Arbëri

Strukturat e paprekshme paralele në komunat me shumicë serbe

Angazhim serioz të institucioneve për adresimin e çështjes së strukturave paralele dhe pozitave të dyfishta të shumicës së kryetarëve të komunave me shumicë serbe, kërkojnë njohësit. Madje, rekomandohet që kjo çështje të riadresohet në dialogun me Serbinë

Qasje serioze e angazhim nga ekzekutivi ndaj strukturave paralele dhe pozitave të dyfishta, kërkojnë njohësit e çështjeve lokale dhe ata që merren me sundimin e ligjit. Një pjesë e kryetarëve të komunave me shumicë serbe, krahas pozitës zyrtare që e kanë, mbajnë pozita edhe në institucionet lokale paralele.

Një gjë e tillë, sipas Sazan Ibrahimit, drejtor i Asociacionit të Komunave të Kosovës, nuk duhet shpërfillur.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës në këtë drejtim nuk ka mundësi të bëjë diçka. Ne mendojmë që strukturat paralele i sheh gjithkush që ekzistojnë dhe janë funksionale në Republikën e Kosovës. Këto struktura po besoj që nuk duhet të injorohen dhe mendojmë që Qeveria e Republikës së Kosovës duhet ta zgjidhë këtë problematikë. Tash ne mendojmë që ministria e cila merret me pushtetin lokal ekziston në nivelin qendror dhe shpresojmë që do të ketë një qasje pak më ndryshe në zgjidhjen e këtij problemi”, ka thënë Ibrahimi. Për t’u thirrur në nenin 64 të Ligjit për Qeverisje Lokale që përcakton suspendimin e shkarkimin e kryetarëve kur shkelin ligjin e kushtetutën, sipas drejtorit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj duhet angazhim i madh i institucioneve. Sipas Miftarajt, duhet mbledhur prova të forta, në mënyrë që të jetë i qëndrueshëm rasti për shkarkimin e tyre para institucioneve të drejtësisë.

“Në rastin konkret prej asaj çfarë thuhet në publik e deri te vërtetimi i saj përmes dokumenteve, përmes asaj që përcakton ligji, sigurisht se është një det i gjerë. Në këtë drejtim, unë besoj që institucionet kompetente në këtë rast prej MAPL-së, prej Policisë, prej Prokurorisë duhet të bëjnë hetime qoftë administrative, qoftë penale sipas kompetencave për të verifikuar faktet (ato që dalin në publik) dhe pastaj të ndërtojnë një rast i cili i qëndron qoftë gjykatave të rregullta, qoftë Gjykatës Kushtetuese, qoftë një procesi penal”, ka thënë ai.

Faktin që kryetarë të komunave mbajnë pozita në institucione të Serbisë të cilat veprojnë ilegalisht në Kosovë e ka cilësuar si sfidim të rendit ligjor, profesori i shkencave politike, Bekim Baliqi.

Por, strukturat paralele komunale nuk janë përfshirë në Marrëveshjen e Parë të Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve (e njohur ndryshe si marrëveshja për asociacionin), siç ishte përfshirë punësimi i personave që kanë punuar në strukturat paralele të sigurisë e të drejtësisë në institucione të Kosovës. Për këtë arsye, Baliqi zgjidhjen e strukturave paralele që s’i kanë përfshirë marrëveshjet sheh në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Fakti që strukturat paralele nuk janë shuar në tërësi, pavarësisht që kjo ishte pjesë e marrëveshjeve të disa rundeve në Bruksel, flet se duhet riadresuar në negociata dhe këto shërbime duhen përfundimisht të kalojnë në institucione legale të Republikës së Kosovës”, është shprehur Baliqi në një përgjigje për KOHËN.

Ndërkaq, si mundësi, profesori i shkencave politike u rekomandon institucioneve që të mos e përjashtojnë shkarkimin.

“Patjetër që rendi dhe sundimi i ligjit duhet të vlejë në tërë territorin dhe për të gjitha komunitetet. Këtu nuk duhet bërë përjashtime dhe duhet marrë me vendosmëri zbatimin e tij. Nëse është e nevojshme dhe ka shkelje, mendoj se edhe këto masa (v.j. suspendimi e shkarkimi) nuk duhen përjashtuar”, ka shkruar Baliqi në përgjigjen e tij.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e ka ligjërisht kompetencën që ta nisë shkarkimin e kryetarëve të komunave, në rast se konstatohet se është cenuar Kushtetuta e ligjet në fuqi. Siç e përcakton Ligji për Vetëqeverisje Lokale, me rekomandim të ministrisë e me vendim të Qeverisë, kryetarët suspendohen për 30 ditë. Sipas procedurës që e parasheh ligji, Qeveria e dorëzon vendimin e shkarkimit për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese dhe nëse kjo e fundit e përkrah vendimin ekzekutivi mund ta shkarkojë kryetarin.
Për mosemërimin e nënkryetarit të komunitetit më të madh joshumicë në nivel të Komunës së Graçanicës, kjo ministri e kishte paralajmëruar suspendimin e shkarkimin e kryetares së komunës vitin e kaluar. Si rezultat, nënkryetar i Graçanicës është Leutrim Ajeti, i cili është përfaqësues i subjektit politik “Aleanca Shqiptare”.

MAPL-ja nuk ka treguar nëse do të ndërmerret ndonjë masë e as paralajmërim të kryetarëve që mbajnë pozita në institucionet e Serbisë që operojnë në Kosovë.

Me gjithë insistimin e KOHËS, nga kjo Ministri kanë deklaruar se s’ka ndonjë gjë për t’i shtuar përgjigjes së kaluar, ku ishte thënë se MAPL-ja nuk i njeh komunat paralele dhe se në kompetencë i ka 38 komunat e ligjshme.

“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal punon bazuar në legjislacionin dhe kornizën ligjore të Republikës së Kosovës, rrjedhimisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Institucionet të cilat nuk parashihen me kornizën ligjore dhe Kushtetutën e Kosovës, MAPL-ja nuk i njeh. Aktet e kuvendeve komunale të komunave monitorohen në vazhdimësi nga zyrtarët e MAPL-së dhe gjithashtu bëjmë vlerësimin e ligjshmërisë së akteve të 38 komunave të Republikës së Kosovës duke u bazuar në legjislacionin në fuqi”, ka shkruar ministria në përgjigjen e saj.

Nga kryetarët e komunave veriore, në faqet zyrtare të Serbisë si bartës të pozitave paralele, figurojnë Zoran Todiqi i Leposaviqit, si kryetar i institucionit lokal paralel dhe Milan Radojeviqi i Mitrovicës së Veriut me pozitë të drejtorit në Fondin Pensional Invalidor të Serbisë. Derisa këta të dy nuk janë përgjigjur për KOHËN, punën në institucion paralel shëndetësor e pati konfirmuar Dragisha Milloviq, kryetar i Zveçanit. Lidhur me këtë çështje, KOHA e ka kontaktuar edhe Zyrën e Kryeministrit, por nuk ka marrë përgjigje.
Për strukturat paralele, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, që është edhe shef i ekipit negociator kosovar në dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë vitin e kaluar se nuk kanë qenë kurrë më të fuqishme. Nga kabineti i tij korrikun e vitit të kaluar patën thënë se Kosova synon shuarjen e tyre dhe më pas do të merreshin me Asociacionin e Komunave Serbe.

“Sa i përket Asociacionit, kjo u ngrit nga pala serbe, mirëpo qëndrimi ynë të cilin e kemi paraqitur edhe në këto takime është se ne do ta shqyrtojmë Asociacionin me seriozitet vetëm atëherë kur të gjitha strukturat paralele serbe të jenë shpërbërë në Kosovë”, pati thënë Kaltrina Zeka nga kabineti i Besnik Bislimit.

Këtë qasje, në raporte zyrtare e pati mbajtur edhe ish-kryenegociatorja Edita Tahiri, e cila në një raport për dialogun në vitin 2017 e kishte përfshirë paragrafin “Asociacioni dhe Largimi i strukturave paralele – në sinkron”.

“Themelimi i Asociacionit duhet të shkojë në mënyrë sinkrone me shpërbërjen e strukturave të mbetura paralele të Serbisë në Kosovë. Të dy proceset do të shkojnë paralelisht siç është dakorduar”, shkruhej në raport. Për këtë vit Serbia i ka ndarë 96.1 milionë euro, ndërkaq për vitin 2021 i kishte ndarë 91.8 milionë euro për strukturat paralele në Kosovë.

Takimet me zyrtarë të Listës Serbe që janë pjesë e tyre i ka bërë publike gjatë së shtunës ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Në një fotografi në Facebookun e tij, Petkoviq shihet me liderë të Listës Serbe e aty ndodhet edhe kryetari i komunës paralele të Zveçanit, Ivan Todosijeviq, që është në proces gjykimi për nxitje të urrejtjes.