Arbëri

Komentet politike të myftiut Tërnava vlerësohen kundër frymës shekullare

Pjesa më e madhe e mesazhit të myftiut Naim Tërnava për festën e Fitër Bajramit ishte kundërshtim i hapur i projektligjeve për fertilizim të asistuar dhe projekt-kodit civil që parasheh mundësinë e lidhjes së bashkësive civile mes personave të gjinisë së njëjtë. Mesazhin e tij e kanë kritikuar nga partia në pushtet dhe nga shoqëria civile

Në faljen e namazit të Fitër Bajramit, myftiu Naim Tërnava është lutur për siguri të vendit, në Bajramin e parë pas sulmit terrorist në Banjskë.

Ka përçuar edhe mesazh për kthim të vëmendjes së të gjithë shoqërisë në parandalimin e vrasjeve dhe vetëvrasjeve.

Megjithatë, pjesa më e madhe e fjalimit të tij ka qenë adresim politik.

Ka kritikuar dy projektligjet që janë diskutuar në Kuvend, atë për fertilizimin e asistuar dhe projekt-kodin civil, që parasheh mundësinë e lidhjes së bashkësive civile mes personave të gjinive të njëjta.

Familjen që përbëhet nga burri dhe gruaja ai e quajti si bërthamë të kombit, derisa dy projektligjet ai i ka paraqitur si kërcënim për zhdukje të saj.

“Kushdo prej nesh që përcjell diskutimet, por edhe debatet e shumta që po zhvillohen kohëve të fundit në vendin tonë, për aprovimin e disa ligjeve rreth familjes, sheh se këto përpjekje bien ndesh me identitetin, fenë dhe vlerat morale që i posedon shoqëria jonë. Përpjekjet në këtë drejtim janë për shkatërrimin e familjes, zhdukjen apo dobësimin e moralit të lartë që bart ky popull, ngase synohet një shoqëri që jeton pa ndjenja dhe lidhjes emocionale me familjen, të afërmit, traditën, zakonet dhe fisin”, ka thënë Tërnava.

Udhëheqësit shtetërorë e partiakë gjatë ditës kanë vizituar selinë e Bashkësisë Islame dhe uruan si myftiun, ashtu edhe qytetarët, por nuk e përmendën mesazhin politik të Tërnavës.

E shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë për KOHËN se Kosova një ditë më parë e festoi ditën e Kushtetutës që parasheh se Kosova është shtet shekullar – ku feja dhe shteti janë të ndara.

Ka shtuar se vendi për mesazhe e debatim të projektligjeve është Kuvendi. 

“Komentet s’mund t’ia ndal askujt, por kompetencat janë qartë të definuara. Si i tillë, nëse ka ide apo qasje, frymë e cila ka të bëjë me ligjet, atëherë dihet ku bëhet fjalë – në Kuvend. Nuk bëhet në bashkësi fetare cilatdo qofshin ato. Sot është festë e cila i ofron ndihmë edhe atyre që nuk kanë dhe ka mirëkuptim për gjithë të tjerët, prandaj në frymën e njëjtë do të duhej të ishte dhe duhet të jetë sjellja dhe reagimi i të gjithëve”, ka thënë ajo. 
E në shoqërinë civile shprehen të shqetësuar lidhur me mesazhin e Tërnavës e edhe mosreagimin e spektrit politik.

Drejtori i organizatës CEL Kosova, Blert Morina, ka thënë se kjo nuk është hera e parë që bashkësitë fetare e tejkalojnë kufirin e shtetit shekullar.

“Z. Tërnava, nuk mundet që brendapërbrenda një mesazhi duke tentuar të thirret në paqe, të bëjë thirrje për përjashtim dhe përçarje... Ky kufi është tejkaluar kaherë për faktin që kjo nuk është hera e parë që kemi deklarata të tilla... Kjo qasje (e krerëve institucionalë e partiakë) ka qenë gjithmonë e pranishme, moskonfrontimi ose kalkulimi për vota. E kjo është jashtëzakonisht problematike sepse këta politikanë do të duhej të ishin të vetëdijshëm ndaj kujt duhet të kenë respekt e që në këtë rast është Kushtetuta. Pra, sot mesazhi i tyre do të duhej të ishte se siç nuk e pengon askush besimin në religjion, duhet të jeni të kujdesshëm mbi deklaratat, dhe se ne si vartës të Kushtetutës, do të respektojmë dhe do të përfshijmë çdo person në paketën e të drejtave të njeriut”, ka theksuar Morina.

Myftiu Naim Tërnava nuk ishte i gatshëm të përgjigjej lidhur me komentimin për projektligjet e Kuvendit që e dominuan mesazhin e tij të Fitër Bajramit. U shpreh se krejt çfarë kishte të thoshte e ka thënë në xhami para qytetarëve.