Arbëri

Kamberi flet shqip në Parlamentin e Serbisë pasi u institucionalizua fyerja ndaj shqiptarëve

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, i është drejtuar deputetëve të këtij Kuvendi për herë të parë në gjuhën shqipe, vetëm një ditë pasi një gjykatë e këtij shteti legalizoi termin ofendues “šiptari”.

Të hënën, Kamberi njoftoi se Gjykata e Lartë në Beograd kishte refuzuar të shpallte fajtor ministrin Aleksandër Vulin për diskriminim, fyerje e gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve. Për këtë gjykatë s’vlente as vendimi i Gjykatës së Apelit, që më 2018 kishte sanksionuar përdorimin e këtij termi si gjuhë të urrejtjes.

Në fjalimin e tij, të publikuar sot në Facebook, Kamberi ka pyetur liderët botërorë se a është kjo Serbia pro-evropiane.

“Tashmë me vendim të gjykatës së këtij shteti, prej sot unë qenkam ‘šiptar’ dhe jo Albanac. Pra, një ditë është zgjuar nga gjumi Aleksandër Vulin dhe ka vendosur se kush jamë unë dhe si cilësohet kombësia ime, e këtë e ka legalizuar gjykata e shtetit! Njëjtë, si në Gjermaninë e fundviteve 30, kur ministri Hermann Goering vendoste se kush ishin dhe si cilësoheshin hebrenjtë dhe pastaj gjykatat e Gestaposë e legalizonte. Duke e cilësuar padinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar si të pabazuar, Gjykata i ka dhënë tashmë edhe fuqi juridike institucionalizimit të gjuhës së urrejtjes, mosdurimit dhe ksenofobisë ndaj shqiptarëve në përgjithësi, e atyre në Serbi në veçanti. Zonja Merkel, z.Macron, z.Borrel, z.Lajcak, znj Vonder Leyen, a është kjo Serbia e juaj pro-evropiane? Kjo nuk ka ndodhur as në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit i cili vrau, dhunoi dhe dëboi shqiptarët duke i quajtur Albanac. Por, ja që nën heshtjen e botës demokratike, Serbia e Aleksandër Vuciqit po kthehet në kohën e Aleksandar Rankoviqit, që njihet si periudha e fundit e përdorimit zyrtar dhe publik të termit ‘šiptar’”, ka thënë ai.

Kamberi e ka quajtur precedent të rrezikshëm vendimin e kësaj gjykate. Sipas tij, ai krijon standard legjitimues për gjuhë të urrejtjes ndaj minoriteteve jo vetëm në Serbi, por edhe në Ballkanin Perëndimor.