Besimet dhe besëtytnitë e popullit shqiptar për kalin janë të shumta. Ato nuk janë formuar në një periudhë të shkurtër kohore, por datojnë që shekuj më parë. Duke qenë se kali është konsideruar bashkëluftëtar besnik i njeriut, nga e kaluara e popullit janë ruajtur shumë legjenda e besime për të.
Etnologu Nexhat Çoçaj pos që i ka dëgjuar rrëfimet e kësaj natyre për kalin, përgjatë dekadave ka qenë edhe dëshmitar i ndodhive ku është shquar veçantia e kësaj kafshe në raport me njeriun.
Këto ndodhi e kanë nxitur që të hulumtojë dhe dokumentojë rolin e kalit në traditën shqiptare, që ka rezultuar edhe me botimin e librit në tri vëllime për këtë temë, shkruan Koha Ditore.
Ideja nga lufta
“Kali është bashkudhëtari i historisë së shqiptarëve. Edhe liria e popullit tonë ka kaluar mbi kurrizin e kalit”, thotë Çoçaj, duke shtuar se në studimin e tij është përpjekur që të pasqyrojë gjetjet në terren të nxjerra nga goja e popullit.
Pohon se ideja për hulumtimin e kalit ka lindur në ditët e luftës.
“Më datë 25 maj 1999 shumë luftëtarë të UÇK-së u plagosën dhe në mesin e tyre 2 konsideroheshin të vdekur. Meqë ishte pasdite dhe unë isha anëtar i komisionit për varrimin e ushtarëve të vdekur dhe zëdhënës i Brigadës 126, e lamë të varrosen ditën e nesërme. Të nesërmen, duke hapur varrin, kalon aty afër një plak me një kalë, i cili dëshiron të respektojë të vdekurit, dhe papritmas thotë se ky nuk ka vdekur. Thotë hiqeni samarin e kalit, zhvisheni ushtarin, vendoseni në kalë, nëse kali ecën ai është gjallë, nëse nuk ecën ushtari është i vdekur”, rrëfen Çoçaj.
Sipas tij, tjetër moment ka qenë gjatë operacionit “Shigjeta”, kur me parashuta zbritnin oficerët e NATO-s në Malet e Pashtrikut. “Ishte një gjeneral nga Anglia që kishte rënë në një zonë mes forcave serbe e UÇK-së. Ai nuk mund të vinte te forcat e UÇK-së, sepse në atë terren kishte mina. Në këtë moment del një bari dhe shkon e merr me kalë. Kali kishte aftësi të mos binte në mina”, tregon Çoçaj. Ai shton se nxitje tjetër për hulumtim ka qenë edhe fakti se gjatë bartjes së armatimit për nevojat e UÇK-së në vitet 1998-1999, nga Shqipëria vinin në Kosovë deri në 60-70 kuaj, ku ngarkesat zbrazeshin në Damjan, Planejë, etj., dhe pastaj pa asnjë njeri kuajt ktheheshin vetë në Shqipëri. “Gjatë gjithë kohës sa janë bartur armët asnjë kalë nuk ka rënë në mina”.
Çoçaj thekson se këto episode i janë ngulitur në kokë gjatë kohës së luftës, ndërkohë që sebep për realizimin e hulumtimit shkencor është bërë edhe biseda me shkrimtarin e ndjerë Dritëro Agolli.
“Ndodhitë gjatë luftës ma kanë dhënë idenë fillestare. Por sebep është bërë edhe intervista e zhvilluar me Dritëro Agollin, që ka qenë njëri prej njohësve të mirë të kuajve. Në vitin e fundit të jetës së tij e pata takuar dhe ai u ndje mirë që po interesohesha për këtë temë. Në këtë takim ai m’i ka dhënë elementet bazë se nga duhet ta orientojë studimin për kalin në traditën shqiptare, pasi një studim i tillë mungonte në gjuhën shqipe”, ka thënë Çoçaj. Ai thekson se motivim shtesë për të ka qenë fakti se në fshat si fëmijë ka qenë ruajtës i kuajve.
Sipas gjetjeve të Çoçajt, kali në të kaluarën e largët të shqiptarëve është vlerësuar si mik i njeriut, praktikë kjo që aktualisht rrallë haset dhe madje kryesisht në vendet malore.
“Gjatë punës në terren kam hasur në elemente shumë interesante që më kanë zgjuar interesimin, në veçanti në zonën e Korçës, Podujevës, në Shkodër, në Vlorë, Mokër, e kështu me radhë. E veçanta është se kalin e kanë konsideruar si zot ose si të shenjtë. Është e vetmja kafshë që në traditën shqiptare është varrosur me të gjitha traditat. Në dy fshatra të Kosovës janë edhe varrezat e kuajve”, ka deklaruar Çoçaj.
Ai shpjegon se në Korçë kalin e kanë mbajtur edhe si mjek shtëpie për shkak të aftësisë që të hetojë sëmundjen e anëtarëve të familjes. “Nëse kali ka qenë i lazdruar dhe në të ka hipur anëtari që ka qenë i sëmurë, kali është qetësuar, sepse e ka hetuar që mbi të është njeriu i sëmurë”, tregon Çoçaj. Sipas tij, ngjashëm ka ndodhur edhe me bartjen e nuses, me ç’rast kali ka ndier gjendjen emocionale të nuses dhe ka qenë më i ngadalshëm. Tutje rrëfen se kali është përdorur për shërim edhe te ritet e lindjes, derisa është njohur edhe si paralajmërues i rreziqeve të mëdha.
“Përderisa qeni e ruan njeriun brenda mureve të shtëpisë, kali ka aftësi ta bëjë këtë edhe jashtë mureve të shtëpisë. Zakonisht në rastet e familjeve që kanë qenë në gjak ose të rrezikuara, në kullën ku kanë banuar aty është lidhur edhe kali, sepse ai ka paralajmëruar rrezikun që po vjen dikush... Sepse ka aftësi të hetojë një njeri që ka nijet të keq. Kali është mbrojtës i njeriut, sipas besimeve të popullit, pasi që ai nuk e nxjerr të zotin në pritë”, është shprehur Çoçaj, duke shtuar se për këtë arsye shpeshherë është shfrytëzuar për qëllime ushtarake.
Po ashtu pohon se blegtorët kur kanë dalë në bjeshkë i kanë marrë kuajt me vete, meqë në vendin ku ka pranuar kali për të fjetur, aty është ndërtuar edhe vatha e bagëtive. “Kali ka qenë edhe njësi matëse e gjendjes ekonomike familjare”, shton Çoçaj.
1 400 intervista për kalin
Redaktori i veprës studimore të Çoçajt, Besim Cengu, shkruan se “kali, si kafshë shtëpiake, ka tërhequr gjithmonë vëmendjen e shqiptarëve, pasi që në lashtësi është pjesë e jetës sonë”.
“Prandaj, tradita në rritjen dhe kultivimin e tij është jo vetëm e vjetër, por edhe bazuar me shumë kujdes mbi disa themele të konsoliduara shkencore, që dëshmojnë popullin tonë dhe e rendisin ndër ata vende që më së shumti kanë ditur të trajtojnë kuajt për shkak të dobisë së përdorimit të tyre në shtëpi për punë e në luftë si faktor me shumë peshë, në besëtytnitë që kishin për to, në përdorimin e tyre për plot gjëra të tjera si në parashikimin e rreziqeve, zbulimin e ujit, sjelljen e mbarësive, e deri te zbulimi i sëmundjeve të njerëzve, duke mos lënë anash edhe në shumë raste ndihma në shërimin e shumë prej tyre”, ka pohuar ai në fjalën paraprijëse. Sipas tij, Çoçaj kthen në kujtesë këtë kafshë fisnike, që respektohet dhe nderohet edhe sot në shekullin XXI.
Cengu ka shtuar se Çoçaj ka zhvilluar afër 1 400 intervista prej Mitrovice e deri në Leskovik, prej Bozovce në Malësinë e Sharrit, e deri në Preshevë, prej Plave e Gucie deri në Voskopojë e Çamëri, prej Dibre e deri në Vlorë. “Dr. Çoçaj, për gati dy dekada, ka trokitur në dyert e të gjithë atyre personave, që ka dëgjuar ose dinë të flasin për kalin, apo edhe që janë marrë në jetë me rritjen, mbarështimin dhe tregtinë e kuajve”, është shprehur ai.
Cengu ka bërë të ditur se vëllimi i parë i punës së Çoçajt fokusohet në traditën e rritjes, kultivimit e mbarështimit të kalit si kafshë shtëpie, por edhe si mjet i rëndësishëm në luftëra. Vëllimi i dytë përqendrohet në praktikën e traditën e popullit shqiptar për shitblerjen e kalit, derisa vëllimi i tretë ndalet në besimet e popullit shqiptar për kalin në ritet e lindjes, dasmës dhe vdekjes. “Hulumtimet dhe gjetjet janë me interes të madh shkencor”, thekson Cengu.
Ndërsa Çoçaj pohon se materialin për këtë temë e ka mbledhur gjatë dy dekadave, ndërkohë që punë intensive në këtë studim ka bërë nga viti 2014 deri në vitin 2019.
“Në literaturën shqiptare nuk ka kësi lloj studimi. Ka libra për hipizëm, respektivisht për vrapim. Në literaturën për traditën mund të themi se kali është i anashkaluar”, ka deklaruar ai, duke shtuar se edhe në letërsi nuk ka pasur kujdes të duhur për figurën e kalit, që vazhdimisht ka qenë afër njeriut dhe i ka shërbyer atij me besnikëri në kohëra të mira dhe të vështira.