Arbëri

Kundër diskriminimit të grave në punësim

Gratë në ekonominë e Kosovës ende ballafaqohen me shumë sfida, në fuqinë punëtore më shumë se 80 përqind e grave janë joaktive, dhe për gratë që janë aktive, shkalla e papunësisë është rreth 40 për qind.

Kështu është thënë në tryezën “Drejt fuqizimit”, gjatë prezantimit të hulumtimit mbi tejkalimin e barrierave të mospjesëmarrjes ekonomike të grave dhe barrierave në vendin e punës, të publikuar sot nga Institutit Riinvest, i mbështetur nga USAID-i.

Drejtori ekzekutiv në Institutin Riinvest, Alban Hashani ka thënë se fuqizimi i grave në punë ndikon në ngritjen e mirëqenies.

Ai ka kërkuar që ligjet të avancohen për të krijuar barazi.

Nadeem Shahi nga USAID-i ka inkurajuar bizneset dhe institucionet e Kosovës që të mos i diskriminojnë gratë në procesin e punësimit.

Igballe Rogova nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës ka thënë se sfidë shqetësuese është se nuk ka punësim të mirëfilltë, pasi 64 për qind të grave të punësuara në sektorin privat nuk kanë guxuar të kërkojnë pushim të lehonisë, transmeton kp.

Në bazë të këtij publikimi, tre pengesat kryesore të vlerësuara nga gratë janë: niveli i ulët i pagës, mungesa e zbatimit të të drejtave të punëtorëve, mungesa e përfitimeve të punëtorëve.

Nga gratë e punësuara, 60 për qind janë të punësuara në sektorin privat dhe rreth 28 për qind në sektorin publik, ndërsa të tjerat janë ose të vetë punësuara, punojnë në organizata joqeveritare ose në organizata ndërkombëtare.

Po ashtu sipas këtij publikimi, një nga tri gra që punojnë në sektorin privat nuk kanë kontratë pune.