Arbëri

Institucionet s’tregojnë si do të veprohet me të dorëhequrit, Kurti i përmend konkurset e reja

Arritja e marrëveshjes për targat midis Kosovës e Serbisë nuk i ka bërë zgjidhje edhe çështjes së serbëve të larguar nga institucionet e Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti,, të mërkurën, ka thënë se për plotësimin e vendeve vakante duhet të ketë konkurse të reja.

“Vendimi politik i dorëheqjes nuk mund të pasohet me thirrje politike për kthim, por me aplikim profesional të atyre të cilët i duan ato vende të punës. Natyrisht që të gjithë janë të mirëseardhur, por këtë nuk e vendos as kryeministri e as ministri i Brendshëm”, ka theksuar Kurti.

Neni 89 i Udhëzimit administrativ mbi marrëdhënien e punës në Policinë e Kosovës e specifikon ndalesën për rikthim dhe ripunësim të zyrtarit të dorëhequr policor.

“Punonjësi i Policisë në çdo kohë mund të japë dorëheqje nga puna, pas njoftimit paraprak për dorëheqje, të cilën punonjësi, përmes mbikëqyrësit të tij, duhet t’ia dorëzojë Drejtorisë së Personelit. Afati për njoftimin apo paralajmërimin e dorëheqjes është 30 ditë. Punonjësi i Policisë, i cili jep dorëheqje vullnetare, nuk e ka të drejtën e rikthimit dhe të ripunësimit në Polici”, thuhet në këtë nen.

Për rreth 500 zyrtarët e dorëhequr të Policisë së Kosovës, KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë e Brendshme, porse nuk ka marrë përgjigje.

Ndërkaq, për rastin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të dorëhequr ligji parasheh se procesi përmbyllet me dekret të nxjerrë nga presidentja, pas pranimit të propozimit nga Këshilli Gjyqësor apo ai Prokurorial (KGJK).

“Në rastet e dorëheqjes dhe pensionimit të gjyqtarëve, Këshilli ia dërgon propozimin presidentit për lirim nga detyra. Presidenti brenda tridhjetë (30) ditësh, pas pranimit të propozimit, nxjerr dekret për lirimin nga detyra të gjyqtarit”, thuhet në nenin 26 të Ligji për KGJK-në.

Njësoj parashihet edhe për prokurorët. “Në rastet e dorëheqjes dhe pensionimit të prokurorëve, Këshilli ia dërgon propozimin presidentit për lirim nga detyra. Presidenti brenda tridhjetë (30) ditësh, pas pranimit të propozimit, nxjerr dekret për lirimin nga detyra të prokurorit”, thuhet në Ligjin për Këshillin Prokurorial.

As Presidenca, as Këshilli Gjyqësor dhe as ai Prokurorial nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS rreth procedimit të dorëheqjeve nga gjyqtarë e prokurorë serbë.

Krahas tyre dorëheqjet i kanë dhënë edhe punonjës të administratës. Ligji për Shërbimin Civil e parasheh mundësinë që ata të kërkojnë sërish punë në këtë shërbim, por vetëm kur hapen konkurse.

“Nëpunësit civilë, të cilët kanë dhënë dorëheqje dhe kanë humbur statusin e nëpunësit civil, më vonë mund të kërkojnë punësim në shërbimin civil, përmes pjesëmarrjes në

procedurat e jashtëzakonshme të punësimit, sipas kushteve të përcaktuara me këtë ligj”, thuhet në nenin 86 të Ligjit për shërbimin civil.

Për analistin Agon Maliqi, çështja e kërkon një zgjidhje politike, e cila duhet të trajtohet bashkë me lehtësuesit e dialogut Kosovë-Serbi.

“Kërkohet një zgjidhje politike në këtë moment dhe kjo është krejtësisht e ndërlidhur me javët dhe muajt në vijim, se si do të shkojë dialogu në Bruksel dhe marrëveshja përfundimtare. Pra, a mund të ndërlidhet ky rikthimi i serbëve me marrëveshjen përfundimtare”, ka theksuar Maliqi.

Deri tash vetëm deputetët janë kthyer në Kuvend. Bazuar në ligj, të dorëhequrit janë zëvendësuar me kandidatët në pritje të Listës Serbe.