Arbëri

Kritikohet nguta e VV-së, tentoi ndryshimin e ligjit për zyrtarët publikë pa e pritur Kushtetuesen

Partia në pushtet përmes seancës së jashtëzakonshme ka tentuar që të miratojë ndryshimet në Ligjin e vjetër për zyrtarët publikë, ani se i riu që vetë e kishte hartuar ndodhet në Gjykatën Kushtetuese. Sipas njohësve të çështjeve kushtetuese, ekzekutivi duhet të presë vendimin e Gjykatës e jo të bëjë punë paralele

Ndonëse Ligji i ri për zyrtarët publikë ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese, partia në pushtet ka përcjellë në Kuvend plotësim-ndryshimin e Ligjit të vjetër.

Shqyrtimi i tij u bë të enjten në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit. Por njohës të çështjeve kushtetuese theksojnë që në rast se ligji i përcjellë në Kushtetuese konstatohet se nuk përmban shkelje, atëherë i vlefshëm do të jetë ai e jo ligji i ri që po synohet të miratohet në Kuvend.

Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve kushtetuese, ka thënë se ekzekutivi duhet ta presë vendimin e Kushtetueses dhe jo të vazhdojë me punë paralele.

“Nuk mund të bëhen paralelisht punët. Edhe në qoftë se dikush inicion diçka në Gjykatë Kushtetuese duhet të priten edhe njëra, edhe tjetra, pasi që vendimet e Gjykatës Kushtetuese, na pëlqyen apo jo, pasi ka edhe të tilla që nuk janë të mira, janë të gabueshme, megjithatë duhet t’i respektojmë dhe të presim fundin e verdiktit të tillë derisa ato të jenë të plotfuqishme, të shpallen dhe joparalelisht të udhëhiqen aktivitete të cilat pastaj shkaktojnë konfuzitet edhe në punën e Parlamentit, edhe të Qeverisë dhe te qytetari, sidomos në zbatim të ligjit”, ka thënë ai.

Edhe Kadri Kryeziu, ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, ka thënë se pa një vendim të Kushtetueses nuk duhet të ndërmerret asnjë veprim.

“Ai ligji që merr vendimin gjykata Kushtetuese... Në bazë të përvojës sime 6-vjeçare dhe kolegët që i kam aty, ata punojnë bukur shpejt, punojnë me efikasitet, por ndodh që atëherë nuk mund mbledhin shumë argumente se vendimet siç thashë edhe më herët nuk mund t’i kontestojë më askush vetëm në Gjykatën e Strasburgut”, ka deklaruar Kryeziu.

Nisma legjislative është kritikuar edhe në seancë të Kuvendit nga deputetë opozitarë.

“Me këto veprime po tregohet se pushteti po bën gjithçka për të shkatërruar administratën shtetërore”, ka thënë deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.

“Ky projektligj nuk rregullon pozicionin e zyrtarit publik, por është ligj që rregullon pozicionin politik dhe partiak në nivel të lartë”, ka deklaruar Besnik Tahiri i AAK-së.

Por tentimi i partisë në pushtet dështoi të enjten, pasi nuk pati kuorum të mjaftueshëm për kalimin e projektligjit megjithëse ai u nxor dy herë për votim.

Dhjetorin e shkuar, pak kohë pas miratimit, LDK-ja e PDK-ja e dërguan Ligjin e ri për zyrtarët publikë në Kushtetuese, duke e kualifikuar në kundërshtim me MSA-në dhe me ligjet e tjera.