Arbëri

IKD: Kuvendi u injorua nga Qeveria

kuvend

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) e ka vlerësuar të dobët punën e Kuvendit të Kosovës gjatë vitit 2022.

Sipas raportit të IKD-së, “Dobët - Raport i monitorimit të punës së Kuvendit të Kosovës për vitin 2022”, i cili është publikuar të premten në Prishtinë Kuvendi e ka nisur punën pa miratuar Programin e Punës për vitin 2022, edhe pse thuhet se një program i tillë parashihet me Rregulloren e Kuvendit të Kosovës, dhe pa miratuar edhe programin e punës të sesionit vjeshtor në seancë plenare.

Sipas IKD-së në vitin 2022 seancat e Kuvendit u karakterizuan me numër të madh të pikave të rendit të ditës nga seancat e mbetura nga viti 2021.

“Seancat e rregullta të Kuvendit janë karakterizuar me vazhdime të shumta të seancave, që përbëjnë 53% të totalit të seancave të rregullta. Kontrolli parlamentar lidhur me punën e qeverisë dhe mbikëqyrjes së institucioneve të pavarura pothuajse ka qenë inekzistent. Në së paku 18 raste, Kuvendi ka dështuar të miratojë raportet vjetore të institucioneve kushtetuese dhe agjencive të pavarura. Po ashtu, ka dështuar në 18 raste të zgjedhë organet kolegjiale dhe inviduale, duke bërë pengesë të funksionimit të tyre”, thuhet në raportin.

Sa i përket llogaridhënies së Qeverisë përballë Kuvendit, IKD-ja ka gjetur se Kuvendi u injorua nga Qeveria, përderisa Kryetari i Kuvendit apo Kryesuesi i seancës nuk mori masa ndaj Qeverisë, ashtu siç kërkohet me Rregullore.

“Edhe kjo legjislaturë, është karakterizuar nga gjuha jo parlamentare, polarizimi i skajshëm ndërmjet deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe po ashtu ndërmjet deputetëve dhe kabinetit qeveritar”, thuhet në raportin që është prezantuar në një tryezë diskutimi, nga hulumtuesi në IKD, Naim Jakaj.

Në raport thuhet se gjatë vitit të kaluar 9% e deputetëve janë përballur me ligjin. Kurse, theksohet se transparenca dhe llogaridhënia e Kuvendit mbetet sfidë.

“Mbledhjet e komisioneve parlamentare vazhdojnë të mos transmetohen nga Kuvendi. Ndërsa jashtë funksionit mbetet votimi elektronik në seancat plenare, duke pamundësuar informimin e qytetarëve për votat e tyre”, thuhet në raport.

Në lidhje me aktivitetin legjislativ, sipas IKD-së, puna e Kuvendit është përcjellë me joefikasitet.

“Në secilën seancë plenare, projektligjet janë bartur nga një seancë në tjetrën për shkak të mungesës së kuorumit nga ana e shumicës parlamentare dhe mos pjesëmarrjes së opozitës në procesin e votimit. Në fund të vitit 2022, Kuvendi nuk i ka shqyrtuar në parim nëntë projektligje dhe në lexim të dytë dy projektligje. Përkundër faktit që i ka shqyrtuar, Kuvendi nuk ka arritur të vendosë për tre projektligje në lexim të parë dhe për një projektligj në lexim të dytë. Këto projektligje janë bartur për shqyrtim dhe votim në sesionin pranveror të vitit 2023”, thuhet në raport.

Më tej theksohet se Kuvendi nuk e ka votuar asnjë projektligj të sponsorizuar nga ana e grupeve parlamentare opozitare (4 prej tyre), në ndërkohë ka votuar dy projektligje të sponsorizuara nga grupi parlamentar i shumicës parlamentare.

Jakaj ka thënë se Kuvendi ka rritur përdorimin e praktikës së shmangies së afateve të parapara me rregulloren e Kuvendit në lidhje me shqyrtimin e projektligjeve të rëndësishme.

“11% e projektligjeve janë miratuar në procedurë të përshpejtuar, ku në të shumtën e rasteve, përshpejtimi u propozua nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje”, ka theksuar ai gjatë prezantimit të raportit.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se ka kontradikta ligjore sa i përket disa aspekteve mbi deputetin.

“Sa i përket ligjit më ekspliciti është Ligji për detyrimet e deputetit ku thuhet që kryesia bashkë me kryetarin kanë të drejtë ta prekin deputetin deri edhe në pagën e tij bazë. Një gjë këtu është interesante dhe paradoksale: për shkak se si e interpretoni ju, fakti që Kushtetuta dhe rregullorja në lirinë që e ka deputeti natyrisht që e mendon nga një dimension i gjerë. Për shkak qe ka interpretime të gjera të demokracisë, natyrisht ne si vend shumë demokratik jemi kujdesur ta kemi elasticitetin maksimal ligjor për të krijuar akomodimin e atyre që mendojnë që e kanë qëndrim politik mosardhjen në kuvend ku është klauzola qe i lejohet të mos vij për 6 muaj në Kuvend. Por si interpretohet tash ndalja e pagës bazë nëse kushtetuta ta lejon kaq gjatë mos te jesh në Kuvend. Si të preket paga bazë tash. Kjo është kontradiktë e qartë ligjore”, ka thënë Konjufca.

Konjufca ka theksuar se si kryetar nuk është i bindur në “interpretim të ngushtë për ndalje të pagës për këtë arsye është qasja ime që duhet të shkojmë në një interpretim më elastik, por kjo nuk e amniston deputetin nga përgjegjësitë e tij”.

Ai ka sqaruar tutje se prej 5 vjetësh nuk është më i lidhur drejtpërdrejt nënshkrimi në seancë me mëditjen, “sepse është përbrenda ciklit me katër herë pjesëmarrje në seancë. Pjesëmarrja përtej kësaj nuk ka kompensime”.

Kurse, deputetja Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se Kuvendi është i gatshëm për rekomandime dhe kritika. Ajo është ankuar për mungesë të kapaciteteve fizike për deputetë.

“Nuk na pëlqen kur e marrim raportin dobët, të kishte qenë së paku mjaftueshëm. Por unë mendoj që ka një stad të avancimit me legjislaturat e tjera ndonëse jemi larg prej atje ku pretendojmë. Kemi afërsisht 40 për qind të deputetëve deputetë për herë të parë. Kjo në vete tregon edhe domosdoshmërinë për aftësim të vazhdueshëm të deputetëve për përgjegjësitë dhe detyrat e tij. Ne kemi mungesë në kapacitete fizike. Deputetët nuk kanë zyrat e tyre, takimet i zhvillojnë në komunat e tyre apo në kafiteri rreth Kuvendit”.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë se diskursi për pagën e deputetit duhet të largohet. Ka shtuar se ligjet nuk janë bërë më së keqi.

“Pozita e deputetëve e politikanëve në këtë vend është pozita më e urryer pasi gjithçka është implikuar në pagën dhe aspektin financiar, jam i bindur që paga e një deputeti është sa shumica e drejtorëve të OJQ-ve dhe ky diskurs duhet të largohet, diskurs është puna dhe cilësia qe jep deputeti. Asnjëherë ligjet nuk janë bërë më keq. Unë mendoj që çdo i dyti ligj mund të dërgohet në Kushtetuese. Po thonë se kanë bërë më së shumti ligje, por mbi 30 ligje ka pasur ndryshime vetëm në një nen. Ndodh që kryeministri na e përcakton se kur duhet të mbajmë seanca. Me këto probleme ulet integriteti i Kuvendit”.

Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka përmendur disa probleme që sipas tij janë prezentë në Kuvend.

“Ekziston një problem siç është gjuha joparlamentare sepse ekziston një kod etik, me e ruajt veten. Tjetër çështje është mungesa e kuorumit. Mosprezenca, hy e dil pa pasur veprim politik është e papranueshme kjo duhet të rregullohet. Çështja e tretë është votimi elektronik, nuk ka kuptim të mos dihet se kush çka po voton. Pika e katërt është moszgjedhja e organeve kolegjiale që ne e kemi obligim. Kryetari e ka një bashkëpunim me të gjithë, ky është vlerësim i imi”.

Sa i përket Ligjit për deputet, Tahiri ka mohuar se deputeti ka ndonjë privilegj duke thënë se i vetmi privilegj është paga që e merr.

“Çështja e dytë është ligji për deputetë. E dëgjova Naimin tha Kuvendi i Privilegjeve. Punë më pa privilegj se të jesh deputet nuk ka. Deputeti e ka pagën 200 euro më të vogël se zëvendësministri, ai ka zyre këshilltarë e asistentë, shoferë etj të cilat ne nuk i kemi. Tash nëse flasim për keqpërdorime duhet t’i ndajmë nga privilegjet. Privilegje i kemi veç rrogat aty nis e aty përfundon”.

Erxhan Galushi ka thënë se në raportin e IKD-së mungon çështja e gjuhëve të ndryshme.

“Mungoi një element në raportin tuaj që ka të bëjë me gjuhët e ndryshme. Kjo është mungesa e përkthimeve qoftë në Komisione qoftë në Kuvendin e Kosovës. Është sfidë për deputetët e komunitetit joshumicë. Secili qytetar ka të drejtë të informohet në gjuhën që e kupton. E di që kërkesa është bërë nga shefi i GP multi-etnik pres nga kryetari që të marrë masa së shpejti ta rregullojë këtë çështje”.


Lista Serbe u deklarua vetëm një herë në 38 seancat e rregullta

IKD-ja ka gjetur se nga 38 seancat e rregullta, Lista Serbe është deklaruar vetëm njëherë tek pika “Deklaratat jashtë rendit të ditës”, përkundër faktit që asaj i është dhënë e drejta në çdo seancë.

Sipas kësaj, rezulton se Lista Serbe ka pasur mundësi të marrë fjalën më së paku 38 herë dhe këtë të drejtë e ka realizuar vetëm një herë, përderisa edhe Grupi Parlamentar Multietnik, nuk ka marrë fjalën më shumë se shtatë (7) herë.

Këto gjetje janë publikuar të premten në raportin e titulluar: “Dobët: Raport i monitorimit të punës së Kuvendit të Kosovës për vitin 2022”. BpD.