Arbëri

Kosova bllokon TV-kanalet e lidhura me Putinin, jo edhe portalet

Komisioni i Pavarur i Mediave ka ndërprerë transmetimin e katër kanaleve televizive ruse, duke u arsyetuar me nevojën për “ndalim të propagandës që e ka për qëllim rrënimin e rendit demokratik botëror”. Por, kosovarët vazhdojnë të kenë qasje në portalet që përhapin propagandë të këtillë. Për bllokimin e portaleve ruse, ARKEP-i nuk ka pranuar ndonjë kërkesë deri më tash. Në këtë institucion kanë hedhur mëdyshje nëse ligjërisht bllokimi mund të ndodhë e në Këshillin e Mediave të Shkruara thanë se nuk merren me portalet që nuk janë të regjistruara në Kosovë. Pa bllokadë janë edhe televizionet nga Serbia, që jo rrallë janë altoparlantë të presidentit Putin

Si kundërpërgjigje për pushtimin që Rusia e nisi në Ukrainë, shtetet e Bashkimit Evropian njëzëri e kanë miratuar ndalimin e transmetimit të televizioneve ruse, e edhe operimin e portaleve të lidhura me regjimin e Putinit. Por Kosova nuk i është bashkuar BE-së për ta ndërmarrë këtë masë, duke mos i ndalur portalet. Në Autoritetin Rregullator të Komunikimeve Elektronike e Postare treguan se deri më tash askush nuk ka kërkuar bllokimin e portaleve të këtilla.

“Deri më tani ARKEP-i nuk ka pranuar ndonjë kërkesë zyrtare për mbylljen e ndonjë uebfaqeje ruse”, ka shkruar ARKEP-i në një përgjigje për KOHËN.

Në këtë institucion kanë hedhur mëdyshje, nëse ligjërisht bllokimi mund të ndodhë.

“Bazuar në legjislacionin në fuqi ende nuk është e definuar korniza ligjore për nxjerrjen e ndonjë vendimi të tillë. Sido që të jetë, me kërkesë të Këshillit të Sigurisë të Republikës së Kosovës ose përmes vendimeve të gjykatave, mund të urdhërohet ARKEP-i për një veprim të tillë”, thuhet në përgjigjen e ARKEP-it.

E, në Këshillin e Mediave të Shkruara, që funksionon edhe si rregullator i portaleve, kanë thënë se merren veç me portalet vendore. Por, nëse përmbajtja dezinformuese e të rrejshme nga Rusia përçohet nga portalet kosovare, përgjegjësinë redaktoriale e mbajnë mediat vendore që i publikojnë ato.

“Këshilli i Mediave të Shkruara merret me mediat në Kosovë, nuk merret me mediat të cilat janë të bazuara jashtë Kosovës, por po ashtu merret me përmbajtjet që mund të jenë të përkthyera ose të transmetuara në mediat online, pra si përmbajtje e shkruar nga media të ndryshme e që media kosovare e mban përgjegjësinë e publikimit të asaj përmbajtjeje nëse vërtetohet dhe konstatohet se është shkelur Kodi i Mediave të Shkruara”, ka thënë Imer Mushkolaj, drejtor i KMSHK-së.

Pas nisjes së pushtimit të Ukrainës dhe vendimeve të BE-së, Komisioni i Pavarur i Mediave ka ndalur transmetimin e katër mediumeve ruse në platforma kabllore. Në një përgjigje për KOHËN, në këtë institucion kanë thënë se mosmbyllja do të bartte pasoja për sigurinë e Kosovës.

“Kur bëhet fjalë te siguria publike veprimet duhet ndërmarrë paraprakisht, sepse duhet parandaluar dëmet eventuale. Nëse KPM do t’i priste pasojat që do t’i shkaktoheshin sigurisë së vendit nga një propagandë e tillë, atëherë nuk do ta kishte asnjë kuptim vendimi i KPM-së”, ka thënë komisioni. Shpërndarësve të rrjeteve kabllore, rregullatori u ka dhënë urdhër t’i largojnë ato. Sidoqoftë e ka konfirmuar se nuk ka bërë monitorim të tyre, por ka deklaruar se po i mbyll për parandalim pasojash.

“Duhet cekur se vendimi i KPM-së nuk ka për qëllim vendosjen e precedentëve të ‘këqij’ dhe abuzimin me median. Kur është në pyetje siguria e përgjithshme e vendit atëherë KPM, si çdo institucion tjetër, është e obliguar që karshi mandatit të saj të ndërmarrë veprime ligjore”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

E pavarësisht se vendimi është pa afat skadimi, KPM ka thënë se vendimi është i përkohshëm.

“Ky vendim i KPM-së nuk është i paprecedentë, sepse jemi dëshmitarë se shumë vende të tjera demokratike kanë ndërmarrë masa të tilla ndaj kanaleve të cilat janë të afërta me pushtetin në Rusi, dhe këtë e kanë konsideruar si të domosdoshme. Gjithashtu, duhet cekur se ky vendim është i përkohshëm dhe nuk paragjykon që në të ardhmen këto kanale të mund të transmetohen nëse gjendja e sigurisë ndryshon pozitivisht”, shkruhet në përgjigjen e këtij institucioni.

Në total, sipas këtij institucioni, janë katër kanale që kanë qenë në transmetim të ofruesve të shërbimeve kabllore, e që janë ndaluar: “Rusia Today”, “Russia 24”, “Planeta RTR” dhe “Rusia Today Doc”. Ky vendim, sipas KPM-së, nuk synon të vendosë precedent të mbylljes së televizioneve në Kosovë.

“Russia Today” është një nga mediumet e ndaluara. Në kanalin e saj në YouTube ajo ende i referohet tentimit të Rusisë për ta pushtuar Ukrainën si operacion special. Aty transmetohen edhe dokumentarë që kanë gjuhë të urrejtjes dhe që e lidhin shtetin e shoqërinë e Ukrainës me nazizmin dhe që i paraqesin rusët si viktimë.

Lejimi i mediave problematike të Serbisë

Disponimi i BE-së për ndalimin e mediave ruse ka ardhur në Kosovë, por sidoqoftë mediat e Serbisë, që thërrasin mysafirë të përfshirë në gjuhë të urrejtjes gjatë luftërave në Jugosllavi, janë pjesë e tregut të ofruesve të rrjeteve kabllore. Televizioni PINK është një nga ta, që ka dhjetëra video në YouTube prej ku vërehet se Vojsllav Shesheli, politikan serb që është dënuar e liruar për krime lufte, për herë të fundit ka qenë mysafir para pesë ditësh.

“Disa operatorë të shpërndarjes transmetojnë këto kanale në Republikën e Kosovës”, ka shkruar KPM-ja në përgjigjen e saj duke iu referuar PINK-ut dhe Radio Televizionit të Serbisë, që është në kontroll të Qeverisë së Serbisë.
Por se cilët kabllorë i kanë këto nuk ka mundur të tregojë brenda ditës.

“Kjo përgjigje merr më shumë kohë, sepse operatorët e shpërndarjes editojnë listat e tyre ne vazhdimësi”, është përgjigjur KPM-ja. Ndryshe, Serbia nuk ka bllokuar as portalet e as televizionet e afërta me regjimin e Putinit.

Komisioni Evropian: Nuk bëhet fjalë për censurë

Vendimi i KE-së, i marrë më 1 mars, arsyeton se Rusia është përfshirë në “fushatë ndërkombëtare e sistematike të manipulimit mediatik dhe shtrembërimit të fakteve me qëllim të destabilizimit” të shteteve të BE-së dhe fqinjëve të saj. Vendimi që ndaloi katër kanale të “Russia Today” (në katër gjuhë) e portaleve të “Sputnikut”, është kritikuar si censurë nga Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ), që ka pohuar se prodhon kundërefekte.

“Rrezik i politikave censuruese është edhe hakmarrja (v.j. kundërpërgjigja), të cilën e pamë me ndalimin e ‘Deutche Welles’ në Rusi si përgjigje ndaj ndalimit të RT-së në Gjermani. Si pasojë e këtij përshkallëzimi doli varfërimi i pluralizmit mediatik në Rusi. Qytetarët kanë humbur qasjen në informacionet që i transmeton DW. Na vjen keq për këtë”, citohet të ketë deklaruar sekretari i përgjithshëm i EFJ-së, Ricardo Gutierrez.

Thyerja e propagandës dhe dezinformatave, siç thotë EFJ, bëhet duke e treguar qartë se ku qëndrojnë gabimet dhe pse diçka është gazetari e keqe.
“Sipas mendimit tonë, më e mirë është kundërvënia ndaj dezinformimit të mediave propagandistike ose që akuzohen si propagandistike duke i treguar qartë gabimet në fakte apo gazetarinë e keqe, duke e dëshmuar mungesën e pavarësisë së tyre financiare apo operacionale dhe duke vënë theksin te besnikëria ndaj Qeverisë, në shpërfillje të interesit të publikut”, thuhet në komunikatën e EFJ-së. “Antidoti i vërtetë i dezinformimit nuk është ndalimi i mediave, por promovimi i një ekosistemi të gjallë, pluralist, profesional etik dhe të suksesshëm, tërësisht të pavarur nga ata që janë në pushtet”, vijon komunikata.

Ndërsa, Komisioni Evropian ka insistuar se këto janë masa në kohë lufte në kontinentin evropian.

“Ka dallim në themel në mes të censurës dhe sanksioneve. S’ka të bëjë me mendime që censurohen. Kemi të bëjmë me mjete që po përdoren në mënyrë sistematike dhe të koordinuar në këtë luftë. ‘Russia Today’ dhe ‘Sputniku’ janë thelbësore dhe mjet i rëndësishëm që shtyn përpara agresionin e Rusisë në Ukrainë”, ka shkruar KE-ja në një përgjigje për KOHËN.

Për këtë institucion, bllokimi i mediave të Rusisë në Evropë, është çështje e sigurisë.
“Këto (v.j. mediat ruse të afërme me Qeverinë e Rusisë) përbëjnë rrezik të madh e direkt ndaj rendit dhe sigurisë publike të BE-së. Andaj në këtë kontekst, ne nuk po ndërmarrim masa ndaj mediave të lira, por ndaj kanaleve të propagandës. Ky është dallimi”, shkruhet në përgjigjen e Komisionit Evropian. Lufta me media ka vazhduar edhe gjatë kësaj jave, kur Facebooku ka vënë kufizime në faqet e RT-së dhe televizionet perëndimore janë larguar nga Rusia shkaku i ligjit të ashpër që dënon deri me 15 vjet burgim dezinformatat që lidhen me luftën në Ukrainë—që në agjendën e Kremlinit quhet “operacion special në Donbass”.