Arbëri

Infermieret detyrohen që bëjnë edhe punën e higjienistëve në disa objekte shëndetësore

“Po janë diku 21 ambulanca, llogarite 60 për qind nuk kanë higjienistë të rregullt. Motra duhet me pastrua objektin, motra duhet me pastrua plagën e pacientit, motra duhet me ia lidh plagën, motra duhet me krye shërbimin e injeksioneve, dhënien e injeksioneve. Një motër, qajo motër krejt këto punë duhet me i krye në AMF. Fatbardhësisht tash janë hi do ngrohje, se kanë qenë ngrohjet me dru e që është dashtë me copëtua motra dru”, ka thënë kryetari i Sindikatës së punëtorëve shëndetësorë në Podujevë, Sheqir Maliqi

Pa higjienistë kanë mbetur shumë institucione shëndetësore në Komunën e Podujevës. Në mungesë të tyre, infermieret detyrohen të kujdesen edhe për pastërtinë në disa ambulanca të mjekësisë familjare (AMF). Kryetari i Sindikatës së punëtorëve shëndetësorë në Podujevë, Sheqir Maliqi, ka thënë se deri para pak kohësh, punonjësit në këto institucione janë kujdesur edhe për drutë e ngrohjen. KOHA ka vizituar të mërkurën institucionin shëndetësor në Llapashticë të Epërme dhe aty nuk ka qenë higjienisti. Sipas infermiereve, ai të mërkurën gjendej në AMF-në në fshatin Bajçinë. Të njëjtat nuk kanë dashur të deklarohen për media, pasi kanë thënë se ato punojnë në QKMF-në në Podujevë, porse atë ditë kanë shkuar si staf ndihmës. Ndërkohë, infermierja e rregullt e këtij institucioni nuk ka qenë të mërkurën në AMF-në në Llapashticë të Epërme.

“Në komunën tonë diku 60 për qind e punkteve shëndetësore, AMF, QMF janë pa higjienistë. Edhe kjo është duke zgjatur me vite, jo 1 vit e 2 vjet, po 5-6 vjet. Ne çdoherë kemi bërë ankesa, kërkesa, po këta po arsyetohen se nuk po i lejojnë me rrit numrin e punëtorëve. Kur dalin në pension higjienistë ose shoferë e merr mjek ose metër, nuk zëvendësohen ata që dalin. Ka dalë një higjienistë e kanë marrë një motër ose një mjek, që me plotësua atë numrin prej 246 punëtorëve”, është shprehur Sheqir Maliqi. “Po janë diku 21 ambulanca, llogarite 60 për qind nuk kanë higjienistë të rregullt. Motra duhet me pastrua objektin, motra duhet me pastrua plagën e pacientit, motra duhet me ia lidh plagën, motra duhet me krye shërbimin e injeksioneve, dhënien e injeksioneve. Një motër, qajo motër krejt këto punë duhet me i krye në AMF. Fatbardhësisht tash janë hi do ngrohje, se kanë qenë ngrohjet me dru e që është dashtë me copëtua motra dru”.

Sipas kryesindikalistit shëndetësor në Podujevë, çështja e të punësuarve është e rregulluar me ligj, por sipas tij, ai nuk po zbatohet në Komunën e Podujevës.

“Me ligj, çdo AMF duhet me pasë mjekun, 2 motra, higjienistin. Është e përcaktuar, mos gabofsha në 2 mijë banorë një mjek, motra, mamia edhe higjienisti. Pse te na nuk janë? Nuk e di pse. Edhe nuk japin përgjigje askush. Fol sa të duash, kërko sa të duash, masa nuk ka. Rezultati po mungon. Këto çështje qe 10 vjet i ngriti, po asnjëherë në asnjë moment nuk ka pasur efekt”.

Në anën tjetër, edhe në Komunën e Podujevës e pranojnë se infermierja në disa institucione duhet të kujdeset edhe për pastërtinë e ambientit të objektit. Por, zëdhënësi Nazmi Elezi, thotë se nuk qëndron konstatimi i Sindikatës se në 60 për qind të institucioneve shëndetësore nuk ka higjienistë.

“Ndonëse është e vërtetë se në disa institucione shëndetësore ka mungesë të stafit higjienist, nuk qëndron konstatimi i Sindikatës se 60 për qind e Qendrave të Mjekësisë Familjare (QMF) dhe Ambulancave të Mjekësisë Familjare (AMF) janë pa higjienistë. Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Podujevë ka higjienistë të rregullt në çdo departament gjatë gjithë kohës derisa ofrohen shërbimet shëndetësore, sikurse kanë higjenistë të rregullt edhe QMF në Lluzhan, QMF në Orllan, QMF në Kërpimeh, QMF II në Podujevë, AMF në Sfeçel, AMF në Shakjoc, AMF në Bradash, AMF në Bajçinë, AMF në Llapashticë dhe AMF në Balloc. Ndërsa, AMF-të e tjera kanë higjienist, por jo të rregullt”, ka theksuar Nazmi Elezi. “Ligji është ai që e përcakton numrin e punëtorëve brenda një institucioni. Në mungesë të stafit në terren, infermierja, e cila gjatë gjithë orarit të punës mund të ketë deri në pesë pacientë, përkujdeset për mirëmbajtjen e higjienës në ambientin ku qëndron e punon vet, kurse pastrimi gjeneral bëhet nga higjienistët”.

Por, zëdhënësi i Komunës së Podujevës nuk është përgjigjur kur është pyetur se pse janë lënë këto institucione pa higjienistë në kohë pandemie kur çdo ditë kërkohet të mbahet higjiena.

Ndërsa, Sheqir Maliqi, ka thënë se mungesa e higjienistëve në kohë pandemie nuk është normale.

“Këtë pyetje duhet me ia parashtrua edhe ministrit Zemaj që për çdo ditë del në televizor edhe thotë higjienën, higjienën. E na këtu qysh me mbajt higjienën, një motër me pastrua objektin, nyjat sanitare, me pastrua plagën, me lidh plagën, me dhanë injeksionet. Përveç që nuk kemi higjienistë, nuk kemi as material për higjienë”, ka thënë kryetari i Sindikatës së punëtorëve të QKMF-së në Podujevë. “Me çebe (batanije), me do ‘kërpa’ i marrin këto higjienistët që i kemi këtu edhe mundohen me do shampon me pastrua. Mirëpo ato ‘kërpa’ nuk janë të lejueshme me pastrua me to, se ato lëshojnë qime, lëshojnë lecka, nuk është e lejueshme në shëndetësi. E ministri Zemaj nuk na furnizon. Nuk na furnizon kurrkush. Këtu ka faj Ministria, ose Komuna që e menaxhon fondin tonë”.