Xhamia Qendrore në Prishtinë do të ketë lokale.
Kjo është leja që i është dhënë nga Komuna e Prishtinës.
Pikërisht lokalet kanë qenë arsye pse leja ishte refuzuar nga ish-qeverisja komunale.
Në Komunën e Prishtinës, zyrtari i Urbanizmit, Ergyn Hajredini, i ka thënë Kohës se leja parasheh lokale, por që duhet të jetë në shërbim të BIK-ut sikurse bibliotekat e dyqanet e suvenirëve.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është akuzuar nga qytetarët aktivë se dikur ishte kundër e tash ka ndërruar qëndrim.
Por vetë ai thotë se ende mendon që lokacioni nuk është i duhuri dhe se kishte kërkuar ndryshim lokacioni në kohën e paraardhësit të tij, Shpend Ahmeti.
Për akuzat që i ka dhënë për ish-kryetarin, Shpend Ahmeti, ky i fundit i ka thënë Kohës se lokacioni për xhaminë është dhënë në kohë sa Prishtina udhëhiqej nga Isa Mustafa.
“Prona i është dhënë Bashkësisë Islame në kohë të Isa Mustafes. Xhamia në vitin 2015/16 është kthyer në diskutim në komune dhe pas një diskutimi në kuvend, 50 asamblistë kanë votuar për, përfshirë ata të LDK-së. Vetëm Visar Arifaj ka votuar kundër. Së fundmi, çëshjta ka qenë me dy shtëpi të ndërtuara në pjesën që do ta mundësonte qasjen në rrugën “Ilaz Kodra”. Si duket, Bashkësia Islame ka gjetur zgjidhje për t’i blerë ato. Kujtojmë se gur themeli është vendosur më 8 tetor 2012”, tha Ahmeti.
Koha merr vesh se Rama propozimin e tij që Xhamia Qendrore të jetë në Prishtinën e vjetër, e kishte dërguar edhe në Bashkësinë Islame të Kosovës, por se ajo ishte refuzuar nga udhëheqësit e saj.
Në anën tjetër, sekretari i përgjithshëm i BIK-ut, Ahmet Sadriu, ka thënë se ka pasur rreth 10 vjet stërzgjatje të dhënies së lejes.
Sipas tij, punimet pritet të përfundojnë brenda 3 vjetëve.
“Punimet janë duke vazhduar, sepse më herët e kemi pasur një leje të përkohshme për heqjen e dheut dhe vendosjen e pilotëve. Tash pas marrjes së lejes finale, punët do të vazhdojnë sipas dinamikës së paraparë. Ky projekt parashihet që të përfundojë brenda tre vjetëve, edhe pse situata ekonomike globale, eventualisht mund të paraqesë telashe”, tha Sadriu.
Por qytetarët, në veçanti ata që jetojnë në këtë zonë, nuk e shohin lokacionin si të duhurin.
Probleme me lokale, Komuna e Prishtinës ka pasur edhe me Ipeshkvinë e Kosovës, të cilët kanë pamundësuar realizmin e projektit të lokaleve në Pejton, duke kërkuar që ato të shfrytëzoheshin nga ata, pikërisht me arsyetimin e njëjtë për biblioteka e dyqane suvenirësh.
Ish-kryetari Ahmeti nuk e lejoi një gjë të tille dhe i rrënoi objektet, pasi që të drejtën e pronësisë e fitoi Ipeshkvia e Kosovës.