Ministri i emëruar sot i Shëndetësisë, Rifat Latifi i cili kishte shërbyer si mjek në Gaza dhe Tripoli, më 18 maj 2014 kishte rrëfyer për KOHËN përvojën e tij atje. Në vijim teksti i plotë i botuar më 18 maj 2014 në gazetën Koha Ditore
Prishtinë, 18 maj 2014- Në një kamp të mbushur me njerëz pa krahë. Të tjerë që kanë humbur sytë. Disave prej tyre u është djegur lëkura dhe u janë deformuar shumë pjesë të trupit. E disa kanë humbur komplet gjysmën e trupit. Kështu nis rrëfimin për atë se çka ka parë në kampet e refugjatëve në Liban dhe Jordani, Rifat Latifi – mjek, i lindur në Kosovë e i shkolluar në Amerikë. Ai javën që shkoi është kthyer nga kampet e Libanit. Latifi ka më shumë se 20 vjet që punon si kirurg traumatolog në spitalin e Arizonës. Thotë se pamjet e kampeve kurrë nuk do t’i largohen nga mendja.
“Me rrinë para sysh. Gjendja e tyre është e vështirë. Ndonëse tërë jetën kam punuar me njerëz të lënduar rëndë. Por jeta në këto kampe është diçka tjetër. Është krejt diçka ndryshe nga ajo çka mund ta imagjinojë një mendje e shëndoshë”, thotë mjeku, i cili para disa ditësh është kthyer nga këto kampe.
Ajo çka kurrë nuk do të harrojë Latifi janë plagët e njerëzve. Ishte nisur për të parë se me çka mund t’u ndihmonte një mjek amerikan refugjatëve të plagosur e të shëndoshë, por nuk e dinte se do të shihte aq shumë gjëra.
Tripoli “i frikshëm”
Askush nuk e kishte obliguar të shkonte me mision humanitar në luftë. E shtyri vullneti i brendshëm që nuk e linte rehat. Ndiente se mund të bënte diçka
“Vizitova qytetin Tripoli. Aty pashë një numër të madh të të lënduarve të cilat ma kanë futur një tmerr në palcë të ashtit”, thotë ai. Me një iniciativë individuale Rifat Latifi ka udhëtuar javë më parë në kampet e Jordanisë dhe të Libanit. Ai thotë se kishte shkuar që të ndihmonte refugjatët.
“Çka nuk kam parë”, rrëfen me habi ai. “Kam parë fëmijë 13 vjeç që i kishte humbur shumë pjesë të trupit. 16-vjeçare pa këmbë, pa krahë. Pashë një pacient, i cili ishte i shtrirë në spital, e që dy djem i kishin rënë martirë, ndërsa katër të tjerët mendonte që i kishte në burg, por që realisht as nuk e kishte idenë se ku janë”, thotë ai. Nga të gjitha momentet e rënda që i kishte përjetuar thotë se më e rënda ishte momenti kur duhej t’u tregonte pacientëve për gjendjen që e kishin.
“Si mund t’i thuash një 13-vjeçari që lëvizja për ty ka marrë fund tash. Si mund t’i thuash një 16-vjeçeje se i ka humbur sytë”, kujton me emocione. “Si t’ia shpjegoja një personi që më nuk e ka gjysmën e trupit. Mëndja e shëndoshë, koka e shëndoshë, por ai më kurrë nuk do të lëvizë. Mendja jonë është e pafuqishme për ta kapur gjithë këtë dimension. Ata jetojnë aty, sepse nuk e kuptojnë ku jetojnë”, thotë Latifi.
“Nuk me interesojnë se për çka fillojnë luftërat. Unë nuk pajtohem me asnjë luftë. Pikë”, e thotë thekshëm Latifi.
Mjeku drenicas nuk e kishte përjetuar luftën e Kosovës. Gjatë asaj kohe as nuk e kishte vizituar atdheun. Megjithatë pas shpërnguljes së shqiptarëve në Shqipëri kishte vizituar kampet atëkohë të stërmbushura me refugjatë. Kjo thotë që ka qenë motiv i tij që kampet t’i shihte si një formë e jetesës ndryshe.
“Kam qenë dhjetë ditë në Shqipëri në kampe. Aty për herë të parë kam parë me sy refugjatë. Megjithatë refugjatët e Lindjes janë krejt me ndryshe”, ka thënë ai.
Jetë e improvizuar
Në këtë kamp njerëzit tentojnë të sillen ndryshe nga realiteti. Megjithatë kjo është e veçanta e këtij kampi, sipas Latifit. Në një kamp ku ka gjak, ka të plagosur, ka njerëz që kanë humbur gjymtyrë, ka njerëz që kanë humbur aq shumë, saqë më nuk mund të jetojnë si më parë, Latifi thotë se tentojnë të jetojnë normalisht. Ka parë fëmijë duke luajtur me top, ka parë tregje e restorante të improvizuara, ka parë biznese që mundoheshin ta kthenin në jetë normale jetën në kampin e Tripolit.
“Aty pashë edhe fustane të nusërisë që shiteshin. Pashë pazar, pashë fëmijë duke luajtur me top. Pashë njerëz që mundoheshin që të punonin. Pashë forma të ndryshme dhe tentativa që përpiqeshin që të jetonin normalisht”, tregon Latifi.
“Ata jetojnë aty se kanë shpresë. Se po t’u thuash atyre se kurrë nuk kanë për të dalë prej kampeve, nuk e di se çfarë do të kishin bërë. Unë kam parë 120 mijë veta që me fuqinë supernjerëzore mundoheshin që të jetojnë ‘normalisht’”, ka treguar Latifi. E veçanta e këtyre është se njerëzit këto kampe nuk i quajnë kampe. I quajnë vendbanime të përbashkëta.
“Unë si traumatolog nuk dua të merrem me shkaqet, por me pasojat. Ai dëm që është bërë te popullata aty është i pafajshëm. Pasoja do të ndihen me vite të tëra”, thotë Latifi.
Kombet e Bashkuara raportojnë për me shumë se 150 mijë të vrarë, shumica civilë, prejse shpërtheu revolta popullore në pranverë 2011, në Siri, kur Siria u bë pjesë e pakënaqësive që u nxiten nga “Pranvera arabe” që filloi në Tunizi.
Kryengritja fillimisht ishte paqësore, por revolta u përshkallëzua pasi që forcat e armatosura të presidentit Bashar al Asad qëlluan protestuesit paqësorë.
Gaza – burg i madh
Një vend që, sipas Latifit, nuk ngjante në një qytet normal ishte qyteti i pushtuar palestinez prej Izraelit, Gaza. Që në hyrje i ngjalli një ndjenjë jo fort të rehatshme.
“Gaza është një burg i madh. Komplet është një burg. Po të mos më thoshte dikush që ky është kampi, unë nuk e kisha ditur që është kamp”, thoshte Latifi. Ai ka treguar se shtëpitë janë të tmerrshme, të ndërtuara me mure që pritet nga çasti në çast të rrëzohen, vendbanime të vogla me dhjetëra anëtarë. Ata nuk kanë shpresë.
“Askush nga ta nuk mendon që do të dalë nga ai kamp. Janë pajtuar me fatin. Ata janë në një burg të mbyllur. Gaza e ka detin. Vetëm 2 kilometra mund të shkojnë për peshkim. Por ata nuk mund të lëvizin më tej”, thotë ai. Palestinezët i përshkruan si njerëz me dinjitet e krenari të lartë.
“Ata kur flasin për veten, flasin me mburrje dhe me një inat të madh. Fëmijët palestinezë e mbajnë veten si të zotë në shkollim. Unë kam pyetur studentë në shumë vende të botës e kurrë nuk kam parë studentë të mjekësisë më të zotë. Unë duhej ta shtoja peshën e pyetjeve. Ata janë të vetëdijshëm se dituria është arma e tyre e vetme, andaj ata kanë filluar ta përdorin atë”, tregon Latifi.
Një dozë mosbesimi nga palestinezët, e cila ishte zhdukur shpesh.
“Isha një mjek i huaj, amerikan. Ishte e vështirë në Gaza, sepse njerëzit i njohin mirë të tjerët. Ata dinë të vlerësojnë ndihmën dhe kanë nevojë shumë për të”, thotë Latifi, përderisa flet për përvojën e tij si mjek në këto kampe.
Latifi nga Tripoli ka udhëtuar për në Kosovë, ku ka qëndruar dy ditë.
“Përderisa po udhëtoja për në Tripoli po e lexoja Ismail Kadarenë. Pak minuta para zbritjes dikush m’u drejtua: ‘Zotëri mos e keni harruar diku Kadarenë?’”, rrëfen Latifi duke qeshur. Tregon se ky ishte shqiptari i parë që e kishte takuar në këtë kamp.
Kohëve të fundit është hapur debat i gjerë në Kosovë për numrin e shqiptarëve që po u bashkohen grupeve radikale në Lindje të Mesme, e veçanërisht atyre që po marrin udhë për në Siri, ku po zhvillohet lufta civile. Latifi ka takuar shqiptarë edhe në Libi, një shtet i trazuar pas rrëzimit dhe vrasjes së diktatorit Muammer Gaddaf, para më shumë se dy vjetësh. Por Latifi nuk dëshiron të spekulojë për qëllimin e shkuarjes së shqiptarëve në shtetet e trazuara arabe.
“Aty ka edhe shumë shqiptarë. Por kjo nuk është çështja ime se për çka janë ose si kanë shkuar”, ka thënë Latifi.
E vetë ai ka nisur t’i vizitojë kampet vullnetarisht. Qëllimi, sipas tij, është që të merret me diçka më njerëzore. Ka porositur studentët që secili që dëshiron të bëhet mjek duhet të vizitojë një kamp refugjatësh pasi që, sipas tij, vetëm aty e kupton se çka është mjekësia. Misionin humanitar nuk e ka ndërmend ta shpallë të përfunduar.
“Unë për vete nuk do të ndalem për të vizituar këto kampe”, ka thënë Latifi.
{gallery}