Kopjimi dhe plagjiatura janë në nivele alarmante në Kosovë, kanë vlerësuar njohës të çështjeve të arsimit në vend.
Agon Ahmeti nga organizata joqeveritare “ETEA” ka thënë se sipas një hulumtimi të tyre, 78 për qind e nxënësve të shkollave të mesme deklarojnë se kanë kopjuar.
Sipas Ahmetit, shprehia e kopjimit nis që nga klasa e tretë, pasi fëmijët synojnë t’i përmbushin obligimet shkollore përmes mashtrimeve.
“Referatet janë fillimi i kopjimit. Deri në klasën e pestë, 26-28 për qind deklarojnë se kopjojnë. Kjo shifër shkon në 60 për qind në klasën e nëntë e 78 për qind në shkollë të mesme. Prandaj, duhet marrë masa më të ashpra, dënimet duhet të jenë më të ashpra, sidomos para se fëmijët t’i mbushin 18 vjet”, deklaroi ai në “Java Sonte Me Rronin”.
Ahmeti thotë se kopjimi ka ekzistuar gjithmonë, por që tash është në përmasa të mëdha për shkak të teknologjisë.
“Shqetësimi im është se kjo po konsiderohet si ndihmë. Jemi në një sistem ku prej atij në shtëpi e deri te ky në shkollë, po inkurajojnë kopjimin”, shtoi Ahmeti, duke iu referuar rasteve të fundit ku janë hapur grupe të ndryshme në rrjete sociale për t’i ndihmuar nxënësit në Testin e Arritshmërisë e atë të Maturës.
Këto dënimet janë quajtur absurde nga Dibran Hoxha i organizatës “ORCA”, sipas të cilit, vendimi i Këshillit të UP-së është thirrje për plagjiaturë.
“Jemi në një vend ku secila palë ia bon qefin njëri-tjetrit. Kur kopjon profesori, çka po pret prej studentëve. Ky vendim i Këshillit të Etikës përveçse absurd, është thirrje për plagjiaturë. Hajde krejt po i kopjojmë temat shkencore e po avancohemi në pozita. Masa më normale është se kur e kap duke bërë plagjiaturë, ia heq edhe titullin. E dyta prapë normale, ndoshta jo në vendin tonë, këta duhet me u përjashtuar prej Universitetit”, ka thënë Hoxha.
Migen Qiraxhi nga organizata arsimore në Shqipëri, “Qëndresa Qytetare”, thotë se është mirë që së paku në Kosovë po diskutohet në publik për plagjiaturën, pavarësisht se është i befasuar nga masat e Këshillit të Etikës për Kastratin e Dugollin.
“Jam i befasuar nga masa. Duket se janë shpërblyer dhe nuk janë ndëshkuar plagjiatorët. Iu kanë lehtësuar detyrat. Është mirë që në publik diskutohet në Kosovë tema e plagjiaturës, këtë e them krahasimisht me atë që ndodh në Shqipëri. Plagjiatura këtu është në masë të madhe. Nuk jemi në nivelet e ndëshkueshmërisë. Ne nuk i dimë as kush i përbën këto strukturat e etikës. Edhe ministrja e Arsimit ka plagjiaturë”, ka thënë Qiraxhi.