Arbëri

Inspektorati konstaton ankesat e punëtorëve por s’merr masa ndaj Aeroportit

Punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës për muajt korrik e gusht janë detyruar të punojnë jashtë orarit të punës e jashtë orëve shtesë, që ua lejon edhe ligji. Këto konstatime i ka dhënë edhe Inspektorati i Punës por të njëjtët, edhe një muaj pasi kanë nxjerrë raportin zyrtar, nuk kanë nxjerrë vendim për t’i shqiptuar masa ndëshkuese ndaj Aeroportit për këto shkelje. ANP-ja në anën tjetër thotë se nga këta punëtorë nuk kanë marrë asnjë ankesë me shkrim

Janë 34 punëtorë të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, në shërbimet e skenimit, ngarkimit e shkarkimit të bagazheve, që çdo ditë në korrik e gusht të këtij viti kanë punuar jashtë orarit të punës e më gjatë se orari shtesë, të cilin e lejon edhe ligji. Një gjë të tillë ka një muaj që e ka konstatuar vetë Inspektorati i Punës, por që ende s’ka marrë kurrfarë masash ndaj punëdhënësit.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Aeroportit, Bashkim Latifi, ka thënë se në mungesë të stafit, Aeroporti i ka shtyrë punëtorët të punojnë jashtë orarit të punës, duke ua rrezikuar mes të tjerash edhe shëndetin.

“Ankesat kanë qenë kryesisht te dëmtimi i shëndetit në punë ndaj punëtorëve, sepse punëdhënësi duke pasur mungesë të punëtorëve i ka shtyrë punëtorët të punojnë jashtë orarit, jashtë kontratës, të cilën e kanë për orë të punëve, duke tejkaluar orët e punëve që as ligji nuk i parasheh”, ka thënë Latifi.

Për këto pretendime, Latifi ishte ankuar në Inspektoratin e Punës më 15 gusht dhe ky i fundit gati dy muaj më pas kishte dalë me një raport zyrtar.

Në gjetjet e inspektoratit thuhet se 31 punëtorë të shërbimit X Ray dhe 3 të ngarkimit dhe shkarkimit të bagazheve kanë punuar më gjatë se orët e lejuara shtesë, puna e të cilëve brenda një muaji ka shkuar deri në 244 orë. Sipas inspektoratit, për muajin korrik punëtorët që kanë punuar jashtë orarit të rregullt janë kompensuar vetëm për orët e rregullta dhe jo për ato shtesë. Në raportin e IP-së ankesa e Sindikatës është vlerësuar pjesërisht e bazuar dhe është konstatuar se punëdhënësi, në këtë rast Aeroporti i Prishtinës, ka shkelur nenin 23 të Ligjit të punës për “Punën më ta gjatë se orari i plotë i punës” dhe nenin 55 të po këtij ligji për “Pagën dhe kompensimin e pagës”.

Në një për KOHË-n, sipas Aeroportit puna jashtë orarit është bërë për shkak të shtimit të volumit të punës dhe se ajo është në përputhje me Ligjin e Punës.

“Punonjësit kanë punuar me orë shtesë jashtë orarit të rregullt për shkak të shtimit të volumit të papritur të punës dhe kanë punuar në bazë të Ligjit të Punës 03/L-213 neni 23. Ne nuk kemi pranuar asnjë ankesë me shkrim nga punonjësit tanë deri më tani”, thuhet në përgjigjen e Aeroportit.

Mirëpo, në Ligjin e Punës, neni 23 thotë se në raste të jashtëzakonshme, me rritjen e vëllimit të punëve dhe në raste të tjera të domosdoshme, me kërkesën e punëdhënësit, punëtori duhet të punojë me gjatë se orari i punës, më së shumti deri në 8 orë në javë, orë të cilat punëtorët i kanë tejkaluar. Vendimin për këto shkelje Inspektorati kishte paralajmëruar se do ta merrte në bazë të gjetjeve të këtij raporti, por deri më tash pala ankuese nuk është njoftuar nëse i është shqiptuar ndonjë masë Aeroportit dhe për këtë gjë, nga Inspektorati i Punës nuk i kanë kthyer përgjigje as KOHË-s, pavarësisht insistimit disaditor.

Në bazë të Programit të Sigurimit të Aviacionit Civil të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe manualit të njësisë së Sigurimit dhe Skenimit, operatori i cili punon në monitor ku shfaqen imazhet e pajisjes së skanimit, pas çdo 20 minutave duhet të ndërrojë pozicionin me qëllim që të ketë mundësinë t’i pushojë sytë. Në lidhje me orarin e stërzgjatur në shërbime kyç për sigurinë, siç është X Ray, Aeroporti ka mohuar të jetë cenuar siguria.

“Në asnjë mënyrë nuk është rrezikuar siguria në Aeroport nga orët shtesë”, thuhet tutje në përgjigjen e ANP-së.

Për shkak të lodhjes gjatë orëve shtesë disa punëtorë të Aeroportit kishin pësuar dëmtime të shëndetit. Në një rast, pala ankuese ka ngritur shqetësimet se gjatë orarit ditor 12-orësh, një grua 63-vjeçare ishte alivanosur. Për shkak të mungesës së punëtorëve, Sindikata është ankuar se Aeroporti i ka detyruar të punojnë edhe punëtorët e dyshuar me COVID, por mbikëqyrja e çështjeve të kësaj natyre, nga Inspektorati i Punës, kanë thënë se është jashtë kompetencave të tyre.

Mes të tjerash në ankesën drejtuar Inspektoratit është theksuar edhe lëndimi i një punëtori të Aeroportit, i cili ishte dërguar në Klinikën Emergjente për trajtim. Sipas konstatimit të IP-së punonjësi, si pasojë e aksidentit, ka pasur lëndime me paaftësi të përkohshme për punë dhe në momentin e lëndimit, Aeroporti nuk e ka njoftuar Inspektoratin. Për këtë incident, Inspektorati ia ka shqiptuar Aeroportit një vërejtje me shkrim.