Certifikimi sa më i shpejtë i rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit, e konstituimi i menjëhershëm i Kuvendit të Kosovës, janë duke u parë si zgjidhjet e vetme të evitimit të një krize të re politike.
Vonesat eventuale, sipas njohësve në vend, mund të rrezikojnë që të përfundojë mandati prej 6 muajsh i ushtrueses së detyrës së presidentes e të mos ketë institucione funksionale, proces ky i papërcaktuar me Kushtetutë.
Nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike thonë se duhet të përshpejtohet procesi për certifikimin e rezultateve, pasi posti i presidentit në asnjë rrethanë nuk guxon të jetë vakant.
“Rezultatet të certifikohen sa më parë e të konstituohet Kuvendi, i cili angazhohet në zgjedhjen e presidentit të ri. Kjo mbetet qenësore që vendi të mos shkojë në një krizë të re institucionale politike”, ka deklaruar Njomza Arifi, hulumtuese në GLSP.
Krahas certifikimit të shpejtë të rezultateve, Eugen Cakolli, hulumtues në KDI, thotë se partitë duhet të jenë të shpejta në arritjen e marrëveshjes qeverisëse.
“Është e domosdoshme që subjektet politike të jenë sa më të shpejta në negociatat për formimin e qeverisë në mënyrë që të mos ketë vonesa të cilat do të kishin ndikim negativ edhe sa i përket zgjedhjes së presidentit”, ka thënë Cakolli.
Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë paralajmëruar se shpallja e rezultateve përfundimtare, pritet të bëhet javën e ardhshme.
Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, subjektet politike kanë afat një javë që të dorëzojnë ankesat e tyre eventuale për rezultatin.
Sipas Kushtetutës, “posti i ushtruesit të detyrës së presidentit nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj”.
Ky afat prej gjashtë muajsh, prej kur e ka marrë detyrën e presidentes Vjosa Osmani, përfundon më 5 maj.