Arbëri

Kërkohet aktivizimi i Kushtetueses

Pas dështimit të njëpasnjëshëm të vazhdimeve të seancës konstituive për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, njohës të punës së legjislativit theksuan se nuk ka sinjale që përfaqësuesit e partive të gjejnë rrugë për zgjidhje. Blerina Istrefi, hulumtuese në GLSP, ka thënë se duhet të kërkohet opinioni i Gjykatës Kushtetuese për ta qartësuar situatën aktuale dhe i cili do të ndihmonte në parandalimin e ngërçeve të ngjashme në të ardhmen

Kërkesa për një opinion nga Gjykata Kushtetuese pas dështimit të dhjetë të seancës konstituive është përmendur nga njohës të punës së Kuvendit.

Blerina Istrefi, hulumtuese në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLSP) ka thënë se në seancën e së dielës u dhanë shenjat e para të acarimit mes dy kampeve politike, dhe theksoi se qartësimi i kësaj situate do të ndihmonte edhe në të ardhmen.

“Zgjidhja e vetme në këtë situatë mendojmë se do të do të ishte kërkesa për një opinion nga Gjykata Kushtetuese, në këtë rast. Kjo jo vetëm se do ta ndihmonte në situatën ku gjendemi aktualisht por do ta ndihmonte edhe një situatë e cila do të mund të vijë në të ardhmen”, ka thënë Istrefi. “Kjo do të duhej të jetë përgjegjësi e opozitës dhe e Vetëvendosjes. Mund të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese edhe nga një numër i vogël i deputetëve. Diçka tjetër nuk kërkohet, sepse po e shohim që me mbledhjen e sotme është agravuar edhe më tepër dhe në këtë rast po besoj që nëse vendoset të dërgohet vendi në zgjedhje të parakohshme do të agravohet edhe më tepër nga qytetarët që janë bezdisur nga kjo situatë e krijuar dhe ky bojkotim nga krijimi i një marrëveshjeje mes Vetëvendosjes dhe opozitës”.

Ashtu sikurse të enjten, edhe vazhdimi i dhjetë nisi me votimin për krijimin e një komisioni ad hoc për votim të fshehtë. Por mori vetëm 54 vota, duke bërë që kryesuesi Avni Dehari ta mbyllë seancën për mungesë kuorumi, pasi deputetët e partive që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, nuk morën pjesë në votim.

Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka theksuar se seanca nuk mund të pezullohet në mënyrë të njëanshme, sikur ka ndodhur të shtunën.

“Kur dështon përpjekja për kalim në votim të fshehtë – që është përjashtim procedural – zbatohet votimi publik, si rregull. Çdo tentativë për ta anashkaluar këtë parim, veçanërisht kur kjo vjen nga një kryesues i përkohshëm, nuk është më thjesht devijim procedural. Kjo është tashmë kapje e procesit. Sepse, seanca nuk mund të pezullohet në mënyrë të njëanshme nga një rol me mandat të kufizuar procedural, e aq më pak kur tashmë është devijuar nga rendi i ditës. Kryesuesi nuk është as vendimmarrës politik, as negociator, por ka vetëm detyrën ta përmbyllë konstituimin”, ka shkruar Cakolli në Facebook.  

Sipas tij, e drejta që Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese ka për të propozuar kandidatin për kryeparlamentar, është e padiskutueshme, por detyrimi për ta bërë këtë formalisht është po aq obligim kushtetues.

“Çdo shmangie dhe instrumentalizim i procedurës për të zvarritur procesin është abuzim procedural që cenon funksionimin demokratik të Kuvendit”, ka theksuar Cakolli.

Lëvizja Vetëvendosje ka insistuar në kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare, edhe pse ajo nuk ka marrë votat e domosdoshme në gjashtë votimet e hapura të realizuara deri tash. Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kërkuar ndryshimin e emrit të kandidatit, në mënyrë që të japin votë pro.