me të cilin ministri i Shëndetësisë ka deleguar përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë në organet e OFK-se, është në harmoni me dispozitat e paragrafit 3 të nenit 22 të Ligjit nr. 04/l-150 për odat e profesionistëve shëndetësorë”, shkruan në përgjigjen e MSh-së.
Vonesat e shkaktuara “artificialisht”
Tre personat e deleguar nga Ministria e Shëndetësisë, për Këshillin Drejtues të Odës së Farmacistëve të Kosovës janë Besnik Stavileci, Bekim Fusha dhe Suliota Aliu. Në një përgjigje dhënë KOHËS, Aliu thotë se Oda është dashur ta respektojë vendimin e MSH-së dhe t’i pranojë emrat e deleguar nga Ministria.
“Duke e ditur rendin ligjor në Republikën e Kosovës, në rastin konkret që Ligji është mbi Statutin e një organi më të ulët se MSH, si dhe faktin që një ministër mund të nxjerrë vendime duke u bazuar vetëm në Ligj, si dhe duke pasur parasysh nenin 22, paragrafi 3 i Ligjit numër 04/l-150 për odat e profesionistëve shëndetësorë (këtë e ka vërtetuar edhe interpretimi ligjor i zyrës ligjore të MSH, i dhënë sipas kërkesës së OFK), ku askund nuk thuhet ajo që pretendon kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi”, ka thënë ajo.
Sipas Aliut, vonesat në zgjedhjen e saj kanë qenë me tendencë që të pengohet pjesëmarrja e saj në Këshillin Drejtues të OFK-së.
“Kjo me siguri ka të bëjë me faktin që unë njihem si person që kudo lufton korrupsionin dhe paligjshmëritë”, ka deklaruar ajo.
Aliu ka vlerësuar që vonesat janë shkaktuar artificialisht dhe me pretendime të paqëndrueshme nga OFK-ja.
“Sikur shumë institucione të tjera në Republikën e Kosovës, që po mundohen t'u rezistojnë ndryshimeve të ndërmarra nga Qeveria e re, edhe OFK po mundohet të ruajë qasjen dhe veprimet si në të kaluarën. Prezenca ime në këtë organ, do të thotë që aty do të kthehej ligjshmëria dhe do të ndërpritet ndikimi i kompanive farmaceutike”, ka thënë Aliu.
Se si i komentojnë vonesat në zgjedhjen e tyre në Këshillin Drejtues, KOHA e ka pyetur edhe Bekim Fushën dhe Besnik Stavilecin, por ata nuk janë përgjigjur.
Në vendimin e muajit korrik, ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Arben Vitia, pati deleguar emrat e anëtarëve edhe në dy këshilla të tjerë të OFK-së, atij për mbikëqyrje dhe atij për etikë. Këta dy këshilla kanë mbetur po ashtu ende të pakonsoliduar, edhe pse te rasti i tyre nuk ka konteste ligjore, meqë ligji parasheh kuota vetëm për Këshillin Drejtues.
Drejtori i OFK-së, Arianit Jakupi, nuk ka sqaruar pse nuk është proceduar me konsolidimin e tyre, para se të gjendet një zgjidhje për kontestin rreth Këshillit Drejtues.
Çfarë thotë Ligji e çfarë Statuti dhe si e interpreton dilemën IKD-ja
Neni 22 i Ligjit për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë thotë që Këshilli Drejtues i Odës ka 11 anëtarë, nga të cilët një anëtar është i komunitetit joshumicë dhe një tjetër anëtar nga radhët e komuniteteve të tjera. Tutje në këtë nen thuhet se pesë anëtarë të këtij këshilli zgjidhen nga Kuvendi i Odës, ndërsa tre anëtarë i delegon Ministria e Shëndetësisë dhe po aty thuhet se mënyra e punës së Këshillit Drejtues më hollësisht rregullohet me Statut.
Ndërsa në Statutin e Odës së Farmacistëve të Kosovës, neni 28, paragrafi 4 thotë se Ministria delegon tre anëtarë në Këshillin Drejtues, duke përfshirë një anëtar nga komuniteti joshumicë dhe një anëtar nga komunitetet e tjera.
Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka deklaruar për KOHËN se fuqia e Statutit derivon nga Ligji dhe është obliguese që të zbatohet edhe nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë për sa kohë që ai është në fuqi. Kësisoj, Shala thotë se Ministria është dashur të dërgojë dy emra nga komunitetet dhe një emër shqiptar për pozitat në Këshillin Drejtues.
“Në rastin konkret Ligji e ka përcaktuar vetëm përbërjen e Këshillit Drejtues dhe nuk e ka përcaktuar detajet e tjera, derisa e ka përcaktuar se këto detaje do të rregullohen me Statut. Në rastin konkret përderisa Statuti është në fuqi dhe i njëjti nuk është në kundërshtim me ligjin, që në rastin konkret duket të jetë i tillë, definitivisht zbatimi i statutit është obligues. Dhe për këtë arsye Ministria e Shëndetësisë me rastin e procedimit të emrave, dy nga ta duhet të jenë nga komunitetet joshumicë dhe jo që të tre të jenë nga komuniteti shqiptar”, ka thënë Shala.
Ai ka sqaruar edhe termin “një anëtar i komunitetit joshumicë dhe një anëtar nga radhët e komuniteteve të tjera”, i cili, sipas tij, më shumë është gabim teknik.
“Duket që të jetë më shumë një lëshim teknik në rastin konkret. E rëndësishme është që nga 11 anëtarë, dy prej tyre nuk duhet të jenë shqiptarë, ky është kuptimi që përcaktohet. Por nëse e shohim edhe qëllimin e kësaj dispozite dhe në raport me dispozitat e tjera kushtetuese dhe ligjore qoftë të këtij ligji, qoftë edhe ligjeve të tjera, më shumë bëhet fjalë se njëri nga anëtarët do të jetë nga komuniteti më i madh joshumicë që është nga komuniteti serb dhe një duhet të jetë nga komunitetet e tjera”, ka deklaruar Shala.